Rusia bllokon Hysenin në OKB
Rusia bllokon ministrin e Jashtëm të Kosovës, Skënder Hyseni, që të flasë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së në postin e tij si përfaqësues i një shteti të pavarur. Ambasadori i Rusisë në OKB, Vitali çurkin, i cili është kreu i radhës i Këshillit të Sigurimit, me anë të një shkrese zyrtare para fillimit të mbledhjes, që ka filluar dje në mbrëmje sipas orës lokale të Shqipërisë i ka thënë “JO” Hysenit. Agjencia serbe e lajmeve Tanjug, duke iu referuar burimeve ruse, theksonte se në Këshillin e Sigurimit ka arritur edhe letra e Skënder Hysenit, ministër i Jashtëm i Kosovës, me të cilën kërkon që t’i drejtohet këtij organi të OKB-së në cilësinë e ministrit të Jashtëm të shtetit të pavarur. Federata Ruse, e cila kryeson gjatë këtij muaji Këshillin e Sigurimit të OKB-së, këtë kërkesë e ka refuzuar si jo legale dhe ka marrë qëndrim që Hyseni mund të flasë, por vetëm si person privat, si çdo herë tjetër. Ndërkaq, Ministria e Jashtme ruse ka lëshuar një deklaratë zyrtare për këtë çështje, ku thekson se “qasja parimore e Rusisë ndaj Kosovës mbetet e pandryshuar dhe mbështetet në parimin e integritetit territorial dhe sovranitet të Republikës së Serbisë, si dhe në nevojën për zbatim strikt të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit. Kjo e fundit mbetet korniza ligjore e detyrueshme për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, ruajtjen e sigurisë dhe për mosnjohjen e shpalljes së pavarësisë së njëanshme nga Kosova". Kjo ka qenë deklarata e bërë nga Ministria e Jashtme e Rusisë në prag të takimit të rregullt të Këshillit të Sigurimit për Kosovën që u mblodh dje në mbrëmje sipas orës lokale të Shqipërisë dhe në orën 15.00 sipas orës së Nju Jorkut. Rusia ka kryesinë e radhës së KS-së për muajin gusht dhe e ka përcaktuar takimin e sotëm për Kosovën si një nga përparësitë e kryesimit të saj njëmujor. Mbledhja e Këshillit të Sigurimit ishte e para në Kombet e Bashkuara me temë Kosovën, pas publikimit të mendimit të GJND-së dhe në një farë mënyre paraqet testim të qëndrimit të bashkësisë ndërkombëtare për rrethanat e reja. Vuk Jeremiç, ministri i Jashtëm i Serbisë, deklaroi për Tanjug se “krahas shqyrtimit në raportin e rregullt të UNMIK-ut dhe të situatës shumë të vështirë në të cilën gjendet popullata serbe dhe joshqiptare në Kosovë, do të shfrytëzojmë rastin që në këtë mbledhje të paraqesim qëndrimet shtetërore, të cilat janë miratuar javën e shkuar në Kuvendin Popullor të Serbisë”. Për mbledhjen e Këshillit të Sigurimit ka pasur një interesim të jashtëzakonshëm për këtë periudhë kohe: mbi 40 vende janë paraqitur të marrin pjesë në shqyrtim. Mbledhja e radhës e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që u thirr me shpejtësi nga Federata Ruse, si kryesuese e radhës, pritet të thellojë edhe më shumë dallimet mes Prishtinës e Beogradit mbi çështjen e statusit të Kosovës. Të dyja palët kanë këmbëngulur në qëndrimet e tyre, posaçërisht pas vendimit të GJND-së për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës. Autoritetet serbe, që kanë dorëzuar në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së një projektrezolutë për Kosovën, thuhet se do të këmbëngulin në qëndrimin se mosmarrëveshjet territoriale nuk mund të zgjidhen me shkëputje, duke e cilësuar vendimin e GJND-së si të mangët.
#