Sot festohet 20- vjetori i krijimit të PS-së
TIRANE- Partia Socialiste feston sot 20-vjetorin e krijimit të saj. Për këtë ditë, selia rozë ka marrë të gjitha masat që sot pasdite, të ftojë një numër jo të vogël, mbi 700 veta, në një ceremoni festive. Një ditë më parë u konfirmua për Panoramën se kishte një ftesë edhe për themeluesin e PS-së, Fatos Nano, por që në numrin e sotëm të Panoramës kjo ftesë është hedhur poshtë nga Nano. Ai ka thënë se nuk ka mbërritur asnjë ftesë në adresë të tij.
Ish-sekretari i Përgjithshëm dhe nënkryetari i saj e më pas kryetar i Kuvendit, Servet Pëllumbi, ish-presidenti Rexhep Meidani, njeriu që bëri kthesën në kongresin e themelimit të PS, shkrimtari i njohur Dritëro Agolli, kanë marrë ftesa të veçanta për të qenë të pranishëm në këtë ceremoni festive.
Nuk janë lënë jashtë liste dhe personalitete akademike, Ylli Popa, Arben Puto etj., kostitucionalistë, si Luan Omari, Njazi Jaho, juristë, historianë si Kristo Frashëri e shumë të tjerë. Nuk mungojnë në këtë festë dhe trupi diplomatik i akredituar në Tiranë, por edhe përfaqësues të partive politike pjesë të koalicionit Aleanca për të ardhmen.
Më shumë se 700 të ftuar
Selia rozë ka ftuar në ceremoninë festive të së dielës më shumë se 700 të ftuar. Burime pranë Partisë Socialiste pohuan dje se të ftuarit i përkasin jo vetëm politikës, por edhe fushave të ndryshme të jetës social kulturore, shoqërisë civile etj. Dhe pse programi i aktivitetit mbahet sekret nga organizatorët, mësohet se do të ketë një fjalë të rastit të kryetarit socialist Rama, por dhe një përshëndetje të një prej personaliteteve të PS ndër vite. Të pranishëm pritet të jenë dhe përfaqësuesit kryesorë të trupit diplomatik në Shqipëri, ndërsa organizatorët janë munduar që listës së të ftuarve të mos i mungojë asnjë nga figurat e njohura dhe pak të njohura të mandatuara të Partisë socialiste. Ish-deputetë, ish-kryetarë bashkish dhe komunash e prefektë do të jenë në këtë festë.