Sot pasdite, Kryeministri Berisha mirëpriti Kryeministrin e Hungarisë, zotin Ferenc Gyurcsany. Pas takimit, të dy personalitetet u prononcuan për mediat, duke bërë këto komente:
Sot pasdite, Kryeministri Berisha mirëpriti Kryeministrin e Hungarisë, zotin Ferenc Gyurcsany. Pas takimit, të dy personalitetet u prononcuan për mediat, duke bërë këto komente:
Kryeministri Berisha: "Pata nderin dhe kënaqësinë e veçantë t'i uroj mirëseardhjen e ngrohtë e të përzemërt Kryeministrit të Hungarisë, zotin Ferenc Gyurcsany. I rikujtova Kryeministrit se mbretëresha e shqiptarëve ishte hungareze, nga më të mirat në Evropë.
Marrëdhëniet mes dy vendeve kanë qenë miqësore në të gjitha kohërat, veçanërisht në këto 15 vjet, Hungaria është dëshmuar një mik i çmuar i Shqipërisë dhe e ka mbështetur atë në të gjitha aspektet. Shpreh bindjen se kjo vizitë zyrtare e Kryeministrit do të shënojë një kontribut të ri në marrëdhëniet mes dy vendeve.
E njoha Kryeministrin me të gjitha përpjekjet e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe, në veçanti, nismat për përmirësimin e klimës së biznesit dhe dy projektet më madhore të këtij shekulli, integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe NATO. Kryeministri Gyurcsany më garantoi se Hungaria do të mbështesë fuqimisht përpjekjet tona në këtë drejtim. Sikundër ramë dakort edhe për përpjekje të përbashkëta për të inkurajuar intensifikimin e marrëdhënieve në të gjitha fushat, në atë ekonomike, të arsimit, kulturës, zbatimit të ligjit, në fushën ushtarake etj..
Me Kryeministrin Gyurcsany diskutuam për edhe zhvillimet në rajon. Ne besojmë se mbështetja ndaj Presidentit Ahtisari dhe përpjekjeve e tij, është rruga më e mirë për të promovuar më tej paqen dhe stabilitetin. Në vlerësimin tim, garantimi i lirive dhe të drejtave të minoritetit serb dhe të minoriteteve të tjera në Kosovë, sikundër dhe respektimi i vullnetit të shumicës, i shprehur për pavarësi, përbëjnë kushtet më madhore për paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe në rajon.
Edhe një herë dua të shpreh kënaqësinë për këtë vizitë dhe të falënderoj Kryeministrin Gyurcsany, qeverinë e Hungarisë dhe popullin mik hungarez për mbështetjen që i kanë dhënë dhe i japin Shqipërisë.
Kryeministri Ferenc Gyurcsany: I nderuar Zoti Kryeministër, zonja dhe zotërinj.
E kaluara na ka mësuar se radikalizmi ka sjellë mungesë stabiliteti dhe paqeje në rajonin tonë. Ne po e shohim se për sigurimin e paqes në rajon nuk ka rrugë tjetër veçse integrimit euroatlantik, në mënyrë që t'i bashkohemi institucioneve të Evropës së bashkuar dhe bashkëpunimit të gjithanshëm ekonomik, kulturor, etj..
Ne jemi këtu për t'i shprehur mbështetjen tonë Shqipërisë, e cila, si edhe ne, ka zgjedhur në mënyrë të qartë rrugën drejt Evropës së bashkuar. Ne inkurajojmë të gjitha përpjekjet e qeverisë Berisha. Natyrisht, përpjekja më e madhe është lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, në mënyrë që të krijohet një klimë më e favorshme për investimet.
Shqipëria është faktor i rëndësishëm paqeje. Gjatë bisedimeve që patëm, Kryeministri Berisha rikonfimoi mbështetjen për Presidentin Ahtisari dhe ekipin e tij. Ruajtja e kufijve është e rëndësishme si për stabilitetin e Ballkanit ashtu edhe më gjërë, për Evropën. Dhe jam mëse i sigurt se do të arrihet sukses.
I uroj shumë suksese Shqipërisë në rrugën e integrimit. Ju keni një aleat dhe mik, Hungarinë dhe mbështetjen e saj për ta ndihmuar Shqipërinë në këtë rrugë.