Sot vendimi final për rastin e “Grupit të Gjilanit”

Në Gjykatën e Apelit në Beograd sot pritet të jepet vendimi final për rastin e “Grupit të Gjilanit”.
11 banorë të Preshevës, një pjesë e të cilëve ish-pjesëtarë të UÇK-së dhe UÇPMB-së janë dënuar me 116 vite burg me akuzën se kanë kryer krime lufte ndaj serbëve dhe komuniteteve tjera gjatë qershorit të vitit 1999 në rajonin e Gjilanit.
Sipas akuzës, në këtë periudhë janë vrarë 80 veta si dhe janë ndaluar 260 të tjerë nga ana e UÇK-së. Zëdhënësja e Gjykatës, Mirjana Pisljiq deklaroi se seanca rreth ankesave do të vazhdojë edhe nesër, ndërsa nesër miratohet vendimi jashtë syve të opinionit. Vendimi i këtij trupi gjykues do të jetë i plotëfuqishëm dhe se pritet që të lirohen ose vazhdojnë dënimin 11 shqiptarët e Preshevës.
Agush Memishi u dënua me 12 vite burg, Nazif dhe Ahmet Hasani me 13 vite burg, Faton Hajdari me 10 vjet, Samet Hajdari 15 vjet, Ferat Hajdari 8 vjet, Kamber Sahiti 8 vjet, Selimon Sadiku dhe Burim Fazliu me 12 vjet burg. Shefket Musliu, ish-komandanti i UÇPMB-së u dënua me 8 vjet burg në mungesë, Sadik Aliu me 8 vjet burg në mungesë. Me një vendim të gjykatës më pas janë liruar Shemsi Nuhiu, si dhe pesë të tjerë që janë në arrati si: Fazli Ajdari, Rexhep Aliji, Shaqir Shaqiri, Idriz Aliji dhe Ramadan Halimi. Grupi i shqiptarëve të Luginës u ndaluan në vitin 2009 dhe se një pjesë e tyre po vazhdojnë të vuajnë dënimin në burgjet serbe./Indeksonline/