Kreditë, ulen interesat në lekë, por rriten ato në euro
TIRANE- Në muajt prill dhe maj të këtij viti, norma e interesit për kreditë në lekë është ulur, duke ngushtuar diferencën me normën e interesit të bonove të thesarit me afat maturimi 12-mujor, që merren si pikë referimi. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, interesi mesatar për kreditë e reja në lekë shënoi mesatarisht 11.96%, duke qenë 0.95 pikë përqindjeje nën nivelin e 3-mujorit paraardhës. Pjesa më e madhe e kredisë së re në lekë është akorduar për plotësimin e nevojave afatshkurtra të biznesit, ndërkohë që në muajt e fundit po vërehet shpeshtim i kredisë hipotekore në monedhë vendase për individëtvëren, në një koment të tij, TVScan. Sipas afateve të maturimit, ulja më e madhe e interesave është aplikuar në afatin e shkurtër dhe afatin e mesëm. Nga ana tjetër, kreditimi në euro ka shënuar rritje të lehta të mesatares së interesave. Rritja e normës referencë, euriborit, dhe rreziku i kursit të këmbimit kanë qenë faktorët që vazhdojnë të ndikojnë në mbajtjen e marzheve të larta për kreditë në euro. Normat e interesit për kreditë në euro, janë rritur lehtësisht dhe në muajt prill-maj ato regjistruan vlerën mesatare 7.36%, ose 0.15 pikë përqindjeje mbi mesataren e tremujorit të parë të vitit 2011. Në kreditë me afat të shkurtër, që janë kryesisht ato për kapital qarkullues për biznese, norma e interesit ka ndjekur të njëjtën sjellje me monedhën vendase, duke u ulur në vlerë mesatare. Ndërsa në afate mbi pesë vjet, bankat vazhdojnë të jenë konservatore me çmimin e kredive të reja në valutë.
(s.g/BalkanWeb)
(s.g/BalkanWeb)