Sot asnjë lajm tronditës nga drejtësia
Nuk kalon asnjë ditë pa një lajm tronditës nga drejtësia shqiptare. Sot për fat është fundjavë dhe nuk ka asnjë të tillë.
Kështu, një ditë më përpara u mor vesh se një biznesmen i akuzuar për skandalin e naftës virgine, ku pleksen interesat e njerëzve të kryeministrit në polici, është arratisur. Gjykata kishte vendosur masën liri me kusht, por kur policia nuk e ka gjetur biznesmenin Hajri Elezi kur ka shkuar në banesën e tij. Disa media thonë se pronari i Euroil mund të jetë larguar nga vendi.
Një ditë përpara kësaj, Gjykata e Lartë rrëzoi thuajse të gjithë procesin hetimor të prokurorisë për 21 janarin, duke i nxjerrë të pafajshëm gardistët. Sipas saj, ata kanë qëlluar, por nuk ka prova se kanë goditur trupa njerëzish.
E kështu një ditë lirohet një trafikant i shumëkërkuar turk, një ditë tjetër mësojmë se një tjetër i dënuar në Itali vjen këtu e përfiton dënim qesharak, një ditë mësojmë se si Ilir Metës po i bëhet gjyqi sipas dëshirës së tij, një ditë se si vidhen votat, etj.
Mund të thuhet pa frikë se drejtësia është në gjendjen e saj më të rëndë. Plumbin e fundit, atë që e vrau përfundimisht, e mori pas zgjedhjeve të vitit 2009. Më përpara edhe mund të flitej për ndonjë përpëlitje. Tani ajo ka vdekur. Nëse para vitit 2009, kryeministri çirrej për standardin e drejtësisë, tani nuk flet më asgjë. E ka varrosur përfundimisht.