Sot paradite, u zhvillua mbledhja e radhës e Këshillit të Ministrave. Në fillim të mbledhjes, Kryeministri kërkoi angazhimin e të gjitha strukturave për të vazhduar reformat e ndërmarra dhe
Sot paradite, u zhvillua mbledhja e radhës e Këshillit të Ministrave. Në fillim të mbledhjes, Kryeministri kërkoi angazhimin e të gjitha strukturave për të vazhduar reformat e ndërmarra dhe për të shpejtuar ritmin e tyre, tashmë që procesi zgjedhor është drejt mbylljes. Kryeministri theksoi se të gjitha premtimet elektorale, pavarësisht rezultatit zgjedhor, është detyrim që të shndërrohen në realitet. Në fjalën e tij, ndër të tjera, Kryeministri theksoi:
"Mbledhja e radhës është një ftesë që buron nga reformat, është një apel që të kompensohet koha gjatë fushatës, e cila në mënyrë të pashmangshme, i ngadalësoi këto reforma, me një angazhim më të madh të stafeve.
Zgjedhjet janë në përfundim e sipër dhe është jashtëzakonisht e rëndësishme të rimerret ritmi i reformave, ritëm jetik për proceset e Stabilizim Asociimit, për konsolidimin e institucioneve dhe, në tërësi, për realizimin e programit të qeverisë.
Sikundër, dua të theksoj këtu se premtimet e bëra në këtë fushatë, pavarësisht nga rezultati, jemi të detyruar t'i shndërrojmë në realitet. Nuk mund të ndikojë rezultati i votimit në mosrealizimin e premtimeve të paraqitura nga zyrtarët në zonat ku ata kanë bërë fushatë, sepse nuk duhet të harrojmë se interesat e qytetarëve janë një, pavarësisht se si ata e shpërndajnë votën e tyre. Premtuam Universitetin Myzeqeja dhe, zoti ministër i Arsimit, vitin që vjen ky universitet do të jetë realitet.
Të gjitha premtimet që kemi bërë janë dhe do të jenë pjesë e programit tonë të qeverisë, sepse kjo është konstantja e seriozitetit të një force politike apo koalicioni forcash politike. Në tërësi, premtimet kanë qenë të kalibruara dhe nuk ka pasur fantazi dhe këto premtime, pavarësisht nga rezultati, duhet të shndërrohen në realitet për qytetarët"