Rama: SHBA kërkon një Parlament me standarde

Rama pas takimit me zyrtarin e DASH
Kreu socialist mbylli turin e takimeve të zyrtarit amerikan në Tiranë.
Deklarata e Riker: Përmbyllni reformat në Parlament.
Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Euro-Azinë, Filip Riker, në përfundim të takimeve të tij me krerët e politikës shqiptare dha një deklaratë përmbyllëse. Pas takimit, kreu socialist tha se gjatë bisedës u kërkua demokratizimi i institucioneve, e veçanërisht i Parlamentit. Duke u fokusuar te perspektiva demokratike dhe europiane e vendit, ne shkëmbyem po ashtu shqetësimet dhe idetë lidhur me përshpejtimin e progresit të vendit qoftë në drejtim të familjes europiane, qoftë në drejtim të standardeve demokratike që do ta bënin Shqipërinë një vend europian jo vetëm gjeografikisht, por edhe si një shtet me institucione të forta e të pavarura dhe, pa dyshim, me një Parlament që ti përfaqësojë shqiptarët qoftë në qeveri, qoftë në opozitë, brenda standardesh si ato që sot e gjithë ditën e karakterizojnë parlamentarizmin e familjes europiane, tha kryetari i PS, Edi Rama. Kreu socialist shoqërohej në këtë takim nga kryetari i Komisionit Parlamentar të Integrimit, Ditmir Bushati. Nga ana e tij, Riker kërkoi nga klasa politike shqiptare gjetjen e dakordësisë brenda Parlamentit në realizimin e reformës parlamentare, miratimin e ligjit për Gjykatën e Lartë dhe imunitetet. Riker hyri dje në orën 10:00 në selinë rozë, ku zhvilloi takimin e fundit me politikanët shqiptarë në Tiranë, ndërsa pas bisedës me Ramën kërkoi përmbylljen e reformave në Parlament. Parlamenti ka në fuqinë e tij mundësinë që të ndikojë pozitivisht në progres-raportin e ardhshëm të Komisionit Europian. Ne besojmë që gjetja e dakordësisë në reformën e Rregullores parlamentare, kalimi ligjit për Gjykatën e Lartë, si dhe votimi për ndryshimet kushtetuese që lidhet me imunitetet janë të arritshme për hedhjen e hapave të rëndësishëm në drejtimin e duhur për Shqipërinë, tha Riker.
Imuniteti
Maxhoranca ka kërkuar dy javë kohë për të shqyrtuar propozimet e Partisë Socialiste për një paketë ndryshimesh kushtetuese, që do të bënte të mundur dhe votën pro të socialistëve për kufizimin e imuniteteve. Sipas socialistëve, për ta bërë efektive kufizimin e imuniteteve të zyrtarëve të lartë dhe gjyqtarëve, kërkohet dhe forcimi i pavarësisë i institucioneve të Drejtësisë. Socialistët kërkojnë votim me 3/5 të anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese.
ARISTIR LUMEZI