Sot në Kuvend, shqiptarët shpronësohen
Sot Kuvendi i Shqipërisë do të diskutojë (dhe me shumë gjasa) do të miratojë projektligjin “Për krijimin e shoqërive “HEC, Ulëz-Shkopet” sh.a, “HEC, Tiranë Lanabregas” sh.a, dhe “HEC Bistrica1 dhe Bistrica2″ sh.a dhe përcaktimin e formës dhe të strukturës së formulës së privatizimit të shoqërive “HEC Ulëz-Shkopet sh.a.” dhe “HEC Bistrica1 dhe Bistrica2 sh.a”. Për shkak të kohës së gjatë si anëtar i Kuvendit, them se nesër Kuvendi do të ketë një ditë të rëndësishme. Vendimmarrja e tij do të ketë ndikim të madh në ekonominë e vendit, por edhe në ekonomitë familjare.
Njëherësh, vendimmarrja e Kuvendit do të shënojë një stad të ri në kufizimin gjithnjë e më të madh të pronës publike dhe shërbimit publik në këtë vend. Pra, vendimmarrja e Kuvendit do të ketë interes kombëtar. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë (neni 11, pikat 1dhe 2) sanksionon:
1. Sistemi ekonomik i Republikës së Shqipërisë bazohet në pronën private e publike, si dhe në ekonominë e tregut dhe në lirinë e veprimtarisë ekonomike;
2. Prona private dhe publike mbrohen njëlloj me ligj.
Pra, në Kushtetutë prona publike është nën të njëjtën garanci ligjore si prona private. Sistemi ekonomik bazohet dhe zhvillohet në të dyja llojet e pronave, publike e private pa kufizim.
Por Sali Berisha ka vendosur ta shuajë e tjetërsojë pronën publike. A është kushtetuese kjo?
Sot në Kuvend Berisha vendos të shpronësojë shqiptarët! Nuk është privatizim, por shpronësim. Opozita parlamentare, Partia Socialiste, nuk do të jetë nesër në Kuvend. Ajo po bën mënjanë në një moment shumë të rëndësishëm. Grupi i deputetëve socialistë nuk u mblodh dje të diskutonte e të vendoste për qëndrimin e tij.
Madje, deputetët socialistë të komisioneve të Kuvendit, “Ekonomisë, Financave e Privatizimit”, “Veprimtarisë Prodhuese”, “Ligjeve”, nuk e panë të udhës të mblidheshin e të diskutonin për dy çështjet e mësipërme. Në aspektin politik, por edhe në atë profesional qoftë. Ky është gabim! I përsëritur shpesh.
