Sot dita e Ujit të Bekuar, teologu Qosja: Hedhja e kryqit, simbolizon transformimin e njeriut

Çdo 6 janar, besimtarët ortodoksë kremtojnë festën e Ujit të Bekuar, e njohur si Epifania, e cila përkujton pagëzimin e Jezu Krishtit në lumin Jordan dhe shënon një nga festat më të rëndësishme të kalendarit liturgjik.
Kjo ditë shoqërohet me ritualin simbolik të hedhjes së kryqit në ujë, i cili më pas kapet nga besimtarët. Ky veprim përfaqëson pastrimin shpirtëror, bekimin dhe ndriçimin hyjnor..
Teologu Dhimitër Qosja, në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, theksoi se hedhja e kryqit në ujë është dëshmi e pranisë së Perëndisë në botë.
“Kryqi në ujë na tregon se Perëndia vjen në kaosin natyror dhe shfaq praninë e Tij. Epifania është dita kur Zoti hyn publikisht në komunikim me njerëzit përmes Jezu Krishtit”, u shpreh Qosja.
Sipas tij, 6 janari shënon momentin kur, përmes pagëzimit të Krishtit, “qiejt hapen” dhe Perëndia shfaqet jo si nocion abstrakt, por si prani e gjallë dhe komunikuese. Ai kujtoi se në fillimet e krishterimit, kjo festë kremtohej së bashku me Krishtlindjen.
“Nuk përkujtojmë thjesht një ngjarje të ndodhur para më shumë se 2 mijë vitesh, por marrim pjesë në një përjetim të gjallë shpirtëror”, theksoi teologu.
Duke shpjeguar simbolikën e hedhjes së kryqit, Qosja nënvizoi se uji në Bibël mbart edhe kuptimin e kaosit, ndërsa bekimi i tij tregon se Perëndia e shenjtëron dhe e transformon natyrën.
“Njerëzit që zhyten në ujë këtë ditë nuk e bëjnë për fat apo thjesht si ritual mistik. Zhytesh në ujë do të thotë të zhytesh në frymën e Zotit, e cila synon transformimin shpirtëror të njeriut”, përfundoi ai.
/rtsh.al/