Sot pasdite, Kryeministri Berisha mirëpriti Zëvendëssekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, zotin John Colston, i cili vjen në krye të Ekipit të Zgjeruar Faktmbledhës së NATO-s, për të bërÃ
Sot pasdite, Kryeministri Berisha mirëpriti Zëvendëssekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, zotin John Colston, i cili vjen në krye të Ekipit të Zgjeruar Faktmbledhës së NATO-s, për të bërë vlerësimin e ecurisë së Planit Kombëtar të Veprimit për anëtarësim në NATO.
Në takim, Kryeministri Berisha e falënderoi zotin Colston për vizitën dhe për mesazhin inkurajues dhe nxitës të Samit të NATO-s në Rigë. Kryeministri i prezantoi reformat e ndërmarra në vend, përsa i përket luftës kundër krimit të organizuar, trafiqeve, korrupsionit, reformat për konsolidimin e shtetit ligjor dhe zhvillimin ekonomik të vendit me ritme të shpejta.
Përsa i përket reformave në fushën e mbrojtjes, Kryeministri Berisha e njohu me arritjet në procesin e transformimit të Forcave të Armatosura dhe shndërrimin e tyre në një ushtri moderne dhe profesioniste të standardeve të NATO-s, si dhe angazhimin e qeverisë për mbështetjen e gjithanshme të kësaj reforme, në veçanti rritjen e buxhetit në masën 2 përqind të GDP-së për vitin 2008. Gjithashtu, Kryeministri shprehu vendosmërinë e qeverisë për rritjen e pjesëmarrjes së Shqipërisë në misionet paqeruajtëse të NATO-s, si dhe vazhdimin e politikës konstruktive dhe të bashkëpunimit në rajon.
Përsa i përket zgjedhjeve lokale, Kryeministri Berisha u shpreh se qeveria e mbajti premtimin duke zhvilluar zgjedhje të lira, që reflektuan vullnetin e elektoratit shqiptar. Nga ana e tij, Zoti Colston u përgjigj se, duke respektuar vlerësimin e OSBE/ODIHR, dëshiroj të vlerësoj se zgjedhjet u zhvilluan në një klimë konkuruese reale, procesi i votimit reflektoi vullnetin e lirë të elektoratit shqiptar dhe se forcat e rendit mbajtën një qëndrim korrekt e profesionist.
Zoti Colston shprehu përkrahjen e tij për reformat e ndërmarra në vend dhe vlerësoi arritjet në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe korrupsionit, kontrollit të kufijve dhe masat në fushën e sigurisë, reformat në fushën ekonomike dhe atë të mbrojtjes. Gjithashtu, ai vlerësoi rolin konstruktiv dhe marrëdhëniet e mira që Shqipëria ruan me të gjitha vendet e rajonit. Zoti Colston falënderoi në veçanti për përkrahjen që Shqipëria i ka dhënë NATO-s në misionet e paqes në Irak, Afganistan, Bosnje-Hercegovinë dhe vlerësoi lart përpjekjet e Shqipërisë për të rritur këtë pjesëmarrje.
Zoti Colston theksoi se NATO përkrah dhe mbeshtet tërësisht aspiratën e Shqipërisë për t'u anëtarësuar në Aleancë dhe theksoi domosdoshmërinë e vazhdimit të reformave në konsolidimin e shtetit ligjor, luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe korrupsionit.