“S’paguan dhomat e pushimit”/ 4 shqiptarë të Kosovës mbahen peng në garazh, në pranga dy autorët

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Durrës ku 4 shqiptarë të Kosovës janë mbajtur peng për katër ditë pasi sipas autorëve nuk kishin paguar dhomat e pushimit. Për këtë ngjarje, policia ka arrestuar dy persona pas kallëzimit nga disa shtetas kosovarë.
Dy të arrestuarit i kanë mbajtur 4 shqiptarët e Kosovës në garazhin e banesës me pretendimin se nuk kishin kryer pagesën për akomodimin në ambientet në pronësi të shtetasit D. K.
“Si rezultat u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit N. Xh., 49 vjeç dhe D. K., 48 vjeç, të dy banues në Durrës.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se i kanë hequr lirinë përreth 45 minuta, duke i mbajtur në garazhin e banesës, katër shtetasve nga Kosova, të cilët ishin akomoduar për pushime në një shtëpi pushimi në pronësi të shtetasit D. K., me pretendimin se nuk kishin kryer pagesën për akomodimin”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërkaq materialet i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
/rtsh.al/