Sot në Kuvend raporti për shkarkimin e Spahiut

Kuvendi pritet të votojë sot në seancën plenare raportin e komisionit hetimor "Për nisjen e procedurës së shkarkimit nga detyra të Kreshnik Spahiut, zëvëndëskryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë". Raporti i miratuar dy ditë më parë nga komisioni konstaton se pas hetimit parlamentar Kreshnik Spahiu ka devijuar nga funksioni kushtetues i zv/kryetarit të KLD-së, duke e zëvendësuar atë me veprimtari politike.
Një nga pikat më të nxehta të raportit ishte akuza ndaj Spahiut për abuzime me fondet publike. Sipas hetimit rezulton se Spahiu ka kryer udhëtime jashtë shtetit me shpenzimet e institucionit, për interesa politike personale. Nisur nga kjo Alibeaj kërkoi që raporti ti dërgohet KLSH-së që Spahiu të kthejë mbrapsht shumat financiare që i ka përfituar pa të drejtë.
Raporti i propozon Kuvendit të vendosë ndërprerjen e menjëhershme të qëndrimit në detyrë të anëtarit të KLD-së, të zgjedhur nga Kuvendi, Kreshnik Spahiu, ndonëse ky i fundit dha dorëheqjen nga ky post rreth tre javë më parë.
Në axhendën e sotme të Kuvendit është përfshirë edhe “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”. Komisioni i ligjeve kaloi dy ditë më parë pa konsensus kodin penal. Ndërsa opozita nuk ka votuar fare mazhoranca i ka dhënë “OK” me votat e saj, pa përfshirë propozimin e PS-së për të dënuar individualisht kryeministrin dhe ministrat, për vendimet e miratuara në qeveri.
Por në fakt për prishjen e konsensusit është bërë një element periferik i kodit që ka të bëjë me falsifikimin e statistikave zyrtare.
Për miratimin e kodit penal duhet një shumicë e cilësuar votave në Kuvend, çka do të thotë se në mungesë të kartonave të deputetëve socialistë kalimi i këtij ligji pjesë e paketës së 12 kritereve të KE-së, mund të bllokohet.
Kuvendi në seancën e sotme pritet të shqyrtojë disa pr/ligje ekonomike si disa ndryshime në ligjin "Për tatimin mbi të ardhurat", një ndryshim në ligjin "Për statistikat zyrtare" dhe në ligjin "Për prokurimin publik".
Gjithashtu në punimet parlamentare të ditës së sotme është përfshirë dhe një interpelancë me Ministrin e Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, e kërkuar nga deputeti socialist, Erjon Braçe.