Mori para nga Rrumi i Shijakut që të mos shkonte në gjyq, SPAK dërgon në GJKKO ish-avokatin e Shtetit

Prokuroria e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit ka dërguar për gjykim ish-avokatin e Shtetit, Irgen Kërçukun.
Sipas SPAK-ut avokati është korruptuar nga Rrumi i Shijakut (Aleksandër Laho) për të mos shkuar në një gjyq pronash që kishte me Pal Seçunin.
Në dosjen e dërguar për gjykim theksohet se avokati ka marrë 900 mijë lekë për çdo muaj nga Rrumi, Irgen Kërçuku nuk shkoi në gjyq duke mos apeluar në Gjykatën e Apelit vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë në Durrës.
Rrumi është i njohur për drejtësinë teksa rezulton i shpallur në kërkim nga Policia e Durrësit si i dyshuar në pengmarrjen e 2 vëllezërve Beqiraj të cilët dyshohet se janë përfshirë në një sërë ngjarjesh kriminale, përfshi edhe mbajtjen nën vëzhgim të Rrumit.
“Në analizë të veprimeve hetimore të kryera është provuar tej çdo dyshimi të arsyeshëm se, i pandehuri Irgen Kërçuku, me detyrë në kohën e kryerjes së veprës penale, avokat i shtetit në Zyrën Vendore të Avokaturës së Shtetit, ka marrë një përfitim të parregullt në vlerën 900 000 (nëntëqind mijë) lekë nga i pandehuri Aleksandër Laho i quajtur ndryshe “Rumi”, për të kryer një veprim që lidhet me detyrën e tij, konkretisht për të mos marrë pjesë në procesin gjyqësor me palë ndërgjyqëse paditës Pal Seçuni, palë e paditur ZVRPP Durrës dhe palë e tretë Avokatura e Shtetit si dhe për të mos kryer një veprim që lidhet me detyrën e tij konkretisht, për të mos bërë në vijim ankim në Gjykatën e Apelit, për vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës.
I pandehuri Aleksandër Laho në bashkëpunim me persona të tjerë i ka dhënë një përfitim të parregullt në vlerën 900 000 (nëntëqind mijë) lekë, avokatit të shtetit në zyrën vendore Durrës, të pandehurit Irgen Kërçukut, për atë personalisht, me qëllim për të kryer një veprim që lidhet me detyrën e tij, konkretisht për të mos marrë pjesë në procesin gjyqësor me palë ndërgjyqëse paditës Pal Seçuni, palë e paditur ZVRPP Durrës dhe palë e tretë Avokatura e Shtetit si dhe për të mos kryer një veprim që lidhet me detyrën e tij konkretisht, për të mos bërë në vijim ankim në Gjykatën e Apelit, për vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës”, thuhet në njoftimin e SPAK.
/rtsh.al/