E Diel, 1 Nëntor 2026

Spahia: Në martesa urimi më i mirë është u trashëgofsh!. Si mund të trashëgohen kur martohen dy burra?

Share

Ekrem Spahia duket se është i vendosur në betejën e tij kundër homoseksualëve. Gjatë një interviste të dhënë për Ora News, Spahia ka thënë se ka marrë mijëra mesazhe nga qytetarët shqiptarë që e përkrahin. Sipas tij, janë 99% e shqiptarëve kundër këtij fenomeni, ndërsa ka përsëritur qëndrimin e tij ndaj ambasadorit holandez, për të cilin ka kërkuar shpalljen si person i padëshiruar në Shqipëri.

PLL ka një program dhe është detyrë të mbrojë programin e saj. Ajo nuk ka pyetur asnjëherë se çfarë thonë për ne, qëndrimi ynë është normal. Ambasadori i Holandës ka fyer deputetët dhe zyrtarët e lartë dhe sipas tij kjo gjë s`mund të tolerohet. Ambasadori holandez nuk ka folur për çështje të rëndësishme, por vetëm për LGBT. Ai të bëjë ç`të dojë, por si imponon dot shoqërisë shqiptare për të shkuar drejt një grushti njerëzish që promovojnë antivlera. Ai ka dalë jashtë statusit diplomatik, për ne është i papranueshëm. Ne gjënë më të shtrenjtë kemi nderin. Në martesa urimi më i mirë është u trashëgofsh!, si mund të trashëgohen kur martohen dy burra? Ne nuk pyesim për kostot tona, PLL i ka mbijetuar historisë, është racionale në veprime. Është qëndrim zyrtar i PLL, që në momentin që u hap ky debat kemi marrë me mijëra SMS që na mbështesin. Këto janë kosto personale dhe partiake, por jemi të vendosur të mbrojmë nderin dhe integritetin shqiptar. Politikanët na mbështesin në këtë kauzë, tha ai.

Më tej ai ka shtuar se një paradë e paralajmëruar e gay-ve cenon rëndë moralin e shoqërisë shqiptare dhe është shkelje e të drejtave të pjesës dërrmuese të qytetarëve, që nuk duan të shohin lakuriqësinë e tyre. Në këtë kontekst ai shkon më tej, duke i konsideruar këtë grupim një burim sëmundjesh, për të cilët duhet të merren masa të menjëhershme. Për Spahiun e gjithë kjo zhurmë është një skenar i grupeve apo qarqeve të caktuara për përfitimin e fondeve në kurriz të vlerave të shqiptarëve si komb.

Ne kemi kërkuar të mos jepet leja për paradën në bulevardin Dëshmorët e Kombit, për të mos respektuar një të drejtë krejtësisht pakice. Nëse bëni sondazhet 99% e popullit janë me ne. Në rastin më të mirë është fatkeqësi, në rastin më të keq është ves, duhet të ndërmerret një iniciativë shtetërore të kurohet me mjekë e psikologë. Ky grupim është burim sëmundjesh. Sot vetëm 12 vende kanë të ligjëruar martesat gay. Tradita shqiptare nuk i ka njohur këto fenomene dhe s`mund ti përqafojmë artificialisht. Megjithatë kjo është dëshira e PLL, policia mund ta japë lejen ose jo. Shoqëria shqiptare duhet të abandonojë dhe të mos t`i përkrahë aspak, janë grupe dhe qarqe të caktuara që mund të degradojnë shoqërinë shqiptare për të përfituar fonde. Nuk kemi kërkuar që çdo person të bëjë atë që mendojmë ne, por ka ambiente ku mund të bëhen jo në mënyrë publike, sepse cenon të drejtën e tjetrit. Ne nuk jemi për dhunë, por për respektimin e shumicës që nuk duan të shohin lakuriqësinë e tyre. Ne s`kemi kapërcyer ligjin me qëndrimet tona. Deklaratat nuk i kemi bërë në selinë e një institucioni shtetëror, por në selinë e PLL, u shpreh Spahia.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›