E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot nis parlamenti PS bojkot komisioneve

TIRANE-Deputetet socialistë do të bojkotojnë sot, mbledhjet e komisioneve parlamentare, të cilat rinisin punën, pas ndërprerjes më tepër se njëmujore, njofton e perditshmja Gazeta Shqiptare. Pritet që sot, të nisin diskutimet, në komisionet parlamentare të ligjeve dhe të ekonomisë, për të cilat janë lajmëruar edhe deputetët e PS-së, të cilët kanë vendosur që të mos marrin pjesë.

Burimet zyrtare nga PS-ja thanë dje, se deputetët do të qëndrojnë edhe sot para KQZ-së, në protestë kundër veprimeve të këtij institucioni që po rinumëron fletët e votimit. Po sipas të njëjtave burime, deputetët opozitarë, së bashku me mbështetësit e tyre do të vijojnë të qëndrojnë dhe protestojnë para KQZ-së deri në momentin që ky komision të japë rezultatin përfundimtar për Tiranën. Në këtë moment, pritet edhe përshkallëzimi i veprimit dhe aksionit opozitar. Të njëjtat burime thanë dje, se radikalizmi i përgjigjes së socialistëve do të fillojë me bllokimin e rrugëve e deri tek përplasjet e ashpra me policinë, jo vetëm para KQZ-së dhe në rrugët e Tiranës, por në të gjithë Shqipërinë. Reagimet e opozitës pritet të jenë të tipit të mosbindjes civile edhe me bllokim institucionesh.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›