E Diel, 1 Nëntor 2026

Video pergjimi, fati i Metës, në duart e Gjykatës së Lartë

TIRANE-Një kolegj penal i Gjykatës së Lartë ‘ka në duar’ fatin e një prej njerëzve më të përfolur në politikën shqiptare. Ilir Meta, ish-numri dy i qeverisë shqiptare, do të përballet të hënën me drejtësinë, duke kërkuar që video-skandali i regjistruar nga ish-vartësi i tij Dritan Prifti, të shpallet i pavlefshëm me argumentin se është marrë në kundërshtim me ligjin. Avokatët e ish-ministrit të Energjetikës do të tentojnë të bindin kolegjin penal që të pranojë kërkesën e tyre, duke shpallur të papërdorshëm jo vetëm regjistrimin e realizuar nga ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, ku Ilir Meta shfaqet duke kërkuar favorizime në tendera, por edhe të gjitha aktet që rrjedhin prej saj.
Përballja mes kreut të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Prokurorisë së Përgjithshme do të jetë e fortë, pasi vendimi i gjykatës do të jetë vendimtar për dosjen penale ndaj Ilir Metës të dorëzuar po në gjykatën supreme, ku është vënë nën akuzën e korrupsionit. Sipas juristëve, nëse kërkesa e ish-zv/kryeministrit Meta pranohet dhe videoja shpallet e papërdorshme, akuzat ndaj tij shndërrohen në nul, pasi e gjithë dosja e prokurorisë mbështetet mbi këtë provë. Ilir Meta është marrë në cilësinë e të pandehurit dhe dosja është dërguar për gjykim në Gjykatën e Lartë. Por nëse videoja e regjistruar nga Dritan Prifti rrëzohet nga gjykata si e pavlerë, Ilir Meta u shpëton akuzave. Përpos kësaj, shtrohet pyetja se si do të veprojë prokuroria; a do të arrijë t’i shkojë deri në fund këtij rasti për të dënuar një zyrtar të lartë, pasi në pamje të parë, videoja dëshmon qartë se Ilir Meta ka konsumuar akuzën.
Video-skandali
Një trupë gjyqësore me relator gjykatësin Medi Bici dhe anëtarë Ardian Dvoranin, Gani Dizdarin, Ardian Nunin dhe Aleksandër Muskajn, do të shqyrtojë mesditën e së hënës më 23 maj 2011, kërkesën e ish-zv/kryeministrit Ilir Meta, i cili prej disa javësh është marrë edhe në cilësinë e të pandehurit dhe dosja penale ndaj tij është dorëzuar në gjykatën supreme. Sipas burimeve pranë ish-ministrit të Jashtëm, videoja nuk duhet të përdoret si provë, pasi është marrë në kundërshtim me ligjin, duke qenë se është regjistruar nga një person i paautorizuar nga ligji dhe në kundërshtim me kërkesat e ligjit. Madje, mbrojtësit ligjorë të ish-zv/kryeministrit shkojnë më tej kur pretendojnë në kërkesën e tyre, se personi që ka bërë regjistrimin (në këtë rast Dritan Prifti) duhet të mbajë përgjegjësi ligjore. Kolegji penal do ta shqyrtojë kërkesën për të dalë me një vendim, prej nga do të varet dhe fati i dosjes penale të Ilir Metës. Juristët thonë se procesi ndaj Metës do të vazhdojë, por nëse prova kryesore bie dhe aktet që rrjedhin prej saj shndërrohen në nul, atëherë ish-ministri i Ekonomisë nuk do të mund të cilësohet fajtor. Hetimet për video-skandalin nisën fill pas publikimit të kësaj videoje, ku numri dy i qeverisë në atë kohë, Ilir Meta shfaqej duke biseduar me ministrin e Ekonomisë, Dritan Prifti, për favore në dhënien e licencave koncesionare. Videoja ishte regjistruar nga Prifti në kohën kur ky i fundit mbante postin e ministrit të Ekonomisë. Prokuroria, pas shumë hetimesh e ka vënë nën akuzë Ilir Metën dhe ka dorëzuar dosjen për gjykim në Gjykatën e Lartë. Ndërsa po vazhdon hetimet për deputetin Dritan Prifti, pasi edhe ai dyshohet për afera korruptive, bazuar kjo në një video të dytë, ku ai shfaqet së bashku me ish-zv/ministrin e Ekonomisë Leonard Beqiri dhe një shumë prej 70 mijë eurosh.

(d.b/GSHH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›