Sot paradite, Kryeministri Berisha mori pjesë në konferencën me temë "Drejt anëtarësimit në NATO, 2008: përgjegjësitë dhe detyrimet", organizuar në Tiranë nga Kuvendi i Shqipërisë.
Sot paradite, Kryeministri Berisha mori pjesë në konferencën me temë "Drejt anëtarësimit në NATO, 2008: përgjegjësitë dhe detyrimet", organizuar në Tiranë nga Kuvendi i Shqipërisë.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Ekipi i zgjeruar faktmbledhës i NATO-s, i kryesuar nga Zëvendëssekretari i Përgjithshëm i NATO-s, zoti John Colston, të cilët sjellin në këtë konferencë vlerësimin e ecurisë së Planit Kombëtar të Veprimit për anëtarësim në NATO, ambasadorë të vendeve të NATO-s, Ambasadorja amerikane në Tiranë zonja Marsi Ries, Kryetarja e Kuvendit zonja Jozefina Topalli, deputetë të Kuvendit, etj.
Në fokus të konferencës ishte shprehja e angazhimit për një bashkëpunim më të ngushtë të institucioneve përgjegjëse për realizimin e Planit të Veprimit për Anëtarësim në NATO, me qëllim që Shqipëria të marrë ftesën e anëtarësimit në Samitin e Aleancës që do të mbahet në pranverë të vitit 2008.
Në përshëndetjen e tij Kryeministri Berisha, ndër të tjera, theksoi:
"Është një nder dhe kënaqësi e veçantë të përshëndes këtë konferencë vetëm dy javë pasi Shqipëria kaloi, me sukses, një test shumë të rëndësishëm për demokracinë në vend, duke organizuar zgjedhje vendore të qeta, pa kontestime dhe me pjesëmarrje të gjerë të qytetarëve. Këto zgjedhje dëshmuan maturinë politike të shoqërisë shqiptare, funksionimin e qartë të mekanizmit të zgjedhjes së qeveritarëve vendorë, me vullnetin e lirë të qytetarëve.
Pavarësisht nga disa vështirësi të hasura gjatë debatit politik, që i parapriu ndryshimit të kuadrit ligjor zgjedhor, qeveria beson se në këto zgjedhje, bazuar në konkurencën e lirë, shqiptarët zgjodhën personat që ata vlerësuan më shumë. Kështu, në tërësi, zgjedhjet e 18 shkurtit e sjellin Shqipërinë më pranë NATO-së dhe komunitetit të vendeve Euroatlantike, me të cilat ndajmë vlerat e përbashkëta të lirisë, demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Ne mbetemi të vendosur për të ndërmarrë të gjitha reformat për përsosjen e mëtejshme të procesit zgjedhor në Shqipëri.
Pikërisht, këto vlera që ne ndajmë, janë arsyeja pse integrimi në NATO është dhe mbetet njëra nga shtyllat më kryesore të politikës sonë të jashtme dhe të sigurisë. Është pikërisht ky vokacion perëndimor i shqiptarëve, i cili bën të mundur, që mbështetja publike për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO vazhdon të mbetet në nivelet më të larta në rajon. Mbi 95 përqind e popullsisë shqiptare mbështet këtë integrim. Po kështu, ky projekt madhor kombëtar gëzon mbështetjen dhe përkrahjen aktive të të gjitha forcave politike në vend.
Ky vullnet i fuqishëm, për t'iu bashkuar familjes Euroatlantike, shtron përpara nesh, përpara qeverisë shqiptare, por edhe para të gjitha institucioneve të tjera të shtetit shqiptar, forcave politike, shoqërisë civile, medias apo grupeve të interesit një detyrim e një përgjegjësi të lartë, për të intensifikuar përkushtimin dhe punën, në mënyrë që Shqipëria të meritojë ftesën për anëtarësim në samitin e ardhshëm të zgjerimit, në vitin 2008.
Mesazhi inkurajues i Rigës ishte padyshim një lajm shumë i mirë për Shqipërinë, ndaj dhe përfitoj nga rasti të falënderoj Aleancën e Atlantikut të Veriut, SHBA në dhe vendet e tjera të kësaj Aleance, për përkrahjen dhe ndihmën e vazhdueshme ndaj Shqipërisë. Por, nga ana tjetër, përmes deklaratës përfundimtare, krerët e shteteve dhe të qeverive të vendeve anëtare bënë të qartë qëndrimin e Aleancës, se thellimi dhe konsolidimi i reformave, në veçanti, për sa i përket luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, konsolidimit të shtetit ligjor dhe i reformave në fushën e mbrojtjes, mbeten e vetmja rrugë për marrjen e ftesës në samitin e parë gjerues të NATO-s.
Gjatë këtyre 18 muajve qeverisjeje, rezultate shumë të rëndësishme janë arritur në luftën, me zero tolerancë, kundër krimit të organizuar, trafiqeve e korrupsionit. Organizatat më të fuqishme kriminale shqiptare kanë pësuar goditjen më të rëndë në historinë e tyre. Krerët dhe qindra anëtarë të tyre janë sjellë përpara drejtësisë, brenda dhe jashtë Shqipërisë, në bashkëpunim të ngushtë me agjencitë e zbatimit të ligjit të vendeve të tjera. Moratoriumi 3-vjeçar dhe masat e tjera ligjore e institucionale, masat ndërgjegjësuese me komunitetet më të prekura, si dhe masat për rehabilitimin e viktimave të trafikut, kanë reduktuar në mënyrë të ndjeshme trafiqet ilegale, nëpërmjet detit, për në Itali e, më pas, në Evropë.
Suksese tejet të rëndësishme janë arritur në luftën kundër korrupsionit në dogana, tatime dhe prokurimet publike, nxjerrja e administratës jashtë konfliktit të interesit. Këto arritje, si dhe lufta kundër informalitetit në ekonomi bënë të mundur rritjen e ndjeshme të të ardhurave në buxhetin e shtetit, me gjithë uljen e ndjeshme të taksave, gjatë së njëjtës periudhë.
Ne jemi të lumtur të theksojmë sot, para misionit faktmbledhës së NATO-s dhe delegacionit të saj të lartë, se, aktualisht, Shqipëria është shumë më lart në plotësimin e standardeve të Aleancës, se 18 muaj më parë. Situata politike në vend është stabël, sundimi i ligjit po rritet dita-ditës, parlamenti shqiptar vazhdon të mbetet tempulli i demokracisë dhe i debatit të frytshëm politik dhe vrulli i reformave të ndërmarra nga qeveria, është në thellim e sipër. Në muajt në vazhdim, plotësimi i objektivave, në kuadër të Membership Action Plan, udhërrëfyesit të procesit të anëtarësimit, do të vazhdojë të jetë përparësia më kryesore e të gjitha reformave, që qeveria do të ndërmarrë në sektorët e përfshirë në këtë plan.
Përparësi absolute e qeverisë mbetet konsolidimi i shtetit të së drejtës. Qeveria shqiptare është e ndërgjegjshme se reformat e domosdoshme në sistemin e drejtësisë, në sistemin zgjedhor, si dhe lufta kundër krimit e korrupsionit kërkojnë një konsensus të gjerë, të të gjitha forcave politike dhe të mbarë shoqërisë shqiptare. Duke qenë tërësisht të bindur, se integrimi në NATO është, para së gjithash, një projekt madhor, gjithëpërfshirës, me rëndësi strategjike për kombin dhe shtetin shqiptar, një aspiratë që tejkalon çdo barrierë ideologjike apo çdo interes individual të formacioneve të ndryshme politike, qeveria dhe mazhoranca e koalicionit të djathtë mbeten të hapura dhe te gatshme të bashkëpunojnë, në mënyrë konstruktive, me të gjitha forcat politike, të interesuara për të ardhmen euroatlantike të Shqipërisë.
Prandaj, në emër të qeverisë shqiptare, shfrytëzoj rastin të ftoj gjithë spektrin politik shqiptar, që, në këtë periudhë të shkurtër kohe, deri në samitin e ardhshëm, te përkrahin të gjitha reformat, që kërkon përgatitja e vendit për anëtarësim, në veçanti, reformat në shërbim të luftës kundër krimit, korrupsionit dhe për konsolidimin e shtetit të së drejtës. Sikundër ju garantoj se konsensusi dhe bashkëpunimi konstruktiv janë dhe mbeten përgjigjja e vetme e qeverisë shqiptare, sa herë që kjo kërkohet nga interesa madhore kombëtare.
Për sa i përket reformës në fushën e mbrojtjes, Forcat tona të Armatosura kanë hyrë në një seri transformimesh të thella e të rëndësishme, që synojnë t'i lejojnë ato të shfaqen denjësisht, përkrah ushtrive të aleatëve tanë në NATO, në shërbim të paqes dhe stabilitetit. Reforma ushtarake konsiston në një transformim të thellë të konceptit strategjik e të doktrinës së menaxhimit të personelit, të strukturës organizative, të infrastrukturave ushtarake, të stërvitjes dhe arsimimit, të sistemeve dhe të pajisjeve e të shumë elementeve të tjera. Misioni strategjik i Forcave të Armatosura bazohet në tri shtylla kryesore transformimi: E para, në zhvillimin e zbatimin e një strategjia veprimi nga Riga në Uashington, për përmbushjen e të gjitha kërkesave ushtarake të Membership Action Plan. Së dyti, në zhvillimin dhe konsolidimin, deri në vitin 2010, të një force cilësore, tërësisht profesioniste. Së treti, në transformimin e Forcave të Armatosura në një forcë ushtarake, më të vogël në numër, por më efikase, të pajisur mirë dhe të mirëstërvitur, me aftësi ndërvepruese me Forcat e Armatosura të partnerëve e aleatëve tanë, si dhe me kapacitete niche, për të qenë sa më e vlefshme në misionet e paqes, të NATO-s.
Qeveria shqiptare po e përkrah maksimalisht me mbështetje financiare dhe çdo mbështetje tjetër këtë reformë të Forcave të Armatosura. Buxheti për fushën e mbrojtjes është rritur nga 1.58 përqind, në vitin 2006, në 1.83 përqind, për vitin 2007, dhe do të arrijë shifrën 2 përqind të GDP-së, në vitin 2008, dy vjet më parë nga sa e kishim parashikuar në objektivat tona.
Zonja dhe zotërinj,
Shqiptarët janë sot krenarë që efektiva ushtarake dhe civile shqiptare marrin pjesë në misionet paqeruajtëse në Afganistan, Irak dhe Bosnje-Hercegovinë, krah ushtrive të aleatëve tanë të NATO dhe SHBA.
Në vitin 2007 dhe 2008, ne parashikojmë rritjen e numrit të përfaqësimit me personel në shtabet e NATO-s. Brenda vitit 2007, Shqipëria do të rrisë kontributin në misionin ISAF të drejtuar nga NATO në Afganistan me një kompani më tepër dhe do të vijojë kontributi i Ekipit të Përbashkët Mjekësor në ISAF, në kuadër të A-3.
Do të vijojë kontributi në misionet "Liria e Irakut", ALTHEA të BE në Bosnje, si dhe me vëzhgues në UNOMIG, në Gjeorgji. Në Mesdhe, Shqipëria do të marrë pjesë në Operacionin "Active Endeavour".
Ne vazhdojmё me vendosmёri politikёn tonё tё bashkёpunimit rajonal nё tё gjitha fushat nё funksion tё rritjes sё stabilitetit dhe sigurisё nё rajon. Ne fushen ushtarake, do të thellohet bashkëpunimi në kuadër të A-3 dhe të SEDM-it, sidomos për ndërmarrjen e projekteve, stërvitjeve dhe operacioneve të përbashkëta. Qeveria po planifikon masat për ngritjen në Tiranë në vitin 2007 të Kolegjit Rajonal të Mbrojtjes. Po kështu, do te vazhdoje shkëmbimi i eksperiencave ne kuadër të A3-B3. Ne ndajmë bindjen e thelle qe vendet e A3 së bashku ofrojnë një vlerë të shtuar në garantimin e sigurisë së krahut juglindor ta Aleancës dhe me anëtarësimin e tyre ne NATO, rajoni i Europës Juglindore bëhet më i sigurt se kurrë.
Ne kemi mbështetur dhe mbështesim marrëveshjen që Presidenti Ahtisari paraqiti për zgjidhjen e statusit final të Kosovës. Ne besojmë se kjo marrëveshje, e cila bën të mundur realizimin e aspiratës së popullit të Kosovës, për shtetin e lirë dhe të pavarur, garanton gjithashtu të gjitha liritë dhe të drejtat e pakicave në këtë vend dhe ajo do të shndërrohet, me kontributin e qytetarëve të Kosovës, të komunitetit ndërkombëtar dhe të vendeve të rajonit, në një marrëveshje të vërtetë paqeje dhe stabiliteti, jo vetëm për Kosovën, por edhe për rajonin e më gjerë.
Duke përfunduar, do të doja të falënderoja misionin faktmbledhes te NATO-s per bashkëpunimin e shkëlqyer qe ne kemi ndërtuar gjate gjithë cikleve te MAP-it dhe t'ju siguroj edhe një herë se Qeveria Shqiptare mbetet plotësisht e vendosur te çoje deri ne fund te gjitha të gjitha reformat e kërkuara nga Aleanca e Atlantikut te Veriut, qe Shqipëria te meritoje ftesën ne samitin qe do te vendose zgjerimin e NATO-s".