Spahia: Onkologjiku në kolaps, të rritet buxheti për barna dhe pajisje mjekësore

TIRANË, 6 nëntor /ATSH/ Deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia, në cilësinë e kryetarit të komisionit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, tha sot në Kuvend se Spitali Onkologjik është braktisur nga shteti, duke kërkuar rritje të buxhetit për Onkologjikun për barna dhe pajisje mjekësore.
Spahia, i cili kërkoi mocion me debat me Ministren e Shëndetësisë për situatën në shërbimin Onkologjik, theksoi se për 12 vite me radhë situata nuk ka ndryshuar, por po degradon çdo ditë.
Deputeti i PD-së duke iu referuar raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, tha se situata në spitalin Onkologjik është në kolaps.
“Ky raport nuk flet me opsione politike, por fakte, dhe bën një panoramë të ftohtë mbi situatën e barnave dhe pajisjeve mjekësore në spitalin Onkologjik të QSUT-së e cila është në kolaps përkundrejt shërbimit ndaj qytetarit, pacientëve që dergjen çdo ditë me qindra e mijëra dhe ku mungojnë barnat bazë, barnat e trajtimeve terapeutike, pajisjet sipas protokolleve mjekësore për diagnozat e ndryshme të pacientëve etj.”, tha Spahia.
Më tej Spahia shtoi se “raporti tregon qartë se 46% e barnave antitumorale të autorizuara nuk janë importuar kurrë dhe kjo është kriminale. Sipas tij, protokollet klinike janë të vjetruara që prej vitin 2014 dhe kjo është paaftësi kriminale”.
“Farmacitë spitalore kanë barna të skaduara që ende figurojnë aktive, kjo është një vjedhje me pasoja direkte në shëndetin dhe jetën e qytetarëve. AKBPM nuk ka kryer asnjë inspektim për tre vite rresht. Laboratori i kontrollit ka kryer vetëm 8 analiza në 3 vite. Penalitetet ndaj operatorëve që kanë vonuar furnizimet nuk janë zbatuar”, tha Spahia.
Spahia nënvizoi se “programi për barnat tumorale është nënfinancuar sistematikisht. Këto fakte flasin qartë, nuk është mungesë apo ngërç administrativ, por është një skandal shtetëror, provë e qartë e dështimit të një sistemi të kapur nga paaftësia, korrupsioni, dhe burokracia. Në vend që të investohej në barna, pajisje dhe kushte spitalore, qeveria ka preferuar propagandën”.
Deputeti theksoi se “Spitali Onkologjik që duhej të ishte qendra e shpresës për mijëra pacientë, sot është kthyer në simbol të braktisjes shtetërore. Çdo vit buxheti për barnat onkologjike dhe pajisjet mjekësore ka rënë, ndërkohë që buxheti për koncesione është rritur. Shifrat e tregojnë qartë”.
“Nuk ka shtretër, as poltrona për kimioterapi. Mamografia dhe ekografia nuk bëhen. Barnat që duhet të sigurojë spitali pacientët i blejnë vetë. Kjo nuk është neglizhencë, por shkelje e të drejtës për jetën. Kush mban përgjegjësi për këtë situatë?”, tha Spahia.
Në mbyllje të fjalës së tij, deputeti demokrat kërkoi edhe një hetim parlamentar për zbatimin e rekomandimeve të KLSH-së.
Gjithashtu, Spahia kërkoi “garanci ligjore për furnizimin pa ndërprerje me barna jetikë të listës bazë”.
Në përfundim, Kuvendi me votat e socialistëve rrëzoi kërkesën për mocion me debat me ministren e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala.
/m.q/j.p/r.e/