E Diel, 1 Nëntor 2026

Sot raundi i 6 i bisedimeve, i vështirë kompromisi për Veriun

BRUKSEL- Në Bruksel mbahet sot raundi i gjashtë i bisedimeve mes kryeministrit Hashim Thaçi dhe homologut serb Ivica Daçiç me ndërmjetësimin e shefes së diplomacisë së BE, Ashton.
Temë e diskutimeve është veriu i Kosovës dhe asocacioni i komunave serbe.

Mediat kosovare shkruajnë se Hashim Thaçi është nisur për Bruksel me bindjen se sot do të arrihen disa prej marrëveshjeve kryesore për çështjen e Veriut. Por, gjasat janë të vështira.

Beogradi pret që asociacioni i komunave serbe të ketë kompetenca legjislative dhe ekzekutive, mirëpo kjo ofertë, sipas Hajredin Kuçit, është e papranueshme. Ndërkohë Brukseli insiston që një marrëveshje të arrihet medoemos.

PRISHTINA: KOMPETENCAT EKZEKUTIVE TE ASOCACIONIT NUK PRANOHEN
Nëse për asociacionin kërkohen kompetenca ekzekutive, do të ishte jashtë Kushtetues së Kosovës dhe nuk do të pranohet”, ka thënë një zyrtar i lartë kosovar i përfshirë në bisedimet me Serbinë, citon gazeta Express.

Mundësinë e mosarritjes së marrëveshjes për Veriun as në raundin e gjashtë të bisedimeve në Bruksel nuk e përjashtoi as Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi.
Në një prononcim për Express të dielën, ai tha se nuk do të pranohet asnjë marrëveshje që nuk përkon me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

BEOGRADI: ASOCIACIONI I KOMUNAVE SEBE TË KETË KOMPETENCA
Ndërkohë dje në Beograd presidenti Nikoliç ka takuar, kryeministri Ivica Daçiç, zv/kryeministri Aleksandër Vuçiç, ministri i ekonomisë, Mlaxhan Dinkiç dhe drejtori i Zyrës për Kosvën, Aleksandër Vulin. Në takimin e kreut të Serbisë, është arritur marrëveshja që delegacioni i Serbisë në dialog me Kosovë të mbajë qëndrimin për arritjen e kompromisit, pavarësisht “se Prishtina nuk ka treguar deri më tani gadishmëri për të biseduar në mënyrë konstruktive lidhur me modalitetet për gjetjen e zgjidhjes”.

Pas takimit, këshilltari i presidentit të Serbisë, Marko Gjuriç tha se Serbia pret nga BE-ja të mbetet ndërmjetëse e pa anshme dhe të nxitë konstruktivitetin e Prishtinës.
Sipas tij, Prishtina zyrtare ka treguar shumë më pak vendosmëri për të gjetur një zgjidhje që do të kënaqte të dy anët.

“Kemi konstatuar se qëndrimi i Prishtinës nuk ka lëvizur as një milimetër nga fillimi i negociatave. Kemi konkluduar se ata nuk kanë qenë sa duhet konstruktive në pjesën e parë të dialogut dhe tani i dërgojmë porosinë e qartë të jenë shumë më konstruktivë në vazhdim të dialogut”, tha dje Gjuriç.

“Serbia i qëndron konceptit të saj në lidhje me komunat serbe, dhe mbetemi të angazhuar në mënyrë të vendosur për të gjetur një kompromis me autoritetet në Prishtinë. “- nënvizoi Gjuriç, informon radioB92.

Ai nënvizoi se Serbia ka koncepte të qartë për krijimin e një bashkësie të komunave serbe, të cilat duhet të kenë juridiksionin e tyre në shumë fusha, si në aktivitete publike, si drejtësi, polici dhe arsim.

Përveç kryeministrit Daçiç në Bruksel nga pala serbe do të jetë edhe Marko Gjuriç, si dhe Aleksandar Vullin, nga Zyra qeveritare për Kosovën.

"TRE SKENARËT" E SERBISË PËR BISEDIME

Ndërkohë që dje gazeta Blic, shkruante se Nikoliç po shqyrtonte tre skenarë mbi vazhdimin e dialogut me Kosovën dhe mundësinë e marrjes së datës nga BE-ja.

Opsionet janë që: 1) deri në fund të insistohet në formimin e bashkësisë së komunave serbe me të gjitha përgjegjësitë; 2) nëse kjo nuk ka sukses, të niset me përmbushjen e kushteve të vëna nga BE-ja në dhjetor dhe 3) koalicioni qeverisës të konfirmojë se data e bisedimeve është çmim tepër i lartë nga ajo që i kërkohet Beogradit .

Kryeministri Thaçi të premten ka raportuar në Kuvend për bisedimet me Serbinë ku ndër të tjera ka premtuar se nuk do të ketë kurrfarë tejkalimi të Kushtetutës së Kosovës dhe Pakos së Ahtisaarit në cilëndo marrëveshje që arrihet në Bruksel.

(sg/shqiptarja.com)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›