Sot pasdite, Kryeministri Berisha dha një konferencë për shtyp në selinë e Partisë Demokratike. Fillimisht, Kryeministri Berisha bëri këtë deklaratë: "Në 18 shkurt, zgjedhësit shqipta
Sot pasdite, Kryeministri Berisha dha një konferencë për shtyp në selinë e Partisë Demokratike. Fillimisht, Kryeministri Berisha bëri këtë deklaratë:
"Në 18 shkurt, zgjedhësit shqiptarë i dhanë, me votën e tyre, një mbështetje plebishitare koalicionit qeveritar dhe reformave të tij. Në 18 shkurt shqiptarët, në rreth 2/3 e bashkive dhe komunave të vendit të tyre, votuan për kandidatët e koalicionit qeveritar, duke shënuar fitoren më të thellë në zgjedhjet vendore në 15 vitet e fundit dhe pothuajse duke përsëritur në përmasa fitoren e vitit 1992.
Zoti e bekoftë votën e tyre të lire!
Krahasuar me vitin 2003, numri i bashkive dhe komunave që koalicioni qeveritar fitoi, u rrit nga 136 në 238 njësi të qeverisjes vendore, pra, pothuajse u dyfishua. Ky numër do lartësohet edhe më disa të tjera vendore, të cilat mezi po presin të rrjeshtohen në kurorën e fitores.
Fitorja e 18 shkurtit ishte plebishitare sepse kandidatët e koalicionit qeveritar, me programet e tyre të shkëlqyera, formuan edhe vizionin e tyre. Ne i fituam së bashku 610 mijë vota, duke lënë prapa aleancën e koalicionit të humbjes me 75 mijë vota.
Fitorja e 18 Shkurtit ishte plebishitare, sepse të gjithë ata qytetarë, që duan që zgjedhjet lokale të së dielës së shkuar t'i konsiderojnë një votë politike, në rast se do të lexojnë rezultatet në 100 zonat elektorale të vendit, do të gjejnë se koalicioni qeveritar u zgjua ditën e hënë fitimtar në 71 prej tyre. Ndër to, Aleanca e humbjes mori gjithsej 29 zona elektorale. Por, duhet të jem i sinqertë me ju. Jo të paktë ishin qytetarët shqiptarë, ndër të cilët edhe Sali Berisha,
Kryeministri i vendit, që priste me padurim të dielën si një ditë referendumi për qeverisjen e tij, për qeverisjen e koalicionit prej 16 muajsh. Jam krenar, jam plotësisht mirënjohës se, ditën e hënë, qeveria mori rreth 56 perqind të votave të qytetarëve shqiptarë.
Dua të theksoj se, në rast se do të ktheheshim bashkërisht në zonat elektorale edhe njëherë, koalicioni i humbjes do të gjente një shkretëtirë elektorale, nga Lapraka deri në Vermosh. Kurse nga Fieri deri në Konispol, duke mos u ndalur në Berat, koalicioni "Rama- little Rama" ka marrë gjithsej 4 deputetë. Këto janë të vërtetat e mëdha elektorale të asaj dite të bekuar, të 18 Shkurtit në të cilën qytetarët shqiptarë u ngritën në lartësinë maksimale të mençurisë së tyre.
Fitorja e 18 shkurtit ishte plebishitare sepse vendos qeverisjen e koalicionit, të aleancës më të madhe, në rreth 10 qarqe të vendit. Fitorja ishte plebishitare sepse unë e di që ju doni ta krahasoni me votat e marra në 2005. Është normale kjo kërkesë. Në 2005, binomi "Rama i madh dhe Rama i vogël" ka marrë, duke hequr këtu votat e Partisë Agrare, aleatit tone, rreth 680 mijë vota, ndërsa në këto zgjedhje kanë marrë, 536 mijë vota. Por, sa mori koalicioni ynë në 3 korrik 2005? Në 3 Korrik 2005 mori 634 mijë vota, ndërsa tani mori 620 mijë vota, pra koalicioni "Rama i madh dhe Rama i vogël" ka humbur 1/4 e votës elektorale, ka humbur 7 herë më shumë sesa koalicioni qeveritar, i cili ka një diferencë me 3 korrikun gjithsej me 22 mijë vota dhe po të zbresim dhe ato që do të vinë kjo diferencë shkon në 10 mijë vota, të cilat janë një pjesë që i kanë bërë të pavlefshme në Tiranë.
Por me këtë rast, dua tu shpreh mirënjohjen më të thellë, tu përcjell përshëndetjet më të zjarrta qytetarëve shqiptarë, për mbështetjen e tyre masive për kandidatët e koalicionit qeveritar, mirënjohjen më të thellë strukturave të partisë demokratike, shtabeve elektorale të kandidatëve të kolacicinit më të madh që vendi kishte njohur, anëtarëve dhe mbështetësve të partive aleate, bashkëpuntorëve të mi, për kontributin dhe ndihmën e tyre tejet të çmuar që dhanë në fitoren e 18 shkurtit.
Dua të them se ky koalicion ishte më luajali, më i suksesshmi në historinë e të gjitha zgjedhjeve. Por, sikundër aleatët e mi kanë dëshmuar luajalitet dhe përkushtim, edhe unë kam krenari dhe kënaqësi të informoj qytetarët shqiptar, të cilët i kam takuar në dhjetra dhe qindra sheshe të vendit në këtë fushatë dimërore se, në asnjë rast nuk i lejova vetes t'i ftoja ata të votonin për Partinë Demoktratike, pavarësisht se mbështetësit dhe anëtarët e tyre, do të votonin të gjithë së bashku kandidatin e qeverisë dhe të koalicionit qeveritar.
Duke shprehur ndaj zgjedhësve që votuan për koalicionin qeveritar edhe njëherë respektin, dashurinë dhe mirënjohjen time më të thellë, dua t'i garantoj se vota dhe besimi i tyre për qeverinë, do të përdoret për garantimin më tej të lirisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve shqiptarë, përmirësimin e kushteve të jetesës së tyre dhe integrimin e vendit në institucionet euroatlantike. Kjo votë është energjia e pashtershme e reformave të mëdha dhe të gjithëanëshme për të cilat Shqipëria ka nevojë jetike. Qytetarët shqiptarë votuan reformën me votë plebishitare. Ne qëndrojmë plotësisht për të marrë të gjitha masat, për të shpejtuar dhe konsoliduar reformat e nisura.
Ndonëse, siç e theksova dhe më sipër, 56 për qind e zgjedhësve shqiptarë votuan në mënyrë referendare, kandidatët e qeverisë u dhanë atyre fitoren në 238 njësi, nga 376 njësi të qeverisjes vendore në të cilat u votua, apo në 71 zona elektorale nga 100 që ka vendi, sërish 43 për qind e qytetarëve shqiptarë me votën e tyre ndryshe, vecanërisht në qytetet e mëdha të vendit, nderuan pluralizimin politik dhe ftuan qeverinë që të ridimensionojë qëndrimet e saj, në mënyrë që zëri i tyre të dëgjohet më shumë, të përcillet më shumë, në mënyrë që programi dhe veprimtaria e qeverisë të pushtojë mendjet dhe zemrat e tyre. Duke shprehur kështu respektin më të palëkundur për votën e tyre dua të garantoj se, për Qeverinë e Koalicionit dhe për Partinë Demokratike, përmasat e fitores dhe entuziazmi nuk mund që të errësojnë sadopak vendosmërinë tonë. Pra, vota e tyre nuk bie dhe nuk duhet të bjerë në vesh të shurdhër.
Qeveria do të shqyrtojë një seri të tërë ndryshimesh dhe masash, po kështu edhe Partia Demokratike, në mënyrë që jo me fjalë, por me akte konkrete të trokasë në zemrën e këtyre qytetarëve, t'i bindë ata se mbrojtësi dhe avokati më i ndershëm publik i interesit të tyre është Qeveria që kryeson Sali Berisha."
Pas deklaratës, Kryeministri iu përgjigj interesimit të gazetarëve:
Pyetje: Ju i premtuat kryeqytetit se do ta nxirrni Edi Ramën në pension, si piktor të dështuar. Pas humbjes, ç'koment keni për këtë?
Kryeministri: Le të qëndrojmë këtu. E nxorrëm në pension si kryetar të dështuar. Një kryetar partie që arrin të marrë këto zgjedhje 28 për qind të votave më pak se 16 muaj më parë, pra në 3 korrik 2005, duhet të firmosë aktin qytetar. Kjo nuk më takon mua.
Pyetje: Koalicioni i majtë është shprehur se ka fituar bashkitë e mëdha falë bashkëpunimit të ngushtë mes partive të opozitës. A mund të themi se Aleanca e Madhe i ka humbur këto bashki si pasojë e moskoordinimit me partitë e tjera të koalicionit?
Kryeministri: Nuk e keni konstatuar që Rama i vogël ka tre ditë që këndon këngën "Rroftë Edvini, poshtë PS-ja". E këndojnë të gjithë socialistët.Çfarë kërkoni ju më tepër? A po e feston ndokush fitoren e Ramës? Qyteti nuk ka gëzim. Qyteti u lëndua shumë me skenaret e turpshme në kombinat. (Qyteti u lëndua shumë nga bandat që qarkullonin.) Qyteti ka lëndim, nuk ka festë.
Pyetje: Ju theksuat se koalicioni i djathtë është fitues i këtyre zgjedhjeve, megjithatë ai ka humbur bashkitë kryesore të vendit. Cili është komenti juaj në lidhje me humbjen e tyre?
Kryeministr: Koalicioni i djathtë është thellësisht fitues. Unë u shpreha se do të vlerësoj qëndrimin e qytetarëve. I kam ndjekur me vëmendje këto ditë. Nuk flas për "çiftin", që bën çdo gjë për të maskuar humbjet. Është tjetër gjë kjo, por për të tjerë të cilët, ndofta për defekt të kulturës elektorale, apo ndonjë gjëje tjetër, kanë bërë lapsus. Vota e çdo qytetari shqiptar, e kryeministrit shqiptar dhe e qytetarit më të largët nga kjo qendër këtu, është e barazvlefshme. Kjo është një nga arritjet më të mëdha. Së dyti, tërësia e këtij vendi është tjetër fakt që askush nuk mund ta mohojë. Ndaj dhe ajo që thoni ju, kërkon lexim dhe të jeni të sigurtë se ka filluar leximi dhe deshifrimi i këtij mesazhi, sikundër e them këtu se duhet të lexohet dhe të deshifrohet fitorja. Por unë, personalisht, dua t'u faktoj qytetarëve se vota e tyre ndryshe nuk bie në vesh të shurdhër, sikundër dua të garantoj të gjithë qeveritarët vendorë të zgjedhur, t'i uroj ata përzemërsisht dhe t'u them se Kryeministri, i cili ka shkuar në cdo shesh duke bërë premtime, do t'i mbajë ato njëlloj pavarësisht se kush ka fituar në zgjedhje. Premtimet e mia kanë qenë para së gjithash për qytetarët, qëndroj jashtë çdo lloj koncepti diskriminues.
Pyetje: Ju jeni shprehur përpara zgjedhjeve për ndryshime të mundshme në qeveri, pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve. Ndryshimet e pritshme do të jenë në bazë të rezultateve të zgjedhjeve?
Kryeministri: Një qeveri që merr 56 për qind të votave me referendum popullor, është qeveri e akteve madhore. Absolutisht i qëndroj plotësisht marrëveshjes që kam nënshkruar me Partinë Demokristiane, për ta konkretizuar atë. Ashtu sikundër nuk mund të mos marr në shqyrtim gjithcka, jo në raport me votat, sepse po të shohim votat, atëherë një qeveri që merr 56 për qind të votave ka notë të shkëlqyer, por kjo nuk më pengon që të studioj çdo dikaster dhe çdo agjenci në raport me reformat. Reformat janë kriteri.
Pyetje: Zoti Berisha, PD ka humbur në qytetet më të mëdha. Kush mban përgjegjësi për këtë? A duhet të fillojë nga ju vetë?
Kryeministri: Edhe njëherë dua të theksoj se Partia Demokratike dhe aleatët e saj korrën fitoren më të thellë në këto 15 vjet pluralizëm. Ky është fakti më rëndësishëm i kësaj fushate. Ky është frut i kësaj fushate. Eshtë e vërtete që në disa nga qytetet e mëdha Partia Demokratike nuk fitoi. Është shumë e vërtetë që Partia Demokratike dhe unë personalisht kam të gjithë potencialin për një shqyrtim të të gjitha shkaqeve dhe korrigjim të tyre. Fitorja edhe kur eshte e vogël është bizhu. Kur është e madhe duhet të kesh vetëpërmbajtje, ta respektosh, të përpiqesh ta kthesh në një mirësi për ata që ta dhuruan.
Pyetje: Ju fituat në një pjesë të madhe të vendit, ndërkohë që humbët Tiranën, që do të ishte edhe guri i çmuar i kurorës së fitores së këtyre zgjedhjeve. C'koment keni për këtë?
Kryeministri: Nuk ka patur ndonjëherë ndër mend Sali Berisha të jetë as mbret, as sulltan. Unë u shpreha se do të respektoj votën e qytetarëve shqiptarë. Kam kënaqësinë e madhe, sepse kjo ka qenë vota më e lirë që ata kanë dhënë në këto 15 vjet. Ju e keni ndjekur vetë procesin e zgjedhjeve. Më thoni se cili segment i pushtetit ushtroi presion mbi qytetarët? Le te lexojmë raportin e ODIHR se çfarë thotë. Ministria e Brendshme përmirësoi listat. Nuk bëri atë që është bërë nga qeverisja e shkuar për dhjetra vite me radhë, për të përjashtuar qytetarët. Ju kam ndjekur gjithë ditën dhe kam patur gjithë vëmendjen se ku do të gjenden qytetarë që nuk do të votojnë. I gjetët në kombinat. Por nuk pati përjashtime nga lista. Askund qytetarët nuk erdhën para kamerave dhe të thonin se nuk e gjetën emrin në listë, apo se qeveria na ka hequr emrin. Përkundrazi, qeveria bëri atë që i ndihmoi, u dha një program të shkëlqyer njësive vendore për përmirësimin e listave.
Koment gazetari: Edi Rama fitoi në Tiranë. Ndaj insistoj tek komenti juaj mbi këtë fakt.
Kryeministri: Por, ai humbi Shqipërinë. Cdo të thotë kjo? T'i fitonte maxhoranca të gjitha?
Pyetje në lidhje me fushatën e kandidatit Olldashi.
Kryeministri : Absolutisht e nderova dhe do ta nderoj Tiranën gjithë jetën time. Jam shumë krenar me Sokol Olldashin dhe me kandidatët, të cilët janë vektorët e kësaj fitoreje.
Olldashi mbetet një nga figurat kryesore të Partisë së tij.
Pyetje: Aleati juaj Nard Ndoka është shprehur publikisht për një plan manipulimi. A është e vërtetë?
Kryeministri: Ky është një trillim i mirëfilltë mediatik.
Pyetje: A keni ndonjë koment mbi deklaraten e z. Grunet?
Kryeministri: Po të lexosh raportin do të gjesh se qeveria ka bërë të gjitha detyrat. Nuk do të gjesh në asnjë rast dhe në asnje moment, qoftë dhe shprehjen më minimale të vullnetit të qeverisë për të cënuar votën e qytetarëve. Në bankën e të akuzuarve është marrëveshja e turpshme e 13 janarit, e cila u imponua nga një njeri në krizë, një marrëveshje e cila përbën një rast të turpshëm ndaj zgjedhësve shqiptarë, që ashtu siç thotë raporti, pengoi punën e gjendjes civile, pengoi punën e komisionit, përjashtoi zgjedhësit nga votimi, potencialisht dhe siç e patë raportin, me të cilin jam 100 perqind dakort, ai thotë se Bodinakët, Kokonët dhe Veizët minuan procesin zgjedhor në Tiranë. Tirana doli e plagosur nga zgjedhjet. Siç thotë raporti ne shumë e shumë gjera të tjera, qeveria bëri atë që kishte në dorë.
Pyetje: Sipas ndërkombëtarëve, ato pak incidente u mbyllën pa probleme. A kanë pasur ndikim në rezultatin përfundimtar?
Kryeministri: Në planin e përgjithshëm, tek ndikimi në rezultat kanë pasur ndikim, nuk mund të pohoj përmbysës. Në rastin e kombinatit, pa asnjë diskutim ka pasur ndikim tek rezultati për minibashkinë. Kurse në planin moral janë damka të rënda mbi Edvinin dhe bashkiakët e tij.
Pyetje: Kur do ta festoni fitoren?
Kryeministri: Fitoren do ta festojmë me reforma. Reformat janë festa jonë. Ju lutem u raportoni qytetarëve të vërtetat e tyre elektorale, sepse kam konstatuar një lloj konfuzioni, i cili nuk besoj se është i qëllimshëm. Por faktet janë aq kokëforta, sa që ju e dëgjuat vetë. Ju faleminderit!"