E Diel, 1 Nëntor 2026

Sot kongresi i PS - Rama: Mos minoni garën, Meidani: Ndrysho statutin

 

Kryetari në detyrë i Partisë Socialiste, Edi Rama, në një intervistë në “Top Channel”, thyen heshtjen e gjatë vetëm një ditë para Kongresit të Jashtëzakonshëm të partisë, që mblidhet pas ndërprerjes së mandatit të tij nga humbja e zgjedhjeve të 28 qershorit. Rama kërkon që procesi zgjedhor në PS të jetë normal për çdo kandidat.
Ditët e fundit ka shumë zëra që kërkojnë moskandidimin tuaj për postin e kryetarit, në zbatim të një neni statutor të vendosur prej jush në kongresin e vitit 2007. Si i komentoni këto komente?
Dua ta theksoj shumë qartë. Unë kam propozuar vendosjen ne statutin e PS-së të nenit, që i ndërpret mandatin kryetarit në rast të humbjes së zgjedhjeve dhe që i imponon dorëheqjen e kreut të partisë. Mandati im është ndërprerë dhe unë jam një kryetar në detyrë dhe një kandidat për të udhëhequr PS-në për 4 vitet e ardhshme. Jam një kandidat për këtë detyrë sepse besoj që populli shqiptar në 28 qershor nuk ka votuar kundër projektit tonë politik, por largimin e Sali Berishës dhe deformimi i këtij vullneti bën që anëtarësia e PS-së të vendosë nëse ky projekt duhet të vazhdojë dhe nëse PS duhet të pranojë zgjedhjet e 28 qershorit si mjaftueshmërisht të lira e të ndershme për të pranuar dhe humbjen e njohur, legjitimitetin e kësaj qeverie, apo PS duhet të rezistojë ndaj kësaj maskarade zgjedhore.
Ju gjatë gjithë këtyre ditëve nuk keni folur përveç një interviste. Cili do të jetë qëndrimi juaj në kongres ndaj zërave kundër jush?
Kongresi do t’i ketë të gjitha arsyet për t’i dhënë mundësi pakicës të shprehet dhe të veprojë, por edhe shumicës të vendosë dhe të mos ndjehet e kërcënuar nga pakica. Unë nuk i jam përgjigjur baltës me baltë dhe mllefit me mllef kur ka qenë fjala për kundërshtarët e hapur politikë, të cilët nuk kanë kursyer as të gjallët dhe as të vdekurit e familjes time dhe asnjëherë as sot, as nesër nuk do ta bëj këtë gjë, jo e jo me njerëzit brenda partisë.
Si i shikoni pretendimet e disa anëtarëve të kryesisë se gara për kryetar në PS po delegjitimohet?
PS është pasuri e shqiptareve dhe se kjo pasuri nuk mund as të dhurohet dhe as të grabitet. Gara e secilit është individuale, ambiciet dhe qëndrimet e secilit janë të natyrshme dhe legjitime, por PS është një pasuri e të gjithëve dhe duhet të kujdesemi që ta bëjmë një pasuri të vlefshme për shqiptarët. Me këtë rast uroj që pozicionet e kundërta të mos kthehen në një arsye për të minuar atë që është më e rëndësishme, procesin zgjedhor në PS dhe garën.
Ju nesër do të shpallni kandidaturën tuaj për postin e kryetarit të PS-së. Keni ju një platformë konkurrimi?
Do të njiheni në kongres me platformën time për të drejtuar PS-në. Nga ana tjetër dua të ritheksoj se unë jam në këtë garë brenda PS-së për të vazhduar betejën me Berishën, betejën me politiken e vjetër që duke grabitur Shqipërinë, korrupton zgjedhjet dhe duke korruptuar zgjedhjet rimerr të drejtën për të grabitur Shqipërinë. Një qeveri që nxjerr në pah lidhje të vjetra, interesa të reja të asaj politike të vjetër, që tashmë është e bashkuar dhe e mishëruar jo thjesht në binomin Berisha-Meta, por në trinomin Berisha-Meta-Nano. Koha është e maskarenjve, por Shqipëria është e shqiptarëve. 

Blushi: 300 delegatë firmosin paketën statutore

Anëtari i kryesisë socialiste Ben Blushi në një intervistë për “Top Channel” i kërkon Ramës të mos bëhet pengesë për ardhjen e PS-së në pushtet dhe shprehet se kreu socialist nuk po mban asnjë nga premtimet që u dha shqiptarëve.
Zoti Blushi ju jeni një nga kritikët më të fortë ndaj Edi Ramës në lidhje me humbjen e zgjedhjeve dhe përgjegjësinë që ai ka për këtë rezultat?
Në radhë të parë, nuk kam vendosur të flas për hir të kritikës, por për hir të ndërgjegjes. Unë hyj tek ata njerëz që besojnë se e vërteta duhet të njihet siç është.
Ku ndahet qëndrimi juaj nga qëndrimi i zotit Rama apo dhe i personave të tjerë që i kanë dalë në mbrojtje për humbjen e zgjedhjeve?
Ndahem me ata njerëz që duan të gjejnë alibi për humbjen e zgjedhjeve dhe hyj tek ata që mendojnë se defektet duhen kërkuar tek PS, dobësia e programit, anemia e koalicioneve dhe gabimet personale të Edi Ramës. Gabimet e bëra nga Rama nuk duhet të jenë përgjegjësi të gjithë PS-së.
Ku do të përqendrohet diskutimi apo debati në seancën e kongresit të jashtëzakonshëm në lidhje me humbjen e zgjedhjeve të 28 qershorit?
Arsyet e humbjes së zgjedhjeve të 28 qershorit do të jenë të shtunën pika e parë e rendit të ditës në kongres. Do ishte naive dhe shumë e rëndë që në kongres të bëhet një gjyq politik për ata që mendojnë ndryshe. Ky kongres duhet të faktojë se për cilat arsye janë vjedhur votat dhe cilët janë ata që mes nesh janë shitur. Nëse kongresi nuk merret me këtë gjë, nuk do jemi bindës.
Nëse nuk kalon platforma juaj në kongres, cili do të jetë pozicioni juaj në PS pas këtij kongresi?
“Nuk ka arsye të ketë çarje. Çarjet brenda partive ndodhin kur rregullat nuk zbatohen. Kam ekspozuar me 300 delegatë një paketë që mund të gjenerojë një mirëkuptim brenda PS-së. Edi Rama nuk ka një projekt për ta çuar PS-në në fitore. Projekti i tij dështoi më 28 qershor. Do vazhdoj të jem kundër për standardet e dyfishta. Rama nuk ka me një projekt, sepse projekti i tij u votua në 28 qershor, ditë në të cilën nuk fituam.
Si e vlerësoni sjelljen politike të Edi Ramës në krye të PS-së në këto katër vjet dhe çfarë ishin ato që ai nuk bëri mirë?
Edi Rama premtoi bashkim, nuk ndodhi, premtoi programin, nuk ndodhi, premtoi dorëheqjen në rast humbje, nuk ndodhi, premtoi reformim, nuk ndodhi. Partia Socialiste po kthehet në të shkuarën e saj. Ka shumë njerëz që sot janë të trishtuar. Edi Rama ka një detyrim, nuk duhet të pengojë PS-në të mundë Sali Berishën. Edi Rama është kthyer në pengesë për rrugën tonë për t’u kthyer në pushtet.
Ju edhe pse jeni propozuar nga asambleja socialiste e Korçës, jeni tërhequr nga gara për kryetar pas mbledhjes së kryesisë. Përse ky vendim?
“Përsa kohë këto gjëra po mohohen, rikandidimi nuk ka shumë sens. Kam konstatuar se disa degë rrethesh kanë kaluar në konflikt për shkakun tim. Dua ta evitoj këtë sepse unë jap një arsye për t’u bashkuar shumë shpejt.

Meidani: Pro ndryshimeve në statut

Aristir Lumezi

Ish-presidenti Meidani mbështet paketën për ndryshimet statutore në PS. I kontaktuar dje nga gazeta “Panorama” tha se këto ndryshime duhet të ishin bërë shumë kohë më parë, pasi PS ka më shumë nevojë për kolegjialitet të përcaktuar saktë në rregulla. “Kemi 10 vjet që themi se duhen bërë ndryshime statutore për të rritur kolegjialitetin në parti dhe jo për të bërë një lider absolut”, u shpreh Meidani. Ish-presidenti, dikur sekretar i Përgjithshëm i PS-së, shprehet se këto propozime i ka dhënë që gjatë kohës që mbante postin e lartë në parti, por askush nuk i dëgjoi. “Janë çështje për të cilat kam folur që kur isha sekretar i Përgjithshëm, por dhe më vonë në media dhe forume, por nuk janë marrë seriozisht dhe kemi ardhur në këtë pikë”, u shpreh Meidani. Sipas tij, statuti duhet të jetë i përcaktuar qartë dhe saktë që në të ardhmen ai të mos bëhet objekt interpretimi. “Në këtë formë që është statuti ai luan rolin e fizarmonikës dhe lexohet sipas qejfit. Prandaj gjërat duhet të shkruhen qartë dhe të përcaktohen saktë të shkruara në nenet e tij dhe të mos i lihet vend nënkuptimit apo interpretimeve subjektive”, u shpreh ish-presidenti socialist. Rexhep Meidani shprehet se do të jetë prezent në seancën e parë të kongresit, kur do të jetë dhe pjesa e diskutimeve rreth shkaqeve, që çuan në humbjen e Partisë socialiste në zgjedhjet e 28 qershorit. Ish-presidenti ka qenë mjaft aktiv në jetën politike të PS-së gjatë këtyre katër viteve. ai ishte dhe president i bordit ekzekutiv të Fondacionit “Qemal Stafa” pranë PS-së, ndërsa nuk ka ngurruar të thotë hapur në forumet e PS-së, por dhe në media fjalën e tij për defektet apo mangësitë në bërjen e opozitës prej saj. Ish-presidenti ka kritikuar Edi Ramën për tezat e tij “Përtej të majtës dhe të djathtës”, apo dhe ato të Politikës së re, që sollën mjaft konfuzion në radhët e socialistëve, por dhe të elektoratit të majtë. Meidani ka qenë mjaft aktiv dhe në përpjekjet e bëra për bashkimin e së majtës para zgjedhjeve, përpjekje që u nënvlerësuan nga drejtuesit e PS-së, por dhe nga partitë e tjera të koalicionit zgjedhor të kryesuar nga socialistët.

Maqo Lakrori, kandidati i tretë për kreun e PS-së
Ish-sekretari socialist për marrëdhëniet ndërkombëtare, Maqo Lakrori, njëkohësisht dhe anëtar i Asamblesë Kombëtare, pritet të dorëzojë kërkesën e tij për të qenë përballë Edi Ramës dhe Arben Malajt për kreun e PS-së. Burime konfidenciale pohuan dje për gazetën se Lakrori ka gati platformën e tij të konkurrimit që do t’ia paraqesë sot kongresit. Në këtë mënyrë gara për kreun socialist bëhet interesante, pasi rritet konkurrenca brenda PS-së. Në garat e fundit për kryetarin socialist, Nano dhe Rama kanë pasur konkurrentë ish-kreun e PS-së Skrapar, Shkëlqim Meta, ndërsa kësaj radhe, garuesit përballë Ramës janë njerëz me lidhje të forta me socialistët. Lakrori është një ndër themeluesit e PS-së, e cila në kongresin e 1991 u transformua në një parti të re, duke u shkëputur nga origjina e saj, PPSH. Gjithnjë politikan i rangjeve të larta, por dhe intelektual dhe shkencëtar me doktoratura të mbrojtura në Francë, Lakrori ka shprehur veçanërisht vitet e fundit shqetësimet e tij rreth mënyrës se si PS po bënte opozitë. Në mbledhjen e fundit të Asamblesë Kombëtare para zgjedhjeve, Lakrori propozoi një platformë të guximshme, e cila synonte bashkimin e të gjithë të majtës në një parti ose federatë, ku gara të ishte e hapur për të gjithë. Sipas tij, kjo do të garantonte dhe maksimalizonte votën e majtë përballë Berishës. Kjo platformë u la në sirtarët e PS-së, ndërsa rezultati humbës erdhi dhe si shkak i përçarjes të së majtës. Një tjetër propozim i Lakrorit në formë platforme, dy vjet më parë që kishte të bënte me mendimin ndryshe dhe legalizimin e oponencës kolektive u rrëzua në asamble, duke sjellë si pasojë largimin nga PS të një grupi që krijoi PSV91. 

Malaj: Gara për kryetar, po përkeqësohet ambienti konkurrues

Kandidati për kreun e PS-së, Arben Malaj lë të hapur mundësinë e moskandidmit të tij për kreun e kësaj partie. Në një intervistë për VOA, Malaj thekson se në këtë betejë lideri aktual nuk duhet të përkeqësojë ambientin konkurrues.
Z.Malaj,si i konsideroni ju argumentet ndryshe, se këto ndryshime duhet të realizohen në një moment tjetër jo në kongres, duke iu nënshtruar një analize dhe një debati më të gjerë?
Sigurisht që statuti i PS-së mund të pësojë ndryshime apo përmirësime të vazhdueshme dhe në dinamikë, por qëndrimi kategorik kundra, aq më tepër një lloj solidariteti i një pjese të Kryesisë është i paargumentuar, kur e njëjta Kryesi për 30 minuta ndryshoi Kushtetutën e 3 milionë shqiptarëve. Ndërsa tani nuk jep një kompromis për të diskutuar dhe votuar dhe pastaj për të parë një rezultat konkret për Kushtetutën e saj që afekton 60-70 mijë shqiptarë, kur ky nuk do të jetë ndryshimi i fundit. Por qëndrimi ndaj këtyre propozimeve, ndaj mendimit kundër, kaq kategorik nuk është një mesazh i mirë qoftë për sfidat e PS-së, qoftë edhe për cilësinë e liderit aktual 
Zoti Malaj një rrëzim i mundshëm i paketës së propozuar, a mund t’ju çojë në një çarje të re PS-së?
As do ta dëshiroja, as do të angazhohesha. Por një gjë është fakt se nëse do të kemi një lloj qëndrimi kaq kategorik midis grupeve dhe mendimeve të ndryshme në PS, një kohezion i saj i brendshëm do të vonohej, një fitim i kredibilitetit publik do të vonohej dhe performanca e saj si forca kryesore e vendit qoftë në opozitë, qoftë në sfidat e shpejta elektorale si zgjedhjet vendore apo të përgjithshme do të jetë e cenuar rëndë dhe kjo do të ishte një përgjegjësi e madhe e liderit dhe lidershipit të PS-së. Ne duhet të dalim mbi vetveten për ta rifilluar një bashkëpunim, i cili ka pak dyshim si dhe për vlerat morale dhe për cilësitë e lidershipit me të cilin funksionon.
Zoti Malaj, linja zyrtare e PS-së me kryetarin Rama është se zgjedhjet u humbën për shkak të manipulimeve. Partia juaj do të hyjë në Kuvend apo jo, sepse është një çështje e lënë deri diku jo fort e qartë?
Ky është një dallim jo i vogël midis nesh dhe PS-së. Ne pajtohemi se këto zgjedhje patën probleme, ishin një shans i humbur, ne jemi të shqetësuar nëse vlerësimi për këto zgjedhje mund të pengojë apo ndikojë vazhdimisht në shpejtësinë dhe cilësinë e integrimit të Shqipërisë, por nga ana tjetër ne e kemi bërë të qartë opinionin tonë se ne duhet të bëjmë opozitën në institucionet e vendit tonë. Ne duhet të jemi atje që me atributet e opozitës të risim kërkesën për mirëqeverisjen e vendit, të ndihmojnë proceset integruese kur ato duan reformë një shumicë të cilësuar votash dhe vetëm në qoftë se këto zgjedhje përfundimisht mund të pengojnë integrimin e vendit, PS-ja ka përgjegjësinë morale dhe politike për të kërkuar zgjedhje të parakohshme dhe të krijojë mundësinë, që vendi të mos ndjejë pasoja negative me zgjedhje pa standarde. Pra është një përgjegjësi e madhe dhe ne kemi marrë mbështetje në Asamblenë Kombëtare që PS-ja do të bëjë opozitën brenda institucioneve. Nuk është e vështirë për shkak të solidaritetit socialist të radikalizosh qëndrimin në PS, varet nga angazhimi konkret i liderit dhe lidershipit. Por mbetja jashtë institucioneve do të jetë kosto shtesë për të ardhmen politike të PS-së.
Ju keni kërkuar transparencë për garën e kreut të PS-së. Cilat janë arsyet e një kërkese të tillë? Mendoni se nuk do të ofrohen kushtet për një garë të ndershme?
Sigurisht se gara në PS, e imja apo e kolegëve të tjerë, të cilët nesër do të dihet se sa janë është për ta ndihmuar PS-në, jo një garë për të krijuar konflikte të reja dhe kriza të reja. Nëse keqpërdorimi i autoritetit të liderit dhe të solidarëve të tij në kryesinë e PS do të vazhdojë të deformojë procesin zgjedhor, kjo është një përgjegjësi dhe një kosto e madhe. Ne jemi për një garë që na çon drejt një efecience më të madhe politike dhe jo në një garë që na çon në grindje pafund. 
Marrë me shkurtime
në VOA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›