E Diel, 1 Nëntor 2026

Vjedhja e tubacioneve, Albpetrol: Zonën e administrojnë privatët

Hetimet Uniformat blu shkojnë në vendin e ngjarjes një ditë pas publikimit në media të pamjeve të vjedhjeve

Policia e Fierit ka nisur hetimet për vjedhjet e regjistruara në zonën naftëmbajtëse dhe naftënxjerrëse të Marinzës. Ndërkohë që zyrtarisht Drejtoria e Përgjithshme e “Albpetrolit” sqaron se prej më shumë se një muaji e gjithë zona e Marinzës shfrytëzohet nga kompania e huaj “Banker’s petroleum”. Burimet zyrtare të Komisariatit të Policisë së Fierit bënë të ditur se statistikat e vitit 2009 dhe ato në vijim të vitit 2010 faktojnë se persona të ndryshëm kanë rënë në pranga për vjedhje dhe dëmtim të pronave të kompanive të naftës në Marinzë, Ballsh, Visokë, Zharrëz etj. Drejtuesit e Policisë së Fierit nuk japin detaje për hetimin e fundit, por burime jozyrtare tregojnë se nën hetim do të jenë edhe drejtuesit e sektorëve të naftës që kanë operuar deri javët e fundit në Marinzë. Gjithashtu mësohet se si prova hetimi do të merren edhe pamjet filmike të siguruara nga disa televizione lokale dhe kombëtare. Një ditë pas publikimit të lajmit për vjedhjen në masë të tubacioneve të naftës, policia ka nisur hetimin në vendin e ngjarjes, ku ka gjetur kanalet e hapura në vendet ku kanë qenë tubacionet e naftës që tashmë janë vjedhur. Po ashtu, në vendin e ngjarjes policia ka gjetur edhe pjesë të ndryshme tubacionesh që kanë mbetur pas prerjes së tyre nga hajdutët. Ndërkohë, drejtori i përgjithshëm i “Albpetrolit” sh.a., Ferdinand Murati, ka sqaruar se prej më shumë se një muaji kompania që ai drejton nuk administron asnjë pus në zonën e Marinzës. “Në kuadër të privatizimit të kompanisë, puset e Marinzës i janë dhënë kompanisë “Banker’s”, me të cilën Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës, si edhe qeveria ka lidhur kontratë, konform legjislacionit shqiptar”, tha Murati, duke sqaruar kështu se vjedhja nuk është bërë në pronë të shtetit, por të privatit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›