E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot SamitiRajonal në Prizren

PRIZREN-Me ftesë të presidentit Fatmir Sejdiu, sot në Prevallë të Prizrenit mbahet samiti me Presidentët e rajonit.
Sot tek takimi i thirrur nga presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, mysafirë pritet të jenë, Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, ai i Malit të Zi, Filip Vujanovic dhe presidenti maqedon, Gjorgje Ivanov.

Në samitin në Prevallë, nuk është ftuar edhe presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, për shkak të qëndrimeve që ky vend mban në raport me shtetin e Kosovës.

Të shtunën paradite presidentët do të kenë takime bilaterale, ndërsa pasdite do të organizohet një takim i përbashkët ndërmjet katër presidentëve, pas të cilit menjëherë do të mbahet një konferencë e përbashkët me gazetarë.

Bazuar në xhendën zyrtare, samiti i Prizrenit nuk pritet të rezultojë me ndonjë deklaratë të përbashkët politike të presidentëve nga rajoni.
Parashihet që nesër të ketë takime individuale, ndërsa pasdite do të mbahet mbledhja e të katër presidentëve.

Analistët e kanë vlerësuar këtë samit si një hap pozitiv, në të cilin vendet pjesëmarrëse do të mund të shpalosin interesat e tyre të përbashkëta dhe të forconin raportet e tyre bilaterale.
Qeveria dhe partitë politike, përfshirë edhe opozitën, e shohin këtë samit si shumë të rëndësishëm për Kosovën dhe kultivimin e bashkëpunimit rajonal.

Sipas tyre, thirrja e këtij samiti, i treti me radhë, dëshmon përcaktimin e qartë të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi për bashkëpunim fqinjësor dhe shpreh gatishmërinë e tyre për proceset integruese euroatlantike, duke u larguar nga mentalitetet e vjetra të konfrontimeve.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›