E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turr në Shqipëri

Mbi 15 mijë kosovarë ia kanë mësy Shqipërisë. Kolonat e gjata para kufirit Kosovë – Shqipëri të rikthejnë në ditët e para të bombardimit të NATO-së kundër caqeve serbe në vitin 1999. Atë kohë, me mija kosovarët ia kishin mësy Shqipërisë për të ikur nga tmerri.

Por, këtë fundjavë përveç numrit, motivi ishte i kundërt. Caku ishte bregdeti shqiptar.

Vetëm brenda 24 orëve në pikën kufitare Vermicë – Kukës kanë kaluar mbi 15 mijë qytetarë. Ky numër është dyfish më i lartë në vitin 2009. Funksionalizimi i tunelit të Kalimashit ka shtuar numrin e atyre që kalojnë në këtë pikë kufitare.

Autoritet kosovare dhe shqiptare janë mobilizuar për të pritur këtë fluks të madh të njerëzve. Nuk janë vetëm kosovarët që udhëtojnë, edhe qytetarët nga Shqipëria ia kanë mësy Kosovës. Zyrtarët e policisë kufitare të Kosovës thonë se që nga 21 maj deri sot në këtë pikë kanë kaluar mbi 172 qytetarë.

“Zakonisht në ditët e vikendit kemi një fluks shumë të madh të njerëzve që shkojnë në bregdetin e Shqipërisë. Brenda 24 orëve kanë kaluar mbi 4 mijë vetura dhe 69 autobusë”, tregon Fatmir Bllaca, rreshter policor.

Pas shtimit të numrit të qytetarëve, Policia e Kosovës ka shtuar edhe numrin e personelit dhe pajisjeve teknike për të përballuar atë. Në orët e mëngjesit policia përdor procedura të përshpejtuar, përndryshe fundi i kolonës do të ishte afër Prizrenit.

“Brenda tri orëve të paradites kanë kaluar në këtë pikë mbi 5 mijë qytetarë të Kosovës. Është një numër jashtëzakonisht i madh. Por, ne kemi bërë të gjitha përgatitjet për këtë fluks”, thotë Bllaca.

Me procedura të përshpejtuara, qytetarëve iu kontrollohet vetëm vizuelisht letërnjoftimi apo pasaporta. Derisa fluksi nuk është i madh hynë në përdorim edhe kompjuterët.

“Kur kemi fluks të madh i shfrytëzojmë edhe tri korsi. Problemi i vetëm mbetet një urë, që menaxhohet nga autoritetet e Shqipërisë. Ura ka vetëm dy korsi dhe shpeshherë shkakton probleme në qarkullim”, vlerëson ai.

Bllaca tregon se nga ora 06:00 deri 09:00 është fluksi më i madh i qytetarëve që shkojnë për Shqipëri. Derisa në mesditë janë të paktë ata që marrin këtë rrugë. Pasdite dhe në mbrëmje sërish mbushet kjo pikë kufitare me mija vetura, kamionë dhe autobusë.

“Ka shumë njerëz që shkojmë në Mal të Zi përmes kësaj pike kufitare, sidomos tash pas hapjes së tunelit të Kalimashit”, tregon Bllaca.

Por, Riza Mavraj kësaj radhe ia ka mësy Durrësit. Ai ka zgjedhur të udhëtojë në mesdite, ngase rruga është e kalueshme. “Më pshtoj klima se në këtë zheg nuk niset kerkun”, shton ai.

Kjo është hera e dytë që ai udhëton brenda këtij viti në Durrës. “Jam kanë edhe para dy jave. Rruga u kanë shumë e mirë. Tash kur marohet edhe kjo e jona, kam me shku çdo vikend”, thekson ai.

Ndërsa, në anën tjetër të kufirit, Vasil Thanasi ka ikur nga deti i Shqipërisë. Këtë vikend ai do ta kalojë në Kosovë. Stacioni i parë është Lidhja e Prizrenit, derisa do të vazhdojë në Prekaz e deri te Shpella e Gadimës. “Fëmijët ende nuk kanë qenë ke Lidhja e Prizrenit e as te kompleksi memorial Adem Jashari në Prekaz”, shton ai.

Ndërkaq, sipas Lavdrim Hodes, shef i Stacionit në pikën Morinë – Kukës, numri i qytetarëve të Shqipërisë që udhëtojnë për në Kosovë është shtuar këto ditë, sidomos pas hapjes së tunelit të Kalimashit.

“Ka edhe shumë qytetarë nga Shqipëria që vizitojnë Kosovën. Ka shumë që shkojnë në Prekaz, në Prizren, Prishtinë, Gjakovë”, shton ai.

Nuk janë vetëm vendet turistike. Sipas Hodes, gjatë këtyre ditëve ka edhe shumë shkëmbime ekonomike. Ka shumë mallra që po hynë dhe po dalin nga Shqipëria.

“Ne jemi duke punuar me kapacitete të plota. Fluksi i qytetarëve është shumë i madh, sidomos gjatë fundjavës, ku shumë shtetas kosovarë vizitojnë bregdetin shqiptar. Kemi një bashkëpunim shumë të mirë me autoritetet kosovare”, vlerëson ai.

Autoritetet shqiptare dhe kosovare kanë krijuar një rrjet shumë të lehtë komunikimi. Përveç gjuhës së njëjtë, ata përdorin edhe radiolidhje për të komunikuar mes vete. Për çdo kolonë që krijohet në njërën anë lajmërohet edhe ana tjetër.

Derisa urën që autoriteteve kosovare po u shkakton kokëçarje, Hoda thotë se e kanë nën kontroll. Ai thotë se janë duke punuar që aty mos të shkaktohet ndonjë tollovi.

“Ura nuk është pengesë. Sa herë që ka fluks të madh, ne kujdesemi që të kemi procedura të përshpejtuara dhe që të lirojmë urën”, shton ai.

Këto ditë të nxehta policia ishte e suksesshme edhe në kapjen e njerëzve në kërkim. Sipas Hodes, vetëm gjatë kësaj jave janë arrestuar 3 persona në kërkim.

Në ditët e ardhshme pritet rritje e numrit të qytetarëve që do të udhëtojnë në dy anët e kufirit. Derisa autoritet policore parashikojnë që këtë viti në këtë pikë do të kalojnë më shumë njerëz se në vitin paraprak.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›