E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot, Thaçi raporton në Kuvend

Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mbajë seancë sot në orën 20:00, me kërkesë të kryeministrit Hashim Thaçi. Gjatë kësaj seance të jashtëzakonshme, Thaçi do të raportojë për Marrëveshjen për Normalizim në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, e cila është përafruar të premten.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi përmes një shkrese zyrtare dërguar Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, i ka kërkuar mbajtjen e një seance te jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për ditën e diel, duke filluar në orën 20:00.

“Kërkesa është bërë në pajtim me nenin 69 paragrafi 4 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 38 të Rregullores së Kuvendit të Kosovës, si dhe në përputhje me Rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në komunikatën e zyrës së kryeministrit.

Gjatë kësaj seance të jashtëzakonshme, kryeministri Thaçi do të raportojë për Marrëveshjen për Normalizim në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, e cila është përafruar më 19 prill 2013 në Bruksel.

“Marrëveshja e përafruar nga të dy kryeministrat është në fazën e dhënies së pëlqimit për nënshkrimin formal, për çka duhet dhënë pëlqimi paraprak nga përfaqësuesit e të dy vendeve më së largu ditën e hënë, më 22 prill 2013”, përfundon komunikata./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›