E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ja çfarë thonë protagonistët eincidentit të ndodhur në Kavajë

Duka: Incidentet skandaloze,
futbolli në kohë të vështirë

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka ka reaguar përherë të parë pas incidenteve që kanë ndodhur ditët e fundit në Gramsh dhe Kavajë. Njëshi i organit më të lartë të futbollit në Shqipëri ka dënuar aktet e dhunës duke i cilësuar si të papranueshme. Në një prononcim për gazetën 'Shqiptarja.com', Armando Duka deklaron se "Futbolli shqiptar ndodhet në një moment shumë të vështirë, po i vjen fundi, pasi nuk po dinë si ta drejtojnë. Këto incidente që po ndodhin nga java në javë janë tepër skandaloze. Më vjen shumë keq që po e shikojmë futbollin shqiptar në këtë kohë tepër negative" përfundon presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit. Theksojmë që më herët shefi i garave ë FSHF, Besnik Çela ka deklaruar se i gjithë faji për atë që ndodhi në Kavajë është i policisë së Shtetit, pasi nuk siguroi mbarëvajtjen e ndeshjes. Nesër pritet që Komisioni i Disiplinë të marrë një vendim për dy ngjarjet e fundit në futboll.

FSHF, shefi i garave Çela:
Faji i Policisë së Shtetit

Shefi i sektorit të garave në Federatën Shqiptare të Futbollit, Besnik Çela pas ngjarjes së ndodhur në Kavajë në pushim të ndeshjes mes ekipit të Besës dhe Tiranës ka reaguar për ‘Shqiptarja.com’ duke deklaruar se e gjithë kjo histori ndodhi për shkak se njëra nga hallkat e funksionit të shtetit ka dështuar në realizimin e detyrës. “Nëse policia e shtetit do të kishte kryer detyrën e saj, atëherë nuk do të kishte ndodhur jë incident i tillë. Por duke qenë se njëra nga hallkat nuk ishte në nivelin e duhur ndodhën të gjitha ato që pamë. Përsa i përket vendimit që do të merret do të zbardhet në mbledhjen e Komisionit të Disiplinës” deklaron Bsnik Çela.

Delegati i FSHF, Hitaj:
Ndeshja ishte korrekte

I pranishëm në ndeshjen Besa-Tirana ishte vëzhgues Hito Hitaj nga Federata Shqiptare e Futbollit. Hitaj në një prononcim deklaroi se rasti do të shqyrtohet, por nuk mendon se Tirana do të fitojë ndeshjen në tavolinë, pasi gjithcka brenda fushës ka qenë e rregullt. ‘Përsa i përket incidentit që pretendohet se ka ndodhur në dhomat e zhveshjes nuk kam parë asgjë, mund të flas vetëm për atë që kam parë që ka ndodhur në fushë. Mendoj që ndeshja ishte e rregullt dhe incidentet e vogla që ndodhën në fushë nuk do t’i japin Tiranës fitoren në tavolinë. Megjithatë në relacionin pas ndeshjes që do të zbardhet do të vlerësohet gjithcka është deponuar për atë që ka ndodhur’ përfundon Hitaj

Tirana kërkon fitoren në tavolinë:
Gjendja psikologjike solli humbjen

Ekipi i Tiranës pas incidenteve në ndeshjen me Besën ku pretendohet se është goditur trajneri Dede nga kryebashkiaku Elvis Roshi ka dorëzuar në Federatën Shqiptare të Futbollit një relacion ku shpjegon sipas versionit të saj gjithcka që ka ndodhur dhe kërkon ndeshjen në tavolinë. 24-herë kampionët e vendit kërkojnë fitoren në tavolinë duke u nisur nga fakti që presioni që është ushtruar në dhomat e zhveshjes në pushim të ndeshjes ka ndikuar që ekipi të marrë humbjen 2-1. ‘Ndikimi psikologjik që ka shkaktuar presioni i ushtruar nga kreu i Bashkisë së Kavajës Elvis Roshi kundrejt trajnerit të ekipit të Tiranës, Nevil Dede ka ndikuar në gjendjen e ekipit në pjesën e dytë duke kushtëzuar edhe rezultatin e sfidës së javës së 18- të kategorisë Superiore’. Kjo mësohet se është kërkesa e ekipit bardheblu drejtuar institucionit më të lartë të futbollit në Shqipëri.

Tirana, Lika: Nuk e pashë
incidentin, pyesni trajnerin

E ndërsa stafi drejtues i ekipit drejtues të Tiranës ka deklaruar se goditjen që mori Nevil Dede dhe një pjesëtar i stafit nga Roshi e kanë parë të gjithë futbollistët, një nga protagonistët Gilman Lika deklaroi se nuk kishte parë asgjë dhe se për këtë duhet të pyetet trajneri. “Kam dëgjuar se incidenti ka ndodhur në pushim të ndeshjes, por unë nuk kam parë asgjë, pasi kam qenë në dhomat e zhveshjes dhe i inpenjuar maksimalisht për atë që ndodhte në fushën e lojës, sepse pjesa e parë u mbyll në avantazhin e ekipit të Besës dhe kjo gjë na shqetësonte. Për atë që ka ndodhur mund të pyesni trajnerin dhe stafin drejtues” deklaron Lika. Shkodrani ishte autori i golit të vetëm për ekipin e Tiranës përballë ekipit të Besës.

Daiu: Roshi i pafajshëm, Dede
provokoi, FSHF me dy standarde

Trajneri i ekipit të Besës së Kavajës, Përparim Daiu ishte të dielën një nga protagonistët e ndeshjes, pasi arbitri i Hoxha e largoni nga bankina pasi grindjes me futbollistin e Tiranës Muca. Mirëpo Daiu deklaron se vendimi nuk ishte i drejtë. “Arbitri veproni në mënyrë të njëanshme me vendimin, Muca e meritonte të largohej me të kuq, pasi ofendoi bankinën dhe tifozerinë”. Përsa i përket incidentit të pretenduar, Daiu shprehet se kurrsesi nuk është e vërtetë një gjë e tillë. ‘Absolutisht që nuk ështe vërtetë, Roshi nuk është nga ata persona që deklarohet nga drejtuesit e Tiranës. Ai është një njeri futbolldashës, madje ka paguar edhe gjobën 18 mln lekë të FSHF për zhvillimin e ndeshjes jashtë. E gjithë historia është një alibi për humbjen dhe uroj që të mos një inskemin politik kundër Elvis Roshit. Ndeshja brenda fushës ka qenë korrekte dhe brenda standardeve, kështu që nuk mendoj që duhet të diskutohet rezultati i ndeshjes, Dede provokoi tifozët, Federata duhet të largohet nga vendimet me dy standarde dhe të japë një vendim të drejtë për incidentet që kanë ndodhur” përfundon Daiu.

Provokimi me grusht lart,
Nevil Dede: Nuk e mbaj mend

“Nuk mbaj mend që tifozëve të ekipit të Besës u jam drejtuar me grushtin lart si në kohën e komunizmit” kjo është deklarata e trajnerit të ekipit të Tiranës Nevil Dede për ‘Shqiptarja.com’ pas fotove që janë publikuar në televizionin A1 REPORT të trajnerit të Tiranës. Dede në foton e publikuar është drejtuar nga tifozët dhe tribuna përballë e ekipit të Besës me grushtin lart duke i provokuar dhe cilësuar si komunistë. Kaq ka mjaftuar që të nxehen gjakrat.

Z. Dede televizioni A1 REPORT ka publikuar një foto ku ju u drejtoheni tifozëve të ekipit të Besës së Kavajës dhe kreut të Bashkisë, Elvis Roshi me grushtin lart. Cfarë komenti keni për këtë gjest që keni bërë?

Nuk është e vërtetë që ju deklaroni, pasi nuk mbaj mend që të kem bërë një veprim të tillë kundrejt tifozerisë së ekipit të Besës dhe drejtuesve në shkallët e stadiumit. Ajo që unë kam bërë në këtë ndeshje është udhëzimi ndaj futbollistëve në fushë për të marrë një rezultat pozitiv dhe asgjë tjetër.

Por fotoja tregon qartë gjestin tuaj pranë bankinës i kthyer përballë publikut nga shkallët e stadiumit…

E përsëris edhe njëherë që një gjë e tillë nuk është e vërtetë dhe se nuk e mbaj mend ta kem bërë këtë gjest, e mohoj.

A keni pasur presione pas deponimit të kallëzimit penal në komisariatin e policisë dhe a do ta tërhiqni kallëzimin?

Jo, nuk kam pasur asnjë presion nga askush dhe jam i vendosur që të mos e tërheq kallëzimin që kam bërë në polici. Elvis Roshi ka goditur institucionin, ekipin e Tiranës, përpara Nevil Dedes. Kështu që nuk bëj asnjë hap pas vendimit që kam marrë.

Ka zëra që e vlerësojnë këtë si alibi për humbjen apo cështje politike, cila është mes të dyjave?

Ju siguroj që nuk është asnjëra prej të dyjave, pasi ngjarja ndodhi në pushim të pjesës së parë dhe është dicka e vërtetë nuk është shpifje. Ndërsa më vjen keq që ka marrë ngjyrim politik,

Tifozët e Partizanit-Tiranës:
Hajduti thotë kapeni hajdutin

Pas incidenteve në Kavajë kanë reaguar edhe tifozët e Partizanit në ‘Facebook’ duke dënuar për sulmet ekipin e Tiranës.
“Shumë e rrallë. Një Kryebashkiak i arrestuar për arsye se ka goditur trajnerin e Tironës. Nuk diskutoj se është e vërtetë apo jo. Por Dash Sula, Pashk Laskaj dhe Besnik Kapllanaj, duhet të ishin dënuar me burgim të përjetshëm sepse kanë kërcënuar ,dhe goditur me armë. Nejse, e kisha kete shkrim me Tironën. Nuk e kuptoj se cfarë kërkojnë. Hajduti thotë kapni hajdutin. Para ca kohësh në tempullin e futbollit shqiptar ne Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” ai që foli për prishjen e imazhit të Tironës ,i ra me grusht një futbollisti të Dinamos. Dhe sot e kësaj ditë është drejtor i klubit. Për cfarë imazhi dhe ndershmërie flasin ata, që janë të menderosur. Por këtu është futur politika në mes. TRE të mësipërmit, janë të djathtë, dhe nuk është bërë bujë. Ndërsa ky i Kavajës është në kahun tjeter, ndaj bëhet gjithë kjo zhurmë. Megjithatë nuk pajtohem kurrësesi me veprimin e Kryebashkiakut dhe veprimin e trajnerit të Tironës, sepse ai ka qenë sebepi. Të dy duhet të përjashtohen për disa vite nga futbolli. Vetem keshtu vihet rregull” përfundon deklarata e tifozëve të ekipit të kuq.

Në 2010 Tafaj goditi
me grusht Elis Bakajn

Pas incidentit të pretenduar nga trajneri i Tiranës në Kavajë, ka dalë në një komunikim për mediat edhe drejtoi teknik i klubit, Alban Tafaj duke e cilësuar këtë si një goditje ndaj ekipit të Tiranës, që është një institucion. Por Tafaj ka një histori të pasur në vitin 2010 me një incident të ndodhur në ndeshjen me ekipin e Dinamos në datë 26 janar në stadiumin kombëtar ‘Qemal Stafa’. Asokohe në minutat e fundit të ndeshjes, saktësisht në minutën e 86’ trajneri i Tiranës, Alban Tafaj është përfshirë në sherrin mes futbollistit të Dinamos, Elis Bakaj dhe kapitenit të Tiranës Devi Muka. Tafaj ka goditur me grusht Elis Bakaj, ky i fundit në fund të ndeshjes përfundimit në spital, pasi mori plagë. Pas asaj ngjarje trajneri i Tiranës, Tafaj u dënuar nga komisioni i Disiplinës me 1 vit pezullim nga të gjitha aktivitetet sportive. Ndërsa Muka u dënua me 8 ndeshje.

FK Tirana: Incidenti
të dënohet nga të gjithë

Ekipi i Tiranës ka mbajtur një konferencë për shtyp dje ku ka dënuar edhe njëherë sulmet ndaj Dedes.
Luigj Bytyci anëtar i Bordit të Tiranës deklaron se “ Jam i indinjuar me atë që ndodhi në Kavajë, u godit institucioni dhe miqësia me qytetin e Kavajës. Kjo ngjarje do të lërë shumë pasoja”. Ndërsa Sulejman Mema ka deklaruar se “ Problemet vijnë nga drejtues klubesh pa kulturë, nuk janë futbollistët, por drejtuesit që njollosin futbollin”. Indrit Fortuzi shkon më tej në deklaratën e tij duke kërkuar që për për këtë incident të reagojmë të gjithë, futbolli nuk i ndan njerëzit dhe ta dënojnë.

Besa: Incidenti alibi
për humbjen e Tiranës

Përgënjeshtrojmë drejtuesit e KF.Tirana mbi pretendimet e tyre për humbjen e ndeshjes në Kavajë.
Ndeshja ka qenë tepër e luftuar në fushe dhe shume korrekte dhe s’ka te beje aspak me egzagjërimet që përfliten. Mjafton te shihni fotografinë provokuese të trajnerit te Tiranes qe nderon me grushtin e majte i kthyer nga tribunat e spektatoreve për të kuptuar se as publiku, as kryebahkiaku Rroshi, nuk janë fajtorë për incidentet. Ai grusht i ngritur është shume më i rëndë sa ofendimet që i janë bërë Besës dhe futbollit të saj më shumë tradita në qytet e tjera. Alibia që ngre Klubi Tirana është thjesht justifikim për humbjen në pjesën e parë dhe të tërë lojës. Madje para starit të pjeses së dytë futbollisti i Tiranes Gentian Muca, ofendon dhe provokon stafin drejtues te Besës dhe futbollistet e tifozët kavajas. Ndërsa arbitri nxjerr nga fusha trajneri Daiu, moment tjetër precedenti ky për ti “hedhur benzine zjarrit” përfundon deklarata e ekipit të Besës.

Shqeu portat e stadiumit me makinë,
Kryebashkiaku: Ishte kurth për vota

Kreu i Bashkisë së Gramshit Dritan Bici pas ngjarjeve që ndodhën ditën e shtunë në stadiumin e qytetit do të ndiqet në gjendje të lirë. “Në radhë të parë dëshiroj që t’ju kërkoj falje të gjithë qytetarëve të Gramshit për ngjarjen që ndodhi të shtunën. Incidenti ishte një kurth i përgatitur nga sekserët që trukojnë ndeshjet e futbollit dhe zyrtarët e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe e gjithë kjo bëhet për vota. Madje qeveritarët kërkuan vota që të mbyllin cështjen” deklaron Bici, i cili vazhdon më tej duke thënë se “Ne kryebashkiakët kurrë nuk kemi qenë pjesë e pazareve në futboll. Punonjësit e bashkisë pa rroga, ndërsa futbolli i mbështetur me 130 mln lekë" përfundon Bici. Të shtunën në përfundim të ndeshjes me ekipin e Mamurrasit kreu i Bashkisë, Bici është futuar ma makinë në fushë duke shqyer portat e stadiumit.

Ekipet e dënuara

27 shtator 2011- Tomori u dënua me zhvillimin e katër ndeshjeve pa praninë e shikuesve dhe me 300 mijë lekë gjobë, për shkak të sjelljes së gabuar të tifozëve.

2 nëntor 2011– Bylisi, për shkak të hedhjes së gurëve ndaj zyrtarit të ndeshje, me pasojë dëmtimin fizik, u dënua me katër ndeshje pa shikues dhe 1.5 milionë lekë gjobë.

7 dhjetor 2011– Laçi, për dështim të organizimit të ndeshjes dhe dhunimin e zyrtarëve kundërshtarë, u dënua me zhvillimin e ndeshjeve të mbetura të sezonit futbollistik në fushë asnjëanëse dhe me heqjen e gjashtë pikëve.

21 dhjetor 2011– Pogradeci u dënua me zhvillimin e të gjitha ndeshjeve të si pritës në fushë asnjanëse dhe pa shikues, për shkak të dhunimit të zyrtarëve të ndeshjes. Pogradecit iu hoqën dhe tri pikë nga renditja.

3 shkurt 2012–Skënderbeu, për hedhje të sendeve të forta në fushën e lojës duke shkaktuar goditje të zyrtarit të ndeshjes dhe ndërprerje të përkohshme të lojës u dënua me zhvillimin e tetë ndeshjeve jashtë fushës.

28 mars 2012– Lushnja, për hedhje të sendeve të forta në fushë, u dënua me një ndeshje pa praninë e shikuesve. Këlcyra dhe Naftëtari, nga 2 ndeshje.

6 prill 2012– Skrapari, për akte dhune ndaj zyrtarëve dhe ndërprerjen e përkohëshme të ndeshjes, u dënua me gjashtë ndeshje pa praninë e shikuesve.

19 prill 2012 - Lushnja, për hedhje të sendeve të forta në fushë, u dënua me një ndeshje pa praninë e shikuesve.

19 prill 2012 – Skrapari për akte dhune ndaj zyrtarëve dhe ndërprerjen e ndeshjes, u ndëshkua me heqjen e 3 pikëve, humbjen e ndeshjes 3-0 dhe tetë ndeshje në fushë asnjanëse.

26 prill 2012– Gramshi, për hedhje të sendeve të forta në fushë, u dënua me një ndeshje pa praninë e shikuesve.

3 maj 2012– Besëlidhja për hedhje të sendeve të forta me pasojë ndërprerjen e ndeshjes u ndëshkua me katër ndeshje pa praninë e shikuesve.

Zyrtarë dhe trajnerë të pezulluar

15 shtator 2011 - Zyrtarët Tiranës, Refik Halili dhe Riza Hicka, për sjellje të keqe ndaj zyrtarëve të ndeshjes së Superkupës së Shqipërisë, u pezulluan me nga tetë ndeshje secili dhe nga 500 mijë lekë gjobë.

27 shtator 2011 – Trajneri i Apolonisë, Stavri Nica, për përhapje të fakteve të pavërteta ndaj zyrtarëve të FSHF-së u pezullua tre muaj dhe u gjobit me 300 mijë lekë.

27 shtator 2011 – Zv. trajneri i Pogradecit, Thanas Papa, për thirrje të braktisje të ndeshjes nga ekipi i tij, u dënua me 12 muaj pezullim dhe 200 mijë lekë gjobë.

5 tetor 2011 – Trajneri i Himarës, Luan Birçe, për sulm dhe dhunë ndaj zyrtarëve u dënua me 24 muaj pezullim nga aktivitetet sportive dhe 250 mijë lekë gjobë.

2 nëntor 2011– Presidenti i Flamurtarit, Shpëtim Gjika, për sjellje të keqe ndaj zyrtarëve, në ndeshjen Bylis-Flamurtari, u pezullua tetë ndeshje dhe u gjobit me 500 mijë lekë.

2 nëntor 2011 - Spektatori Dashnor Sula për fyerje të zyrtarëve të ndeshjes, Laçi-Shkumbini, u pezullua tetë ndeshje nga aktivitetet.

9 nëntor 2011– Presidenti i Besëlidhjes, Gjok Noka, për sjellje jo sportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes u dënua me tetë javë pezullim.

9 nëntor 2011– Trajneri i Bylisit, Naxhi Shensoi, për sjellje të keqe ndaj zyrtarëve të ndeshjes, u pezullur me dy ndeshje.

23 nëntor 2011 – Zyrtari i Flamurtarit, Përparim Lushaj, për sjellje të keqe dhe provokim të kundërshtarit, u pezulluar tri ndeshje.

7 dhjetor 2011- Presidenti i Laçit, Pashk Laska, si dhe zyrtarët Ardian Laska dhe Kastriot Rama, për dhunë ndaj zyrtarëve të ndeshjes u pezulluan 24 muaj dhe u gjobitëm me nga 500 mijë lekë.

21 dhjetor 2011 – Trajneri i Pogradecit, Ylli Çekiçi, për sjellje jo sportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes u pezullua me tetë ndeshje dhe 100 mijë lekë gjobë.

21 dhjetor 2011 – Trajneri i Domosdovës, Erald Karriqi, u pezullua tetë javë dhe 100 mijë lekë gjobë, ndërkohë që zyrtari i këtij klubi, Asqeri Karriqi, për dhunë u dënua me 18 muaj dhe 100 mijë lekë gjobë.

3 shkurt 2012 – Zv. trajneri i Skënderbeut, Lorenc Hysi, për sjellje të keqe ndaj kundërshtarit, u pezullua e dy ndeshje dhe me 100 mijë lekë gjobë.

3 shkurt 2012– Shefi i klubit të Flamurtarit, Geri Çipi, për nxitje të braktisjes së ndeshjes u pezullua 12 muaj nga aktivitetet futbollistike.

28 mars 2012 - Trajneri i Vlorës, Albert Haxhia, për ofendim të zyrtarëve të ndeshjes dënohet me tetë ndeshje pezullim nga aktiviteti.

6 prill 2012– Trajneri i Kastriotit, Ramadan Ndreu, për shkak të fyerjeve të përsëritura ndaj zyrtarëve të FSHF-së, u dënua me dy ndeshje pezullim dhe 100 mijë lekë gjobë.

19 prill 2012 – Trajneri i Kastriotit, Ramadan Ndreu, për shkak të fyerjeve të përsëritura ndaj zyrtarëve të FSHF-së, u dënua me përjashtim përjetë nga aktivitetet futbollistike.

19 prill 2012 – Zyrtari i Skraparit, Arian Kacille, dhe ai i Këlcyrës, Ilir Dervishi, u pezulluan nga tetë ndeshje për ofendim të zyrtarëve.

3 maj 2012 -Zyrtari i Kukësit, Saimir Xhetani për protestë dhe sjellje ofenduese ndaj zyrtarëve u pezullua dy ndeshje dhe u gjobit me 50 mijë lekë.

9 maj 2012 – Zv. presidenti i Shkumbinit, Dashnor Sula, për sjellje jo sportive ndaj zyrtarëve u pezullua me 10 ndeshje dhe 500 mijë lekë gjobë.

Dylber Balla

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›