Sot paradite, Kryeministri Berisha priti në zyren e tij, Drejtorin për Ballkanin Perendimor të Komisionit Evropian, Zotin Reinhard Priebe. Ata diskutuan gjerësisht mbi ecurinë e procesit të inte
Sot paradite, Kryeministri Berisha priti në zyren e tij, Drejtorin për Ballkanin Perendimor të Komisionit Evropian, Zotin Reinhard Priebe. Ata diskutuan gjerësisht mbi ecurinë e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, reformat e qeverisë në fushën e luftës kundër krimit dhe korrupsionit, ne fushën e ekonomisë dhe investimeve të huaja, etj. Në mënyrë të veçantë, diskutuan mbi fuqizimin e mëtejshëm të bashkëpunimit midis BE dhe Shqipërisë, veçanërisht zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.
Zoti Priebe u shpreh i kënaqur me arritjet e deritanishme të qeverisë, mbi të gjitha me arritjet e qeverisë në fushën e luftës kunder krimit dhe korrupsionit duke shprehur vlerësimin e Komisionit për këto arritje.
Kryeministri Berisha dhe Zoti Priebe diskutuan gjithashtu edhe mbi zhvillimet politike në vend dhe në mënyrë të veçantë për zgjedhjet e ardhshme lokale. Në këtë kuadër Zoti Priebe theksoi se "ftesat për bojkotim të zgjedhjeve janë të paarsyeshme" dhe se politikanët duhet t'i ftojnë qytetarët për të votuar dhe kurrsesi bojkotuar. Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e realizimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në vend.
Zoti Priebe shprehu gjithashtu vlerësimin e Komisionit dhe të Zotit Solana për rolin aktiv dhe shumë pozitiv që po luan Shqipëria në bashkëpunimin rajonal, duke theksuar rëndësinë e madhe që ka ky bashkëpunim për përpjekjet integruese të të gjithë rajonit.
Në fund të takimit Kryeministri Berisha dhe Zoti Priebe bënë këto komente për mediat:
Reinhard Priebe: Patem një shkëmbim shumë të detajuar pikëpamjesh me zotin kryeministër për atë ku ndodhet Shqipëria gjatë proçesit të integrimit Evropian. Ne jemi shumë të lumtur që marrëveshja e stabilizim-asociimit është nënshkruar verën e kaluar. Gjithashtu zoti kryeministër më informoi se procesi i ratifikimit të marrëveshjes së përkohshme është realizuar dhe ajo do të hyjë në fuqi në 1 dhjetor të këtij viti, dhe ky është një lajm shumë i mirë.
Hapi i ardhshëm është implementimi i marrëveshjes së përkohshme, i cili do të kërkojë disa ndryshime në taksat doganore si dhe do të sjellë të drejta dhe detyrime të reja. Ne biseduam gjithashtu edhe për atë çka duhet të bëhet për të qenë të sigurtë që implementimi i kësaj marrëveshjeje të bëhet ashtu siç duhet.
Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë intensivisht me qeverinë shqiptare për përmirësimin e kapaciteteve të administratës, që është një sfidë për vendin. Dhe ne jemi gati për të dhënë këshillime dhe mbështetje financiare për të gjitha gjërat që duhet të kryen, në mënyrë që të ndihmojmë administratën shqiptare për të kapërcyer sfidat dhe për t'iu afruar sa më shumë standardeve evropiane.
Gjithashtu, biseduam për zgjedhjet vendore. Jemi duke pritur për vendimin e presidentit për të përcaktuar datën kur do të zhvillohen zgjedhjet. Ajo çka BE dëshiron dhe shpreson të shohë një progres të qartë në procedurat e zgjedhjeve, në mënyrë që pas kryerjes së zgjedhjeve vendore të mund të themi që vendi ka hedhur një hap tjetër drejt procedurave të rregullta dhe të sakta zgjedhore.
Kryeministri Berisha: Unë edhe një here shfrytëzoj rastin për ti shprehur mirënjohjen më të thellë Komisionit Europian në tërësi dhe zotit Priebe në vecanti, për kontributin e tij jashtëzakonisht të çmuar në procesin e përparimit të Shqipërisë drejt BE, në procesin e përparimit të Shqipërisë drejt normave dhe standarteve demokratike. Për vite me rradhë zoti Priebe dhe ekipi i tij kanë ardhur me dosjen e Shqipërisë në mënyrë të përsëritur në vendin tonë. Ata kanë ndihmuar, kanë udhëhequr të gjithë procesin e negociimit, në marrëveshjen e stabilizim asoociimit, por gjithashtu kanë dhënë një ndihmë të pazëvendësueshme në procesin zgjedhor. Gjatë takimit, unë e sigurova zotin Priebe se qeveria është e vendosur që të gjitha kërkesat e marrëveshjes së stabilizim-asociimit, ti zbatojë me seriozitetin më të madh nëpërmjet reformave të gjithëanshme. Unë e sigurova se qeveria është shumë e vendosur për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm. Qeveria do të bëjë çfarë është e mundur për të patur zgjedhje plotësisht të lira dhe të ndershme në Shqipëri. Dhe ne po presim datën që ti dërgojmë ftesa të gjithë institucioneve ndërkombëtare, OSBE, Parlamentit Europian, Këshillit të Europës, që të vijnë të vëzhgojnë dhe të monitorojnë procesin zgjedhor në Shqipëri.
Me zotin Priebe diskutuam për bashkëpunimin në të gjitha fushat me Komisionin Europian në Shqipëri, domosdoshmërinë e projekteve europiane për rajonin, dhe patëm një mirëkuptim të plotë për të gjitha problemet. Edhe njëherë dua ta falenderoj shumë përzemërsisht zotin Priebe për kontributin e tij të çmuar.
Pyetje: A mendoni se qeveria e re është në rrugën e duhur për të arritur drejt qëllimit final që është integrimi europian i vendit dhe ku duhet të përqëndrohet ajo?
Zoti Priebe: Ashtu siç e thashë, nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit është një hap shumë i rëndësishëm sepse marrëdhëniet mes Bashkimit Europian dhe Shqipërisë janë intensifikuar më shumë. Do të kemi një periudhë shumë intensive të bashkëpunimit gjatë kësaj kohe me komisione e nënkomisione dhe gjithë mekanizmat e marrëveshjes do të na ndihmojnë që ta organizojmë këtë. Të gjithë e dinë se përmbushjave e kritereve bazë për anëtarësimin në BE, si dhe kërkesat teknike që kërkon ky anëtarësim, përbëjnë një sfidë shumë të madhe dhe ne do të duhet të punojmë për këtë. Është e pamundur të parashikohet se sa kohë do të duhet për përmbushjen e këtyre kërkesave, por unë mendoj se nëse ne do të vazhdojmë punën, siç kemi bërë gjatë viteve të fundit dhe, nëse do të ketë një konsesus të gjerë mes partive politike në vend, se kjo është çështja më prioritare mbi të cilën duhet të përqëndrohen energjitë, atëherë Shqipëria do të përparojë në rrugën e saj drejt Evropës.
Pyetje:Çështja e pronave është një nga problemet kyçe në vend. Si e shikoni këtë proces deri tani dhe a duhet të vazhdojë procesi i privatizimit dhe dhënia me qera pa përfunduar procesi i kthimit dhe kompensimit të pronave?
Zoti Priebe: Është një temë që ne e kemi diskutuar shumë shpesh në takimet tona teknike. Ne jemi të vetëdijshëm që është një çështje shumë e debatueshme dhe shumë e vështirë dhe kjo nuk është një çështje shumë e veshtirë vetëm për Shqipërinë, por për të gjitha vendet që janë në tranzicion. Unë nuk mund të hyj në detaje, sepse çështja e legjislacionit për pronën nuk është një kompetencë e Bashkimit Europian. Ajo çka është thelbësore në çështjet e pronësisë është që gjërat të zgjidhen në mënyrë kushtetuese dhe kur njerëzit të bëjnë ankime për pronën të ketë një mbështetje të duhur ligjore. Dhe së fundmi, ajo që nuk duhet të harrojmë është se kjo ka edhe një dimension financiar.
Pyetje: Zoti Berisha, ndonjë koment i juaji lidhur me çështjen e pronave?
Kryeministri Berisha: Mendoj se ligji i amenduar, apo ligji që u miratua në parlament, si kuadër ligjor, i jep përgjigjen më të mirë të mundshme këtij problemi. Agjencia e krijuar po organizohet me shpejtësi. Qeveria është shumë e vendosur të bëjë përpjekjet më serioze për rikthimin e pronave ekzistuese dhe kompensimin e të tjerave me vlerën e tregut, sikundër procesi i privatizimit të pasurive publike, apo i dhënies me qera, është një proces që nuk mund të ndërpritet. Qeveria ka krijuar dhe do të fuqizojë forndin për kompensimin e dhënë në monedhë për pronën. Është një proces në dinamizëm, në rritje.
Pyetje: A janë bërë akte nënligjore të ligjit për pronat?
Kryeministri Berisha: Aktet nënligjore të ligjit po shqyrtohen, janë në përfundim, kanë nevojë për një amendim të lehtë sepse kanë mbetur 1300 ankesa të pashqyrtuara nga komiteti dhe dikush duhet t'i shqyrtojë, duhet të autorizohet nga parlamenti Agjencia e re që të shqyrtojë këto ankesa.
Pyetje: Zoti Berisha, lidhur me çështjen e zgjedhjeve, ju deklaruat se prisni datën e zgjedhjeve. Kjo do të thotë se nuk do të zhvillohet reforma zgjedhore?
Kryeministri Berisha: Data e zgjedhjeve është e domosdoshme sepse institucionet ndërkombëtare duhet të planifikojnë monitorimin e zgjedhjeve dhe sa më herët t'ua çojmë datën, aq më mirë ato mund të planifikojnë vëzhgimin e zgjedhjeve tona. Për sa i përket reformës dua të qartësoj dy momente;Çfarë është pjesë e marrëveshjes, ne jemi të vendosur ta zbatojmë pikë për pikë, siç kemi firmosur. Sot është dërguar në parlament amendimi kushtetues me firmat përkatëse të deputetëve, siç kemi rënë dakort, për zgjerimin e KQZ-së dhe kalimin me mandat 4 vjeçar për të zgjedhurit që do të dalin nga zgjedhjet lokale. Po bëjmë të gjitha përpjekjet për listat më korrekte, siç ramë dakort në marrëveshje. Pra, jemi të vendosur të zbatojmë pikë për pikë marrëveshjen.