E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tërhiqet PBDNJ, Solis: Do diskutojmë ftesën e Berishës

 

ADI SHKEMBI

Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut tërhiqet nga qëndrimi i saj fillestar për të refuzuar çdo ofertë të kryeministrit Berisha për bashkëqeverisje. Sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie, Leonard Solis, e la të hapur mundësinë e bashkimit të votës së vetme në Parlament me PD-në, duke thënë se vendimin do ta marrin forumet e partisë. I pyetur dje gjatë një konference për shtyp për mundësitë e bashkimit me koalicionin e djathtë, i cili rezultoi fitues pas 28 qershorit, ish-kandidati i PBDNJ-së në Tiranë tha se, “shumë shpejt do të mbledhim të gjitha strukturat tona dhe iu përmbahemi të gjitha fjalëve që kryetari i PBDNJ-së ka deklaruar”. Kjo është deklarata e parë që një zyrtar i lartë i kësaj partie bën lidhur me mundësitë e bashkëpunimit paszgjedhor me PD-në. Kryetari Vangjel Dule ka hedhur poshtë pak javë më parë çdo mundësi të bashkëpunimit me partinë fituese të zgjedhjeve të 28 qershorit, duke e quajtur atë një pazar anadollak. “Ju po më flisni për pazare anadollake. Nuk janë në karakterin tonë. Nuk i jemi shtruar dhe nuk do t’i hyjmë tundimit të këtij lloj pazari”, theksoi deputeti i vetëm i PBDNJ-së për katër vitet e ardhshme. Por kjo tërheqje e partisë së minoritetit vjen pas krisjes me PS-në, menjëherë pas zgjedhjeve të 28 qershorit, kur pikërisht sekretari i përgjithshëm Leonard Solis e akuzoi atë për manipulim të rezultatit zgjedhor. “Kërkoj rinumërim të votave në të gjithë Tiranën, jo për të parë nëse unë do të jem ose jo deputet, por për të nxjerrë në dritë farsën e manipulimeve. Partia Socialiste ka keqpërdorur votën tonë”, tha Solis në ditët e para të numërimit të votave në kryeqytet. Dy muaj pas zgjedhjeve, kjo forcë politike mendon se koalicioni mes PD-së dhe LSI-së do të funksionojë dhe nuk do të prodhojë krizë. “PD ka fituar. PS nuk ka fituar zgjedhjet për mënyrën se si erdhën. Unë parashikoj një mandat 4-vjeçar të koalicionit PD-LSI dhe nuk parashikoj kriza”, tha dje Solis. Kryeministri Sali Berisha i ka bërë disa herë thirrje PBDNJ-së të bëhet pjesë e koalicionit të djathtë, megjithëse ka ironizuar edhe kalimin e kësaj force përkrah PS-së përpara 28 qershorit. “Ne jemi të hapur për koalicion. Një nga këto forca që është ftuar për koalicion është edhe PBDNJ-ja. Akoma nuk ka një vendim përfundimtar. Unë e dëgjova Vangjelin, por i them atij dy gjëra: Në politikë ‘asnjëherë mos thuaj kurrë’. Së dyti: unë i dola borxhit atij. Kur u ndava me të, i thashë vetëm kaq: Vangjel kujdes!”, tha Berisha. Ndryshe nga zgjedhjet e vitit 2005, në 28 qershor PBDNJ mori vetëm një deputet në qarkun e Vlorës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›