E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot luhet çerekfinalja Holandë-Brazil

E para e dy prej çerekfinaleve që pritet të jenë ndër më tërheqëset do të luhet sot në orën 16:00, në "Port Elizabeth Stadium". Për rezultatet dhe futbollin e luajtur, Brazili duket më në avantazh kundrejt një Holande që pikërisht këtë sfidë e ka testin e parë të vërtetë, përderisa deri tani ka fituar, por përballë ka pasur ekipe të nivelit nën mesatar. Sidoqoftë, në duelet midis tyre, asnjëherë nuk kanë munguar emocionet, golat dhe... befasitë.

Dëmtime e pezullime
Holanda: Asnjë dëmtim, apo pezullim. Robben do të nisë ndeshjen e dytë si titullar, në një modul që trajneri Van Marwijk s'ka ndërmend ta ndryshojë nga ai i takimeve të fundit, që janë mbyllur me fitore, por jo me ndonjë lojë fort bindëse. Formacioni i mundshëm (4-2-3-1): Stekelenburg, Van der Wiel, Heitinga, Mathijsen, Van Bronckhorst; Van Bommel, De Jong; Robben, Sneijder, Kuyt; Van Persie

Brazili: I dëmtuar është Elano, i cili do të mungojë, po ashtu si Ramirez, i pezulluar si pasojë e dy kartonëve të verdhë. Felipe Melo duket i rikuperuar, por aktivizimi i tij është ende për t'u vendosur. Konfirmim për D.Alvesh në mesfushë. Formacioni i mundshëm (4-2-3-1): Julio Cesar, Maicon, Lucio, Juan, Bastos; Gilberto Silva, Felipe Melo; Alves, Kaka, Robinho; Luis Fabiano

Sfidat direkte në Botëror
Dy skuadrat janë ndeshur 3 herë në Botërorët e mëparshëm, me Brazilin që e ka thyer dy herë Holandën në fazat me eliminim direkt. fillimisht në vitin 1994 (3-2), në një ndeshje ku të pestë golat u shënuan në pjesën e dytë. Dueli u përsërit edhe në France '98, kur Ronaldo e Kluivert fiksuan një barazim 1-1 në gjysmëfinale, teksa brazilianët u kualifikuan vetëm me penallti. Suksesi i vetëm i Holandës (2-0) regjistrohet në Botërorin e vitit 1974.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›