E Diel, 1 Nëntor 2026

Flamingot, shfaqje magjike në Parkun Kombëtar “Divjakë-Karavasta”

TIRANË, 6 nëntor /ATSH/ Flamingot dhurojnë shfaqje magjike natyrore në Parkun Kombëtar “Divjakë-Karavasta”.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje të flamingove që fluturojnë mes lagunës dhe pishave, duke e kthyer këtë park edhe në një destinacion të veçantë të ekoturizmit në Shqipëri.

Flamingot jetojnë gjithmonë në grupe, që nga grupet e vogla deri në qindra-mijëra. Zogjtë ngrihen në ajër në grup dhe fluturojnë me qindra kilometra gjatë periudhës së shtegtimit. Fluturimi bëhet duke formuar radhë të gjata ose në formë V-je, derisa të arrijnë në vendmbërritjen e tyre – një liqen me ujë të kripur, që është vend i shkëlqyer për të ngritur folenë e për të rritur të vegjlit.

Zakonisht qindra flamingo mblidhen së bashku si një grup baleti uji. Të gjithë pastrojnë puplat e tyre rozë duke qëndruar me një këmbë në diell për orë të tëra, madje me një këmbë edhe flenë.

Gjatësia e tyre shkon nga 81 deri në 130 cm, por pesha e tyre trupore është e vogël, ajo shkon nga 2-3,6 kg. Nisur nga madhësia trupore dhe ngjyra, flamingot janë ndër zogjtë më të dallueshëm nga të tjerët.

/gj.m/r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›