E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot përfundon procesi i regjistrimit të popullsisë

Përfundon sot zyrtarisht procesi i regjistrimit të popullsisë dhe banesave në të gjithë territorin e Shqipërisë. Censusi ka nisur më datën 1 tetor dhe përfundon sot ndërsa do të tregojë përmes të dhënave numrin e personave të cilët banojnë në Shqipëri dhe kushtet social-ekonomike.
Të dhënat e Censusit do të sigurojnë këtë informacion dhe do të ndihmojnë autoritetet përgjegjëse të planifikojnë mbi baza reale dhe të hartojnë politika për nevojat konkrete në fushat e shëndetësisë, edukimit, punësimit, infrastrukturës etj.
Për më tepër të dhënat e Censusit mundësojnë krahasimin midis qyteteve dhe zonave, kështu që institucionet ndërkombëtare dhe shqiptare mund të ndjekin me lehtësi zhvillimet dhe të planifikojnë aktivitetet e tyre më me saktësi.
Ligji për Censusin garanton mbrojtjen e të dhënave dhe konfidencialitetin e të dhënave personale. I gjithë informacioni i mbledhur do të jetë konfidencial dhe do të shërbejë vetëm për të nxjerrë të dhënat zyrtare të Censusit dhe statistikat e tij.
Për këtë proces masiv në terren janë printuar 40 milion faqe materiale censusi dhe po punojnë 12 mijë anketues, 2 330 kontrollorë, 128 mbikqyrës 36 kordinatorë lokalë. Aktualisht në të gjithë Shqipërinë janë 374 zyra censusi dhe 11 në Tiranë që punojnë çdo ditë pa ndërprerje, të aftë për të zgjidhur çdo situatë në terren. I gjithë procesi kushton 14 milione euro.
Gjatë komunikimeve publike, INSTAT përgjatë këtyre tre javëve ka bërë të ditur se procesi po ecën normalisht në të gjithë territorin.
 

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›