Sot në mesditë, Kryeministri Berisha mirëpriti në një takim Presidentin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Zotin Goran Lennmarker. Pasi vlerësoi vendosmërinë e qeverisë shqiptare dhe
Sot në mesditë, Kryeministri Berisha mirëpriti në një takim Presidentin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Zotin Goran Lennmarker.
Pasi vlerësoi vendosmërinë e qeverisë shqiptare dhe Kryeministrit Berisha për të luftuar korrupsionin, Zoti Lennmarker u shpreh se ishte i mrekulluar nga rezultatet e qeverisë, jo vetëm përsa i përket luftës kundër korrupsionit, por edhe përsa i përket përdorimit te përfitimeve të dala nga kjo luftë për t'i dhënë një zhvillim ekonomisë së vendit.
Është e rëndësishme, theksoi Zoti Lennmarker, që të gjitha këto fenomene, të cilat dobësojnë shtetin ligjor dhe zhvillimin ekonomik të vendit, të luftohen pa kompromis. Korrupsioni është një e keqe e madhe.
Zoti Lennmarker u shpreh se përkrahin plotësisht aspiratën e Shqiperisë per t'u integruar në NATO dhe se përshëndet deklaratën e Samitit të Riges.
Përsa i përket zgjedhjeve Zoti Lennmarker u shpreh se është jashtëzakonisht e rëndësishme që dispozitat kushtetuese të respektohen, aspekti kushtetues është thelbësor.Çdo njeri dhe çdo parti politike mund të ketë ide dhe mendime të ndryshme, si dhe t'i shikojë gjërat nga pikëpamja e vet, theksoi ai, por kjo nuk ndryshon faktin, që dispozitat kushtetuese, për të cilat populli shqiptar votoi në referendum, duhen respektuar plotësisht.
Pas takimit, Kryeministri Berisha theksoi për mediat se në takim u diskutua gjerësisht mbi zhvillimet në vend, si dhe zhvillimet në rajon. "Unë e informova Presidentin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Zotin Lennmarker, për të gjitha reformat e ndërmarra nga qeveria, si dhe e informova për të gjitha përgatitjet e bëra për zgjedhjet", theksoi Kryeministri.
I pyetur nga gazetarët nëse, gjatë takimit, pati ndonjë propozim të veçantë lidhur me zgjedhjet, Kryeministri Berisha bëri këto komente:
"Në praktikën e institucioneve ndërkombëtare është që duhet t'i dëgjojnë të gjitha palët. Nuk ka patur ndonjë kërkesë të veçantë, por kanë dëgjuar të gjitha shpjegimet e nevojshme për këto çështje.Çështja e zgjedhjeve ishte sigurisht një çështje e axhendës së bisedimeve, të cilën unë e parashtrova. Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Zoti Lennmarker, do të takohet edhe me përfaqësuesit e opozitës dhe sigurisht opozita do të parashtrojë çështjet e saj.
Unë e njoha Zotin Lennmarker me të gjitha qëndrimet dhe e sigurova se qeveria është e gatshme të ndërmarrë çdo hap të nevojshëm për zgjedhje të lira dhe të ndershme, në respekt të ligjeve dhe Kushtetutës së vendit.
Opozita është e ftuar dhe e mirëpritur dhe ne jemi gati, që nesër, të votojmë të gjitha amendamentet që kanë të bëjnë me marrëveshjen e gushtit. Nuk mund të negociojmë atë që nuk është në kompetencën tonë dhe askush nga ne dhe askush në Shqipëri nuk ka asnjë lloj tagri, sot, për ta negociuar, nëse iu referohemi ligjeve dhe Kushtetutës së vendit. Jemi gati të negociojmë për të gjitha aspektet për të cilat opozita, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, shoqëria civile, besojnë dhe mendojnë se mund të përmirësojnë procesin, në mënyrë që të konkludojmë me një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm".