E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhamia e re, projekti një plagjiaturë nga Turqia

Për herë të dytë pas 20 vjetësh u vendos dje guri i themelit të xhamisë së re të kryeqytetit. Në vitin 1993, presidenti i asaj kohe Sali Berisha bashkë me kreun e komunitetit Mysliman të ndjerin, Haxhi Hafiz Sabri Koçi, vendosën gurin e themelit për fillimin e ndërtimit të një xhamie më të madhe në Tiranë.

Pas dy dekadash, ky gur u rivendos dje për të sjellë një projekt të ri, i cili sipas arkitektëve “do të zbukurojë Tiranën”. Fjalë të mira u thanë nga kryeministri, i cili prej vitesh mundohet të mbajë premtimin e dhënë në vitet e para të pushtetit të tij: “Aty ku ka katër të krishterë të ngrihet një kishë dhe aty ku ka katër myslimanë të ngrihet një xhami”.

Këto vite udhëheqjeje nuk duket se i kanë mjaftuar kryeministrit aktual të Shqipërisë që duke u lutur për një mandat të tretë po ripërsërit premtimin për një xhamie të re. Faktikisht këtë ditë, myslimanët kanë 75 vjet që e presin. Por edhe ky gur i dytë themeli nuk duket sikur u vendos pa polemika dhe komente. Projekti i paraqitur në media ka filluar të ngjallë interes dhe po ashtu të hedhë dyshimet e para për një “plagjiaturë” të xhamisë.

I ngjan apo është kopje e xhamisë së “Bejazitit”, kjo mbetet për t’u vërtetuar. “Shekulli” kontaktoi me Ilir Hoxhollin, një nga anëtarët e Komunitetit Mysliman Shqiptar dhe një nga zërat e shoqërisë civile. E pyetëm atë për ngjashmërinë e madhe mes xhamisë që pritet të ndërtohet me xhaminë e “Bejazitit” në Turqi. “Arkitekti është turk dhe studioja e projektit është po prapë turke. Mund të ketë diçka të ngjashme nga ana e jashtme e xhamisë, por nuk mendoj se do të jetë kopje e xhamisë së Bejazitit”,- na tha Hoxholli.

Më pas ai na tregoi se trualli ku do të ndërtohet xhamia e re e Tiranës, nuk ka të njëjtën formë dhe përmasë me atë të xhamisë së “Bejazitit”, që sipas tij, do të thotë se nuk mund të jetë e njëjta. E megjithatë ai, nuk hedh poshtë mundësinë e një ngjashmërie të madhe mes dy xhamive. Në projektin e xhamisë së Tiranës është parashikuar që kupola qendrore, e cila do të jetë 30 metra e lartë, do të rrethohet nga katër minare.

Lartësia e tyre do të jetë 50 metra. Po kështu edhe xhamia e “Bejazitit” është realizuar me një kupolë qendrore që rrethohet nga katër minare.Ngjashmëria është aq e madhe sa mund të themi se kemi të bëjmë me një kopje. Ilir Hoxholli, na shpjegon gjithashtu edhe strukturën e brendshme, e cila pritet që të jetë ajo që do të bëjë ndryshimin nga xhamia turke.

Në përbërjen e kësaj ndërtese, pritet që të ketë një sallë të madhe konferencash. Kjo sallë do të arredohet në mënyrë të atillë që të mirëpresë më shumë se 300 persona. Kjo ndërtesë do të mirëpresë rreth 5000 besimtarë që dëshirojnë të falen dhe të kryejnë ritet fetare. Hoxholli, tregoi se xhamia e re e Tiranës do të ketë një bibliotekë të madhe dhe disa klasa për mësimdhënie. “Xhamia e madhe e Tiranës do të ketë muze, sallë konferencash, bibliotekë dhe klasa për të mësuar diçka mbi islamin. Ajo do të jetë një qendër e madhe, një kult fetar në Shqipëri”,- deklaroi ai për “Shekulli”-n./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›