E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot Fiter Bajrami, myslimanët në festë, BalkanWeb uron Gëzuar

TIRANË- Besimtarët myslimanë në të gjithë botën festojnë sot festën e Bajramit të madh apo Fiter Bajramin. Festa vjen pas muajit të Ramazanit, një prej pesë shtyllave të Islamit, ku besimtarët agjëruan, duke ju përkushtuar më shumë adhurimit dhe devotshmërisë ndaj Krijuesit të tyre, Zotit.

Edhe në Shqipëri besimtarët myslimanë u mblodhën në orët e para të ditës nëpër xhami dhe falën namazin e festës. Fiter Bajrami është festa e devotshmërisë, solidaritetit, vëllazërisë dhe barazisë sociale. Pas faljes së namazit të festës, besimtarët shkëmbejnë vizita në familjet e të afërmve dhe miqve për të uruar një vit më të mbarë.

Në Tiranë, falja e namazit u bë në bulevardin "Dëshmorët e Kombit",përpara ish-hotel "Dajtit" për shkak të punimeve në sheshin "Skënderbej".
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë kërkuar leje që të bllokohet qarkullimi i automjeteve në bulevard deri në orën 07:00 të mëngjesit, në mënyrë që besimtarët të kryejnë ritet e tyre dhe më pas të largohen pa u penguar nga makinat. Besimtarët myslimanë, edhe këtë vit faljen e Fiter Bajramit por edhe të Kurban Bajramit do vijojnë ta bëjnë në rrugët e Tiranës, në pamundësi të një xhamie të madhe, e cila është një kërkesë e tyre e kahershme, por ende nuk është përmbushur.

Kremtimi i kësaj feste u jep myslimanëve një emocion të veçantë, një frymë të re, një zell të ri në punët e tyre fetare dhe të kësaj bote. Gjatë kësaj feste myslimanët japin shembullin më të bukur të bashkimit dhe unitetit Islam. Në këtë festë nuk mungojnë gjithashtu argëtimet, programet artistike dhe aktivitetet e ndryshme kulturore.

Dita e Bajramit shëmbëllen në ditë paqeje dhe gëzimi. Vetë fjala bajram do të thotë gëzim, begati, kënaqësi, hare. Një prej të veçantave të kësaj dite është edhe dhënia e kontributit në të holla ose ushqime, ose siç njihet në fenë islame ndarja e zekatit, për të varfërit dhe familjet në nevojë.

Bajrami i jep indikacion të qartë myslimanit se me besim të fortë dhe qëndrueshmëri permanente, mund të arrijë kontroll të përkryer mbi veten dhe të vendosë barazpeshë ideale midis materiales dhe shpirtërores.

Si çdo vit komunitetin mysliman pritet ta vizitojnë paraditen e sotme drejtuesit më të lartë të shtetit dhe personalitete të tjera të njohura, të cilët do të përcjellin urimet e tyre me rastin e Fiter Bajramit. Festën një ditë me pare e uroi dhe kreu i komunitetit mysliman Selim Muca dhe presidenti Bamir Topi. Mesazh urimi erdhi edhe nga Sektretarja e Shtetit Amerikan, Hilari Klinton.
(s.g/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›