Këshilli i Ministrave miratoi sot paketën e dytë të vendimeve për ndërtimin e me koncesion të hidrocentraleve të vogla vendore. Mbi bazën e këtij vendimi, qeveria, pas rishqyrtimit nga Mini
Këshilli i Ministrave miratoi sot paketën e dytë të vendimeve për ndërtimin e me koncesion të hidrocentraleve të vogla vendore. Mbi bazën e këtij vendimi, qeveria, pas rishqyrtimit nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës të kontratave të nënshkruara me ligjin e vjetër, por të pazbatuara për disa vite, i jep kompanisë italiane "Essegei" për ndërtim 25 hidrocentrale të vegjël. Kjo paketë shënon një tjetër hap të rëndësishëm për rritjen e investimeve në fushën energjetike.
Kryeministri informoi se risia e kësaj pakete qëndron në faktin se, së pari, është rinegociuar për çdo hidrocentral që të optimizohet shfrytëzimi i burimeve ujore si pasuria bazë e vendit dhe, së dyti, është kushtëzuar me adaptimin e teknologjive më moderne të prodhimit të energjisë.
"Faza e rinegocimit, - theksoi Kryeministri, - solli rezultate shumë të rëndësishme, pasi do të kemi pothuajse dyfishim të prodhimit të energjisë nga këto hidrocentrale. E parashikuar në 37.9 milion kilovat orë në vit, pas të gjitha rinegocimeve fuqia prodhuese e tyre do të rritet në 65 milion kilovat orë në vit. Rritje e ndjeshme, në krahasim me kontratat e mëparshme, ndodh edhe me investimet, të cilat gëzojnë një rritje mbi 20 për qind. Kjo paketë ka gjithashtu përcaktime të qarta kontrate për çdo vepër, mbi bazën e të cilave palët kontraktuese janë të detyruara t'i zbatojnë në afate kohore të caktuara. Afatet janë të skeduluara sipas punimeve në afate 3 mujore, 6 mujore, një vjeçare".
Kryeministri vlerësoi se me këtë paketë qeveria bën një hap tjetër të rëndësishëm përpara në përpjekjen e saj për të shfrytëzuar dhe shndërruar në vlera të mëdha rezervat shumë të mëdha ujore që ka vendi. Në këtë drejtim, Kryeministri ftoi investitorët vendas dhe të huaj të konsiderojnë me prioritet investimet në fushën energjetike.
"Ne bëjmë një hap serioz në këtë drejtim dhe dua të ftoj edhe një herë të gjithë biznesmenët shqiptarë dhe të huaj të konsiderojnë me prioritet investimet në këtë fushë, absolutisht si një nga fushat më me leverdi. Enti Energjetik Kombëtar, KESH-i është i vendosur t'u ofrojë kontrata të leverdishme dhe transparente secilit prej tyre. Megjithë vështirësitë që ka kjo sipërmarrje, të krijuara nga faktorë tashmë të njohur, ajo do të përmbushë të gjitha detyrimet ndaj prodhuesve koncesionarë të energjisë elektrike të çfarëdo burimi, ujor, termik apo tjetër. Sikundër ftoj bankat të kreditojnë me përparësi burimet energjetike dhe shpreh bindjen se në të gjitha rastet shlyerja është plotësisht e mundshme. Për të ndihmuar dhe thjeshtuar burokracinë e administratës dhe për të shpejtuar procedurat, në veçanti për të optimalizuar shfrytëzimin e burimeve ujore, ne sot vendosim krijimin e një Task Force, të një grupi të përbërë nga ekspertët më të shquar shqiptarë në fushën hidroteknike, të cilët do të bëjnë, krahas oponencës private të projekteve, edhe oponencën publike, si dhe do t'i ofrojnë ekspertizën e nevojshme investitorëve të interesuar për të investuar në fushën e hidrocentraleve të vogla, të cilat janë me qindra", u shpreh Kryeministri.
Kryeministri informoi se po bëhen gjithashtu përpjekje shumë serioze për hidrocentralet e mëdha.
"Procesi i hidrocentraleve të mëdha për vetë kërkesat, rrethanat e problematikën e ndërtimit të tyre është një proces jo afatshkurtër, por, pavarësisht nga kjo, së shpejti Korporata Financiare Ndërkombëtare fillon studimin e mjedisit për hidrocentralin e Bushatit, i cili do të jetë një nga të parët që do të fillojë. Për këtë po studiohen variante, të cilat nuk prekin dhe cenojnë mjedisin, po studiohen mundësitë e përdorimit të teknologjive më moderne. Duke mbrojtur mjedisin je i detyruar të pranosh një rënie të kapaciteteve. Mjedisi është i pari për ne dhe për këtë nuk ka asnjë lloj mëdyshje, por ka teknologji moderne turbinash, e cila lejon të marrësh pothuajse të njëjtat kapacitete. Gjithashtu Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka përgatitur gjatë këtyre ditëve paketën e negociatave për Kalivaçin. Është rënë dakord nga të dyja palët që kontrata e nënshkruar para 10 viteve të rinegociohet. Në fakt, këtë vit aty janë intensifikuar burimet. Kjo është mjaft pozitive, por kontrata duhet të ripërcaktohet në përputhje me ligjin e ri, i cili nuk mbron vetëm interesin publik, por po kaq mbron edhe interesin e investitorit privat. Pasi të rishqyrtohen disa nga termat e saj, në përputhje me ligjin e ri, banka më e madhe gjermane ka vendosur që të jetë aksionere në këtë vepër të rëndësishme për vendin. Edhe për Kalivaçin, në të cilin këtë vit, e ritheksoj, janë bërë investime serioze dhe do të intensifikohen, shpresoj që të dy palët të bien dakord me termat e kontratës që e bëjnë atë të vlefshme në kushtet aktuale, pasi kontrata e nënshkruar 10-12 vjet më parë ka mangësi që cenojnë si interesin publik, ashtu edhe interesin e investitorit", u shpreh Kryeministri, duke ritheksuar se investimet mbeten prioritet dhe kryefjala e qeverisë.
Në një nga mbledhjet e tij të fundit, Këshilli i Ministrave miratoi paketën e parë të vendimeve për ndërtimin me koncesion të 17 hidrocentrale nga 2 deri në 10 megavat.