Sot, në orën 12.30, Kryeministri Berisha doli në një konferencë për shtyp, në selinë e kryeministrisë, gjatë së cilës iu përgjigj interesimit të gazetarëve për çështje të ndryshme t
Sot, në orën 12.30, Kryeministri Berisha doli në një konferencë për shtyp, në selinë e kryeministrisë, gjatë së cilës iu përgjigj interesimit të gazetarëve për çështje të ndryshme të ditës.
Pyetje: Zoti Berisha, diçka më konkretisht për zgjedhjet. Si do të mundet që ato të jenë të suksesshme në mënyrë që t'i shërbejnë dhe integrimit në NATO, duke patur parasysh një sërë vështirësish administrative dhe mosmarrëveshjesh mes forcave politike?
Kryeministri: Edhe një herë dua të garantoj se qeveria do të marrë çdo vendim dhe do të bëjmë çdo përpjekje për zgjedhje të lira e të ndershme. Përgjegjësi duhet të marrin edhe disa forca politike, të cilat vendosin të parën integrimin. Një javë më parë, na është kërkuar që të ulemi sërish, me Zotin Beja dhe Zotin Bufi, për amendamentet e dorëzuara dhe ne e pritëm me kënaqësi këtë, të zotuar se do të votojmë gjithçka që është përcaktuar në marrëveshjen e fund gushtit dhe dokumentin ‘non paper' të dorëzuar nga OSBE-ja. Por PS-ja është ndarë në dy rryma, njëra prej të cilave është e vendosur që me çdo kusht të prishë zgjedhjet dhe tjetra të marrë pjesë normalisht në zgjedhje. Cila rrymë do të mbizotërojë, nuk jamë në gjendje ta them.
Pyetje: A ekziston rreziku i kontestimit të rezultateve?
Kryeministri: Qendrimi i PS-së për mua është i pamundur të parashikohet. Detyra jonë si qeveri është të bëjmë përpjekjet maksimale për zgjedhje të lira e të ndershme dhe unë kam bindjen se qeveria do të bëjë çdo përpjekje. Por si do të vazhdojë dhe çfarë vendimesh do të marrë Zoti Rama, i cili, dhe ju jeni dëshmitarë, e ka shqipëruar të paktën pesë mijë herë deri më sot fjalën bojkot të zgjedhjeve, këtë nuk e di. Këtë e di vetëm ai. Për këtë referohuni shtypit të përditshëm, ku ai çdo ditë deklaron që ose të bëhet kjo ose bojkot etj.. etj.. Zgjidhja është e tyre. Qeveria nuk e ka në dorë të imponojë opozitën.
Pyetje: Zoti Berisha ju theksuat se Shqipëria është e gatshme të paguajë çdo çmim për të hyrë në NATO.Çfarë nënkuptoni me këtë?
Kryeministri: Të zgjerojë pjesëmarrjen e saj në të gjitha operacionet dhe të jetë aty ku NATO-ja është; të rrisë, në vitin 2008, në 2 për qind të PPB-së buxhetin për Forcat e Armatosura; të bëjë të gjitha përpjekjet për luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Nëse lexoni deklaratën, ajo përcakton vazhdimin e luftës kundër krimit dhe korrupsionit dhe konsolidimin e shtetit ligjor. Shteti ligjor nënkupton zgjedhje të lira dhe ne do të bëjmë çdo përpjekje për zgjedhje të lira. Ne i qendrojmë luftës me tolerancë zero kundër krimit dhe korrupsionit si përparësi absolute dhe ju garantoj se ajo po shkon duke u konsoliduar gjithnjë e më shumë. Vetëm puna e jashtëzakonshme që është bërë për buxhetitn, për ta nxjerrë atë nga një buxhet i bazuar, në mënyrën më të pakonceptueshme, në 80 për qind të prokurimeve në prokurime direkte në një buxhet të bazuar në tërësi në prokurimin e hapur. Unë ju theksova një aspekt për të cilin është punuar muaj të tërë, por po punohet në të gjitha drejtimet për të përmbushur këto kërkesa të drejta e të ligjshme që i kërkohen Shqipërisë.
Pyetje: Një nga standartet që kërkohet për t'u anëtarësuar në NATO, është lufta kundër korrupsionit. Së fundi, ju keni publikuar edhe një shifër për shpenzimet operative, buxhetin e shtetit dhe mirëadministrimin e të ardhurave që bën pjesë në luftën kundër korrupsionit. Por a nuk ju duket se nuk ka veprime të tjera konkrete për këtë, ka vetëm deklarata?
Kryeministri: Jo, ka vendime të mëdha. T'i referohemi vendimit të fundit të qeverisë. Në dhjetor të vitit të kaluar, ne ndërmorëm një shkurtim të shpenzimeve operative abuzive, që kapnin vlerën e rreth 46 milion dollarë. Nuk mund t'u them se kjo masë ishte plotësisht e studiuar, pasi nuk kishte kohë. Të studiosh dhe të normosh shpenzimet e buxhetit duhet kohë dhe një punë jo e vogël. Por ato u bënë mbi disa kritere të përzgjedhura. Mund t'u them me shumë kënaqësi se me vendimin e fundit, me paratë e kursyera nga shpenzimet operative, për vetura, zyra, udhëtime, telefona, nuk janë më 46 milion, por 101 milion. Të 55 milionët e tjerë që u transferuan i përkisnin të gjitha zërit shpenzime operative, që u kthyen në investime. 101 milion janë një shumë e konsiderueshme dhe ishte fryma dhe kërkesa e llogarisë, mbikqyrja e auditeve që bënë të mundur arritjen e këtij rezultati, të cilën unë nuk e quaj të përsosur, sepse mund të shkojë edhe më tej.
Së dyti, është ulur kostoja e prokurimeve publike me rreth 25 për qind dhe ligji i ri i prokurimeve krijon mundësi edhe më të mëdha.
Së treti, ju jeni dëshmitarë e rritjes së të ardhurave në mënyrë të ndjeshme. Në tërësi, është mbi 500 milion dollarë shuma e shpëtuar nga abuziviteti qeveritar, pa llogaritur këtu shumën e shpëtuar nga goditja e rrushfeteve.
Por a është kjo e gjitha? Absolutish jo. Gjatë këtij viti janë përgatitur praktika e platforma, të cilat do ta thellojnë shumë të tepër këtë. Kjo është e vërteta. Lufta kundër korrupsionit vazhdon, por, natyrisht, ka një problem madhor në qeverinë e sistemit të drejtësisë, që është shtyllë kryesore e kleptokracisë së vjetër, simbol i së cilës është Gjermeni dhe Sollaku, por që gradualisht me reformat do të marrë zgjidhje.
Pyetje: Cilat ishin arsyet që e shtynë qeverinë shqiptare për të bërë prokurim të drejtëpërdrejt me forumin e Crans Montanës për një eveniment në Tiranë dhe a ka ndikuar në këtë marrëveshje njohja juaj personale me presidentin e këtij forumi?
Kryeministri: Të gjitha ligjet e prokurimeve, përfshirë dhe ligjin që sapo votuam në parlament, parashikojnë prokurimin e drejtpërdrejtë në rastet e eksluziviteteve. Nëse dëshiron që logoja, flamuri dhe simboli i këtij forumi apo organizate tjetër të vendoset në Tiranë në shërbimin tënd, je i detyruar të kontraktosh atë dhe vetëm atë. Nëse do bën zgjidhje të tjera. Wshtë vepruar në përputhje të plotë me çdo ligj të prokurimeve publike, për shkak të së drejtës së ekskluzivitetit që ka ky forum për emërtesën Crans Montana.
Pyetje: Ish presidenti i Malit të Zi në kujtimet e tij është shprehur për një lloj marrëveshjeje të heshtur mes jush për thyerjen e embargos së naftës në kufirin midis Shqipërisë dhe Malit të Zi. Cila është e vërteta?
Kryeministri: Pyetje interesante. Nëse i riktheheni viteteve '92-'96 do të gjeni në mënyrë të përsëritur në deklaratat e mia që unë nuk jam dakort me embargon e vendosur ndaj Kosovës dhe Malit të Zi. Këtë e kam shprehur publikisht dhe nuk e kam fshehur. Unë nuk isha dakort, sepse Serbia furnizohej anije pas anijeje nga Danubi dhe, ndërsa këto vende i linte në acar, në Beograd nuk mungonte asgjë. Kjo ishte e vërteta e qendrimit tim. Për këtë qendrim, të cilin e kam shprehur publikisht në atë kohë, kam qenë i sinqertë. Nuk them se nuk ka patur mospëlqime ndaj qendrimit të Shqipërisë, por në total Organizata e Kombeve të Bashkura, që mbikqyrte embargon, arriti në përfundimin se 96 për qind e të gjitha ngarkesave me naftë e karburante të dërguara në Serbi ishin nga vende të tjera dhe vetëm 4 për qind i përkisnin asaj që rridhte nga Shqipëria. Nuk ka ekzistuar asnjë marrëveshje, por një qendrim i qartë i imi për këtë. Jam përpjekur të ndihmoj këto dy vende, por sa kanë përfituar ato nuk ishte puna ime, sepse nuk e kontrolloja unë territorin e tyre, as të Kosovës dhe as të Malit të Zi. E rëndësishme është që ajo është bërë jashtë çdo lloj interesi të njëanshëm të Shqipërisë. Nuk më dukej e drejtë që Serbia merrte çdo natë anije nga Danubi, ndërsa këto vende mbeteshin pa ngrohje.
Pyetje: Kohët e fundit ka lindur edhe një konflikt tjetër midis dy institucioneve, policisë bashkiake të Tiranës dhe policisë ndërtimore po të Tiranës në lidhje me një vendim të Këshillit të Ministrave. Një koment në lidhje me këtë?
Kryeministri:Çdo gjë do të procedohet sipas ligjit dhe rregullave. Këshilli i Ministrave ka marrë një vendim dhe ai do të zbatohet në përputhje me ligjet e vendit.
Pyetje: Zoti Kryeministër, ndërkohë që thuhet se Presidenti po respekton afatet kushtetuese për të caktuar datën e zgjedhjeve, a ndikon kjo në përgatitjen e zgjedhjeve? Ju jeni të detyruar ndoshta të prisni deri në shpalljen e datës, ndërkohë që zgjedhjet i kemi shumë afër.
Kryeministri: Caktimi i datës së zgjedhjeve është prerogativë kushtetuese e Presidentit. Nuk ka asnjë lidhje me qeverinë. Kam dëgjuar disa herë, me të drejtë, që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shprehur shqetësime për këtë. Gjithashtu, shqetësim për shtyrjen e deklarimit të datës së zgjedhjeve, në mënyrë të përsëritur, ka shprehur edhe faktori ndërkombëtar, sepse është e vërtetë që ligjërisht mund të jesh korrekt me afatin ligjor, por nuk duhet harruar se që të mobilizohen monitoruesit, grupet e observimit – dhe këtu dua të përshëndes kërkesën e ODIHR-it për 400 vëzhgues – pra të mobilizohen 400 vëzhgues, apo të mobilizohet numri i përshtatshëm i vëzhguesve, mendoj se institucionet ndërkombëtare, vendet mike, duan kohën e duhur. Në këtë aspekt, sa më shpejt të ishte shpallur data, aq më e lehtë do të ishte edhe përgatitja e Komisonit Qendror të Zgjedhjeve, aq më e lehtë do të ishte edhe ardhja e grupeve ndërkombëtare. Por kjo nuk i përket qeverisë, qeveria ka detyrën e vet. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është i pavarur, institucionet ndërkombëtare po kështu. Janë ato që duhet të flasin për veten e tyre. Jo unë.
Pyetje: Duke iu referuar faktit që z. Olldashi do të kandidojë për postin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës. A do të japë zoti Olldashi dorëheqjen nga posti i Ministrit të Brendshëm. Dhe nëse po, a do të kemi një Ministër të Brendshëm për periudhën e fushatës?
Kryeministri: Ju lutem, këtë pyetje të ma parashtroni pasi të zyrtarizohen gjërat. Pasi paradhëniet nuk janë asnjëherë të sakta. Sapo të marrin zyrtaritet gjërat, unë jam para jush në mënyrë të shpeshtë, mund të më pyesni dhe unë do t'ju përgjigjem.