E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot në mesditë, Kryeministri Berisha mori pjesë në mbledhjen e grupit paralamentar të Partisë Demokratike, ku fillimisht falënderoi të pranishmit për përkushtimin e treguar gjatë fushatës

Sot në mesditë, Kryeministri Berisha mori pjesë në mbledhjen e grupit paralamentar të Partisë Demokratike, ku fillimisht falënderoi të pranishmit për përkushtimin e treguar gjatë fushatës elektorale, si dhe shprehu mirënjohjen për të gjithë zgjedhësit shqiptarë, të cilët më 18 shkurt dëshmuan qytetarinë e tyre.

Kryeministri Berisha vlerësoi faktin se u arrit qëllimi i qeverisë dhe u dëshmua vullneti i saj, për ti siguruar vendit, zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Më tej, në fjalën e tij, Kryeministri u shpreh:

"Dëshiroj t'ju falënderoj përzemërsisht për përkushtimin e madh që ju dëshmuat në këtë fushatë elektorale, në të cilën, së pari, u arrit qëllimi kryesor i yni, për herë të parë u faktua se kjo qeveri ka vullnet të hekurt për zgjedhje të lira e të ndershme. Kjo është një arritje e madhe. Qeveria dhe agjencitë që varen prej saj faktuan me qëndrime konkrete, vullnetin e tyre për zgjedhje të lira e të ndershme. Unë gjykoj se kjo përbën një arritje madhore në historinë e zgjedhjeve të këtij vendi.

Së dyti, dua t'ju shpreh mirënjohjen e pakufishme atyre qindra e qindra kandidatëve, shtabeve të tyre elektorale, komisionerëve dhe zgjedhësve shqiptarë që më 18 shkurt i dhanë koalicionit qeveritar fitoren më të thellë në historinë e zgjedhjeve vendore.

Për të gjithë ata të cilët pranojnë barazinë e votës, e për rrjedhojë fitoren, që me votat që zgjedhësit ju besojnë, përcaktojnë kandidatin, por dhe forcat politike, rezultatet tregojnë që koalicioni qeveritar ka fituar në 238 njësi të qeverisjes vendore, apo 63 përqind të njësive që është votuar, apo në rreth 2/3 e tyre, në 71 zona elektorale nga 100 që ka vendi. Ata të cilët me të drejtë pranojnë se vota për forcat politike është vota me direkte, është vota e besimit për partitë, rezultat janë akoma më dëshpëruese për çiftin humbës dhe janë akoma më të thella për koalicionin qeveritar. Në 335 njësi të shpalluara nga KQZ, koalicioni qeveritar udhëheq me 14 përqind më shumë vota, sesa çifti tashmë humbës. Mendoj se këto rezultate spektakolare nuk na bëjnë ne të injorojmë për asnjë moment rezultatet e Tiranës, rezultatet në mazhoritar, por edhe në proporcional të Vlorës, rezultatet në mazhoritar në Korcë, rezultatet e Fierit, Beratit, duke mos u ndalur në dy qytetet që janë në gjykim, Elbasani dhe Durrësi, sepse siç dihet tashmë Korça, Elbasani dhe Durrësi kanë votuar në mazhorancë për partitë e kolacionit mazhoritar. Ka disa probleme ligjore në dy qytetet e fundit, në Elbasan dhe në Durrës, me votat për kandidatët.

Ne do ti analizojmë me përgjegjësi, si fitoren e thellë, më të thellën pas vitit 1992, ashtu edhe mungesën e saj në këto qytete. Por, dua të theksoj se ata që nxituan, vrapuan, për të shpallur zgjedhësit që nuk votuan për binomin Rama-Meta, si eskimezë, siç bëri ideologu i PS, treguan një racizëm të papërmbajtur, për faktin se qytetarët janë një, ndaj dhe ne nuk i ndajmë, përkundrazi, ne respektojmë si ata që votuan pro nesh, ashtu edhe ata që votuan kundër nesh, nuk kemi ndër mend të bëjmë klasifikime, sepse këto janë mendësi dhe mentalitete rraciste, që duket se, ideologjinë toksike-komuniste, kjo parti do ta zëvendësojë tani me ideologjira rraciste.

Megjithatë, më duhet t'u them se ky koalicion, në 19 shkurt është gdhirë mazhoritar në votën urbane dhe rurale të shqiptarëve, si porporcional, sepse ky koalicion në proporcional ndihet mazhoritar në të gjithë shtresat, në të gjitha komunitetet, si ato që jetojnë në zonat urbane ashtu edhe ato që jetojnë në zonat rurale, të marra në tërësinë e tyre kanë votuar me distancë të ndjeshme koalicionin qeveritar. Ndaj dhe çështjen eskimo-evropiane le ta zhvilojnë në doktrinën e tyre, por shqiptarët janë një dhe vetëm një, janë qytetarë të barabartë para ligjit. Pavarësisht se ku banojnë, ata e dëshmuan qytetarinë e tyre, në mënyrë të shkëlqyer. E theksoj edhe një here se, ajo që vihet re është fakti se binomi doli nga zgjedhjet në një shkretëtirë të vërtetë elektorale nga Lapraka deri në Vermosh e Tropojë, por më dëshpëruese, është humbja e tyre e thellë nga Fieri në Konispol, ku kanë gjithsej vetëm 4-5 njësi të qeverisjes vendore. Ne ato zona që ata i konsideronin bastione, qytetarët me votën e tyre u thanë; faleminderit, por nuk kemi më besim tek ju.

Sigurisht që zoti Rama do ta përdorë për larje hesapesh brenda llojit të vet, por ata le të bëjnë ç'të duan, ne fituam dhe ne duhet ti përgjigjemi fitores. Sikundër, dua edhe njëherë ta theksoj se, çdo votë ndryshe do të analizohet me përgjegjësi të plotë nga ne, pa asnjë lloj sensi tjetër përveç vlerësimit dhe mirëkuptimit, përveç mesazhit që ajo përmban dhe meritës që ka në nderim të pluralizmit.

Qeveria del nga këto zgjedhje me një votë plebishitare në mbështetje të saj, sepse kemi marrë 54 perqind në një kohë kur kundërshtari sillet tek 39-40 perqind e votës proporcionale - natyrisht sepse kur doli vota e kandidatëve, ata thanë kjo është e kandidatëve, duke treguar injorancë në teorinë elektorale, pasi kandidatët kurrë nuk mund të marrin atë sasi votash pa një background të fuqishëm proporcional, sepse proporcionali është qartësisht 2 përqind mbi votat e kandidatëve.

Duhet të jem i sinqertë me ju se, qeveria do të ketë ndryshimet e saj, në mënyrë që ritmi i reformave të shpejtohet. Pra duhet të theksoj se,në raport me votën, qeveria ka marrë mbështetje plebishitare.

Refomat janë qëllimi më kryesor i qeverisë, ndaj dhe të gjitha agjencitë e ekzekutivit do të shqyrtohen ne raport me reformat që janë jetike sa vetë ajri për Shqipërinë. Janë një seri agjencish, janë një seri reformash që presin me padurim të njohin ritme të reja të shpejta. Do thellohet lufta kundër korrupsionit, sepse në rast se morëm këtë votë e morëm për shkak të kësaj lufte, për shkak të luftës kundër kriminalitetit, kjo është e sigurtë, ndaj këto dy linja do të thellohen dhe konsolidohen.

Në rast se u krijuan shumë pakënaqësi, kjo nuk do të thotë se do të tërhiqemi në luftën kundër informalitetit, sepse kjo betejë është jetike për vendin. Por janë edhe një sërë reformash të tjera, të cilat duhet të shpejtohen që tu jepet përgjigje grupeve të mëdha ne qytet, siç janë pronarët dhe problemet e tyre, të përndjekurit dhe problemet e tyre, legalizimi, i cili është vendosur në shina dhe shumë probleme të tjera. Sikundër, Partia Demokratike do të përshtasë situatën post elektorale, me dy qëllime; Së pari, të konsolidojë fitoren së bashku me aletatët, sepse kjo nuk është fitore e Partisë Demokratike, por duhet të themi e koalicionit qeveritar. Kështu u konceptua dhe unë kam shumë mirënjohje për aletatet tanë. Së dyti duhet të rishqyrtojë të gjithë strukturën në qytetet ku ne nuk fituam, në mënyrë që ajo të krijojë infrastrukturën e sigurtë të fitores elektorale në zgjedhjet e ardhshme."

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›