E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot zgjidhet kreu i ri i FSHF-së

Në garë janë presidenti aktual, Armando Duka, që kërkon mandatin e tij të tretë 4-vjeçar, presidenti i Tiranës, Refik Halili, dhe ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare, Rudi Vata. Kreu aktual, Duka, është në këtë detyrë prej 8 vitesh. Ai ka zhvilluar një fushatë përurimesh fushash futbolli me bar sintetik (Besa e Dinamo) dhe fushash minifutbolli (Burrel), ndërkohë që projektin më të madh të tij konsideron rikonstruksionin e plotë të stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”.

Rudi Vata, ish-kapiten i Kombëtares qysh kur drejtonte Neptun Bajko e deri te trajneri i fundit shqiptar, Sulejman Demollari (1995-2002, 59 ndeshje me Kombëtaren, 5 gola), konsiderohet si kundërshtari më i fortë i presidentit aktual të Federatës. Vata, i cili më 13 shkurt mbushi 40 vjeç, e ka mbajtur shiritin e kapitenit me skuadrat e drejtuara nga Neptun Bajko, Astrit Hafizi, Medin Zhega dhe Sulejman Demollari (37 ndeshje), por nuk mori kurrë ftesë nga trajneri i parë i huaj që drejtoi Shqipërinë në epokën e Dukës.

Me një karrierë të lavdishme futbollistike në Shqipëri e jashtë saj (Skoci, Gjermani, Qipro, Japoni) dhe me përvojë të madhe ndërkombëtare, Vata, një agjent i suksesshëm i FIFA-s e me një agjenci menaxhimi prestigjioze lojtarësh “Vata Vision Football Management”, pohoi pas zyrtarizmit të kandidaturës, se ai ka shumë për t’i dhënë futbollit shqiptar.

Presidenti i Tiranës, klubit që numëron 24 kampionate të fituara, 13 kupa të Shqipërisë, 9 Superkupa, biznesmeni Refik Halili, është kandidatura e tretë për postin e presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit. 50-vjeçari financon prej gjashtë vjetësh klubin më të pasur financiarisht në Shqipëri, duke fituar katër tituj kampionë nga viti 2003.

Me një platformë të ideuar nga ish-sekretari i FSHF-së, Sulejman Starova, një fushatë të menaxhuar nga ky i fundit, Halili beson se nëse bën aleancë edhe me kandidatin Rudi Vata mund t’i japë fund presidencës 8-vjeçare të Armando Dukës. Refik Halili ka bërë akuza publike ndaj Dukës, të cilat kulmuan me tenderin e ndriçimit të stadiumeve. Duka dhe Halili ndodhen në një konflikt gjyqësor midis tyre.

Gjatë këtyre ditëve të tre kandidatët kanë shpalosur programet dhe projektet e tyre për katër vitet e ardhshëm. Për t’u zgjedhur si kreu i ri i Federates, secili kandidat duhet të fitojë 43 vota, ndërkohë që anëtarët e FSHF-së (klubet) me të drejtë vote janë gjithsej 65.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›