E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot jepet vendimi për RroshinAvokati: Është një provokim

TIRANE - Një ngjarje e paprecedentë ndodhi mesditën e të shtunës në Kavajë gjatë ndeshjes Besa-Tirana ndërkohë që kryetari i Bashkisë së Elvis Rroshi, sipas dokumentit të policisë u arrestua në “flagrancë” në komisariatin e Kavajës pas një denoncimi të trajnerit të Tiranës Nevil Dede.

Ndeshja që përfundoi me rezultatin 2 me 1 në favor të Kavajës, është kthyer nga një ndeshje e thjeshtë futbolli, në një sherr “politik”, ndërkohë që Tirana është në pronësi të bashkisë së Tiranës, me kryetar Lulzim Bashën.

“Arrestimi i shtetasit Elvis Rroshi u krye sepse në datën 10.03.2013 rreth orës 14.45 ky shtetas gjatë zhvillimit të ndeshjes së futbollit të super Ligës midis Besës së Kavajës dhe S.K Tirana, kryebashkiaku me një shtetas tjetër ka goditur me grusht trajnerin e ekipit të Tiranës shtetasin Nevil Dede, duke i shkaktuar dëmtime në trup.

Vepra penale e parashikuar nga neni 237 i Kodit Penal. Të arrestuarit në flagrancë iu bë e ditur bazuar në nenin 255 të Kodit të procedurës” shkruan oficeri i policisë gjyqësore Elban Zavalani në dokumentin e arrestimit.

NGJARJA

Sipas dëshmitarëve në stadiumin e Besës së Kavajës, dhe një fotoje që qarkulloi ditën e pardjeshme dhe të djeshme në internet, trajneri i Tiranës Nevil Dede, nga vendqëndrimi i tij në fushë, ka ngritur dorën grusht, me shenjën komuniste, duke iu drejtuar tifozëve në tribunë por edhe zyrtarëve që ishin aty, mes të cilëve dhe kryebashkiaku Rroshi. Në foto, duket qartë xhesti i Nevil Dedes, i cili vetëm ditën e djeshme për shqiptarja.com thotë se nuk e ka bërë një gjest të tillë.

Pas kësaj, kryebashkiaku Rroshi ka zbritur në dhomën e zhveshjes, ku Nevil Dede pretendon se është qëlluar prej tij dhe ka dëmtime në trup. Nevil Dede, pasi përfundoi ndeshja, ka shkuar në komisariatin e policisë së Kavajës duke bërë kallzim ndaj kryebashkiakut.

Elvis Rroshi, rreth orës 17.00 është paraqitur vetë në komisariatin e Kavajës, për të bërë kallzim ndaj provokimit të Nevil Dedes, por kryebashkiaku i Kavajës nuk doli më nga komisariati dhe ndaj tij u vendos masa e arrestit në flagrancë.

PRETENDIMI I AVOKATIT

Plarent Ndreca, avokat, ditën e shtunë, deri në orën 22.30 të mbrëmjes, ka qëndruar përpara komisariatit të Kavajës dhe nuk është lejuar të takohet me klientin e tij. Po në këtë orë, dy furgona të blinduar policie, kanë çarë mes një turme prej gati 600 qytetarësh, që ishin përpara komisariatit duke kërkuar lirimin e kryebashkiakut, duke e marrë Rroshin dhe duke e dërguar në drejtorinë e Policisë së Tiranës.

Ditën e djeshme avokati Ndreca, i ka dërguar një letër prokurorit të përgjithshëm Adriatik Llalla, prokurorit të Kavajës Besnik Muçi dhe Avokatit të Popullit Igli Totozani.

“Arrestimi i kryeqytetarit të Kavajës dhe heqja e lirisë së tij, është një akt mjaft i rëndë i cili cenon në mënyrë të drejtpërdrejtë jo vetëm liritë dhe të drejtat e tij individuale kushtetuese, por njëkohësisht cenon po aq rëndë interesat e institucionit të Bashkisë së Kavajës që ai drejton e rrjedhimisht dhe interesat e qytetarëve të Kavajës të cilët e kanë zgjedhur në mënyrë plebishitare për administrimin e punëve të qytetit të tyre” shkruan Ndreca në letër duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të kryebashkiakut.

Skadimi i afateve të daljes para gjykatës për të bërë vlerësimin e masës së arrestit është ditën e sotme në orën 18.00, ndërkohë që ditën e djeshme, Ndreca thotë se është takuar me klientin e tij, kryebashkiakun e Kavajës dhe më vonë do të ketë takim me prokurorin.

PËRKEQËSIMI I SITUATËS

Mbrëmjen e të shtunës, situata u përkeqësua përballë komisariatit të Kavajës. Qytetarët që kërkonin lirimin e kryebashkiakut, u qëlluan me shkopinj gome nga punonjësit e forcave speciale, të cilët ndërhynë për të shpërndarë turmën.

U dhunuan disa persona duke u qëlluar me shkopinj gome, ndërsa të paktën 7 persona të tjerë u arrestuan për “tubim të paligjshëm”. Turma e njerëzve ka qëndruar më shumë se katër orë përballë komisariatit dhe u shpërndanë vetëm pasi Elvis Rroshi u dërgua drejt Tiranës.

Në reagimet e tyre kandidati për deputet Alfred Peza e konsideroi arrestimin një akt të pastër politik të qeverisë kundër një kryebashkiaku të majtë që ka fituar zgjedhjet në një bastion të djathtë, ndërsa deputeti Dash Peza, akuzoi uniformat blu për dhunën e ushtruar ndaj qytetarëve që nuk kanë bërë asgjë të jashtëligjshme.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 12.02.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›