E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli, Luksic: Koha për bashkëpunim në projekte madhore rajonale”

11-03-2013 / Gazeta 55

Kryetarja e Kuvendit takon zv/kryeministrin e Malit të Zi, Igor Luksic
 
Bashkëpunimi konkret në projekte madhore, si e vetmja mënyrë për ecur drejt zhvillimit, stabilitetit dhe anëtarësimit në Bashkimin Europian ishte tema kryesore e takimit që Kryetarja e Kuvendit Jozefina Çoba Topalli pati sot me Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Integrimit Evropian të Malit të Zi, Igor Luksic.
Pasi vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, zoti Luksic tha se është shumë e rëndësishme që vendet e rajonit të koordinojnë përpjekjet e tyre dhe të lobojnë për projekte infrastrukturore me rëndësi për të gjithë rajonin. Në këtë kuadër zoti Luksic e njohu Kryetaren e Kuvendit me nismën më të fundit për nënshkrimin e një memorandumi bashkëpunimi mes vendeve të rajonit.
“Përveçse të qenit vende anëtare të NATO-s, Shqipëria dhe Mali i Zi ndajnë gjithashtu të njëjtën aspiratë për anëtarësim në Bashkimin Europian. Është hera e parë që vendet e rajonit po flasin me një zë. Vetëm nëse jemi bashkë do të ecim përpara dhe na takon ne të bëjmë diçka,” tha Zëvendëskryeministri i Malit të Zi.
Duke ndarë të njëjtin vlerësim, Kryetarja e Kuvendit nënvizoi se ka ardhur koha që marrëdhëniet politike mes dy vendeve të përkthehen edhe në bashkëpunim për projekte të mëdha të përbashkëta në ekonomi, infrastrukturë, energji, turizëm, etj.
“Vendet tona duhet të bashkëpunojnë dhe të lobojnë për integrimin e tyre në Bashkimin Europian. Bashkëpunimi mes vendeve tona, sidomos në këtë moment të krizës globale, është jetik. Projektet konkrete në ekonomi, infrastrukturë, energji, turizëm, etj., në vitet e ardhshme sjellin zhvillim dhe zhvillim do të thotë siguri, stabilitet dhe më shumë mirëqenie për qytetarët,” tha zonja Jozefina Çoba Topalli.
“Jam shumë e kënaqur që vendi juaj po përparon në këtë proces. Fatkeqësisht, statusi i vendit kandidat për Shqipërinë mbetet i bllokuar për shkak të mosvotimit të tre ligjeve nga opozita. Personalisht ndihem e trishtuar, pasi mosmarrja e statusit bllokon hapa të tjerë që rëndësishëm që Shqipëria duhet të hedhë për të realizuar aspiratën e saj drejt Bashkimit Europian,” tha zonja Jozefina Çoba Topalli.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›