E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot vendimi për Kurtin

(E plotësuar) Ka përfunduar procesi gjyqësor ndaj Albin Kurtit, liderit të Lëvizjes “Vetëvendosje”.

Nga ora 10 e paradites kur ka filluar, trupi gjykues i EULEX-it se ka vendosur që gjithçka të mbarojë brenda ditës.

Rreth orës 18 e 30 minuta, të ditës së sotme, trupi gjykues ka vendosur që të shpallë vendimin përfundimtar në lidhje me këtë proces të gjatë gjyqësor.
Nga tri pika të aktakuzës, para disa muajsh i ishte hequr një, kurse sot gjatë ditës Kurtit i është hequr edhe një tjetër, duke bërë që t’i mbetet vetëm ajo e pengimit të personave në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare.

I tërë procesi gjyqësor ndaj Kurtit ka të bëjë me demonstratat e shkurtit të vitit 2007.

Kurti lirohet edhe nga një akuzë

Nga tri aktakuza me të cilat ngarkohej, Albin Kurtit, liderit të Lëvizjes “Vetëvendosje”, tashmë i ka mbetur vetëm një. Derisa kohë më parë i është hequr një tjetër, në seancën e sotme gjyqësore, trupi gjykues e ka liruar Kurtin edhe nga akuza e dytë, ajo për "Tentim për shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm".

Kurti është duke u gjykuar pa praninë e avokatit të tij mbrojtës, për shkak se ai nuk ka pranuar asnjë prej tyre.

Përveç kësaj, ndryshe nga seancat e tjera, kur nuk i është mundësuar të lexojë fjalimin tij, në seancën e sotme, trupi gjykues ia ka mundësuar Kurtit të flasë.

Në fjalimin e tij të gjatë, të cilin e ka shpërndarë para pak çasteve Lëvizja
“vetëvendosje”, Kurti ka deklaruar edhe një herë se nuk e njeh EULEX-in dhe procesin gjyqësor të filluar nga ky mision. “Mua nuk mund të më ofrohet një gjykim i drejtë brenda këtij sistemi. Veprimtaria ime është në kundërshti të drejtpërdrejtë me interesat e EULEX-it për të siguruar pushtetin e vet”, citohet të ketë thënë Kurti.

“Populli i Kosovës ka jetuar tepër gjatë nën shtypje dhe nën sundim të huaj. Ne duam liri, jo shtypje më të sofistikuar. Ne duam drejtësi dhe vetëvendosje, e jo një tjetër pushtet që shtyp të drejtat tona. Akuzat kundër meje kanë të bëjnë me një demonstratë jo të dhunshme për vetëvendosje dhe për t’i dhënë fund sundimit ndërkombëtar”, është shprehur Kurti në seancën e tij gjyqësore.

Duke u bazuar në këtë fjalim të shpërndarë të “Vetëvendosje”, Kurti ka dhënë edhe vërejtjet e tij ndaj panelit të gjyqtarëve. “Duke e rifilluar këtë rast ju e mbështetni padinë politike kundër meje që është absurde nga ana ligjore, dhe synimet politike të këtij procesi. Ju tregoni sheshit se EULEX-i ka qëllim të njëjtë për rastin si UNMIK-u: mbytjen e zërave kundërshtues, kriminalizimin e rezistencës politike paqësore dhe izolimin e Lëvizjes “Vetëvendosje”, opozitën e vetme, jo të dhunshme ndaj EULEX-it në Kosovë”, citohet të ketë deklaruar Albin Kurti.

Sipas tij, ky rast është iniciuar nga UNMIK-u për t'i ikur përgjegjësisë për krimet e veta, dhe ky panel e mbështet këtë objektiv duke e rifilluar rastin bazuar në padinë politike të UNMIK-ut. “Unë e kundërshtoj këtë panel, gjithashtu, sepse duke e rifilluar këtë rast ju keni shpërfillur njëmbëdhjetë muajt e mi të kaluar në paraburgim për këtë rast politik; ju keni shpërfillur shpjegimin tim të mëparshëm pse kjo padi është ligjërisht absurde dhe politike, dhe keni shpërfillur dëshminë e dëshmitarit kryesor të akuzës që kishte konfirmuar se demonstrata më 10 shkurt ka qenë e qetë dhe se unë nuk e kam inkurajuar dhunën”, ka deklaruar Albin Kurti në fjalimin e tij të gjatë.

Vazhdimi i seancës ndaj tij pritet të rinisë pak më vonë gjatë ditës së sotme.

Nis gjykimi i Albin Kurtit

Ka filluar seanca gjyqësore ndaj liderit të Lëvizjes "Vetëvendosje", Albin Kurti. Seanca ka nisur në orën 10 të ditës së sotme në Gjykatën e qarkut në Prishtinë dhe nuk është pritur fare data 21 qershor kur edhe ishte paralajmëruar seanca e radhës ndaj tij.

Sipas njoftimit të lëshuar nga Misioni i EULEX-it, trupi gjykues ka vendosur që procesi gjyqësor të fillojë menjëherë sot.

Një vendim të tillë e konfirmon edhe Karin Limdal, një nga zyrtaret për informim të misionit të EULEX-it në Prishtinë.

Një ditë më parë drejtues të "Vetëvendosjes" patën paralajmëruar demonstratë në ditën e gjykimit të Albin Kurtit. seanca ishte parashikuar të mbahet me 21 qershor.

Por në ndërkohë duket se gjërat kanë ndryshuar dhe me lajmërimin e trupit gjykues se do të fillojë procesin gjyqësor menjëherë sot (e hënë), atëherë edhe "Vetëvendosja" duket se do të ndryshojë planin e saj.

"Express" ka kontaktuar zyrën qendrore të "Vetëvendosjes", por aktivistë të saj nuk janë në gjendje që tash për tash të japin ndonjë informacion shtesë.

Sipas tyre, do të pritet përfundimi i seancës së sotme gjyqësore, për të kuptuar në detaje hapat e ardhëm të kësaj lëvizje. Megjithëkëtë, ata sqarojnë se hapët e mëtejmë të kësaj lëvizje, varen nga vendimi që do të marrë trupi gjykues.

Përndryshe, seanca gjyqësore ndaj Albin Kurtit ka nisur në orën 10 dhe burime jozyrtare tregojnë se nga dhoma e paraburgimit e deri në gjykatë, ai është dërguar shumë herët, rreth orës 7 e 30 minuta, ndonëse seanca ka filluar në orën 10.

Kjo duket të jetë bërë për të anashkaluar mediat të cilat janë në numër të madh duke pritur para Gjykatës së Qarkut në Prishtinë.

Zyrtarë të Policisë së Kosovës thanë se arrestimi është bërë me flet arrest të Prokurorisë Speciale të Kosovës të datës 4 maj 2010.

Kurti akuzohet për organizim të demonstratës së 10 shkurtit 2007, ku si rezultat i ndërhyrjes së policisë rumune të UNMIK-ut janë vrarë dy demonstrues dhe mbi 80 të tjerë janë plagosur.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›