Sot pasdite, Kryeministri Berisha priti një delegacion të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës, i kryesuar nga zoti Ian Micallef, Zëvëndëspresident i Kongres
Sot pasdite, Kryeministri Berisha priti një delegacion të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës, i kryesuar nga zoti Ian Micallef, Zëvëndëspresident i Kongresit dhe President i Dhomës së Autoriteteve Lokale.
Gjatë takimit, Kryeministri Berisha bëri një paraqitje të procesit të deritanishëm të reformës zgjedhore, duke e cilësuar situatën në të cilën ndodhet vendi si të pazakontë. Kryeministri theksoi se masat dhe qëndrimet e ndërmarra nga qeveria kanë qenë në përputhje me rekomandimet e raportet e Kongresit të Autonomisë Lokale dhe Rajonale të KE-së dhe të OSBE/ODHIR-it. Kryeministri Berisha shprehu vendosmërinë dhe angazhimin për garantimin dhe sigurimin e votës së lirë të qytetarëve dhe garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Në emër të Kongresit, Zoti Ian Micallef përshëndeti në veçanti përpjekjet serioze të Kryeministrit dhe gatishmërinë e tij për kompromis, si dhe përshëndeti qëndrimin e vazhdueshëm të qeverisë për të arritur në një zgjidhje të situatës, duke theksuar se rruga e kompromisit është mjet themelor i politikës demokratike dhe europiane.
Zoti Micallef u shpreh shumë i shqetësuar lidhur me fatin e zgjedhjeve, duke komentuar se çështja e zgjedhjeve nuk është çështje e partive politike, por e ushtrimit të së drejtës themelore të demokracisë, të drejtës së shtetasve për të zgjedhur përfaqësuesit e vet në pushtet dhe se partitë politike kanë për detyrë që të garantojnë këtë të drejtë të qytetarëve.
Zoti Micallef u shpreh kundër bojkotit dhe kundër çdo praktike bllokuese të ligjit, duke theksuar se këto janë praktika të papranueshme për demokracinë dhe vlerat europiane.
Për shkak të situatës së krijuar, u shpreh ai, zgjedhjet lokale në Shqipëri janë vendosur në fokus të vëmendjes së medias, politikës dhe institucioneve europiane, të cilat presin që Shqipëria të arrijë të mbajë zgjedhje demokratike në përputhje me ligjet e vendit. Ai vuri në dukje se zvarritja e procesit zgjedhor ka krijuar probleme në lidhje me imazhin e Shqipërisë, që do të ndikojë në procesin e integrimit të vendit në BE dhe NATO.
Përfaqësuesit e Kongresit theksuan në takim, se Këshilli i Europës dhe institucionet e tjera ndërkomnëtare këshillojnë dhe sugjerojnë, por vendimet do të merren nga politikanët shqiptarë, të cilët duhet të tregohen të përgjegjshëm për pasojat që këto vendime kanë për të ardhmen e vendit.
Ata premtuan se Këshilli i Europës do të dërgojë vëzhgues në zgjedhjet lokale, për të cilën morën falenderimet e Kryeministrit Berisha.