Kosova pret njohjen nga pesëshja e BE-së

Kosova pret të marrë shpërblim nga marrëveshja e arritur për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Njohja e Kosovës nga pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur deri më tash, mund të jetë njëri nga benefitet e mëdha pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje.
Pavarësisht se ishte një proces i vështirë negociator deri tek arritja e marrëveshjes së 19 prillit, një marrëveshje që u nënshkrua nga palët ndërmjet kryeministrave Thaçi e Daçiq në Bruksel, shihet si një kusht elementar i përafrimit më të shpejtë të të dyja vendeve për në BE dhe, kalim i shpejtë i pragut të bllokimit të njohjes nga pesë vende të BE-së ndaj Kosovës.
Hapi i parë është gjithsesi qartësimi e datës për anëtarësim të Serbisë në BE. “Takimi është ai justifikimi që në mbledhjen e Këshillit të ministrave të jashtëm më 22 prill të raportohet për progresin e dialogut dhe të normalizimit”, tha për “Kosova Sot” kryetari i Komisionit për Integrime, Lutfi Haziri.
Mirëpo, Kosova në këtë agjendë beson se do të marrë shpërblim qartësimin e agjendës për fillimin e negocimit të MSA-së dhe nuk do të mbetet shumë e diskriminuar në raport me datën për shtetin serb. “Shpresojmë shumë që Këshilli i ministrave ta marrë mandatin për fillimin e negociatave për Stabilizim-Asociim”, tha ai./Indeksonline/