E Diel, 1 Nëntor 2026

Spahia: Tenderi i hemodializës mbi 50 milionë euro u anulua pas shpalljes së fituesit, ministrja të japë shpjegime

TIRANË, 30 shtator /ATSH/ Deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia, njëherësh kryetar i komisionit për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale kërkoi sqarime nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, lidhur me anulimin e tenderit për kontratën e re katërvjeçare të shërbimit të hemodializës.

Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Spahia tha se kanë kaluar më shumë se dhjetë ditë nga deklarimi i ministres në Kuvend se do të verifikonte procedurën, ndërsa sipas tij ende nuk janë bërë publike përfundimet e këtij verifikimi.

Sipas deputetit demokrat, procedura kishte një fond limit prej 4.57 miliardë lekësh pa TVSH, ose mbi 50 milionë euro. Tenderi u hap më 17 gusht dhe u zhvillua më 1 shtator, me pjesëmarrjen e vetëm një operatori ekonomik, Diaverum AB.

Spahia tha se se më 10 shtator ishte publikuar shtojca nr. 14, përmes së cilës dokumentohej shpallja e Diaverum AB si operator i suksesshëm dhe nisja e afateve të ankimimit. Sipas tij, ky dokument nuk gjendet më në dosjen e procedurës së publikuar në sistemin e prokurimit publik.

Spahia tha se pak ditë më parë Operatori i Shërbimeve të Integruara Shëndetësore njoftoi anulimin e tenderit, duke dhënë dy arsye: dokumentet e tenderit përmbanin gabime ose mangësi të rëndësishme dhe në garë nuk ishte dorëzuar asnjë ofertë e përshtatshme.

“Mungesa e konkurrencës në një tender mbi 50 milionë euro duhej të ishte gjithashtu një shqetësim serioz për ministren. Por në vend të një shpjegimi për këtë çështje, për anulimin dhe për dokumentin që nuk gjendet më në sistem, kemi heshtje. Kjo heshtje ngre dyshime për arsyet e vërteta të rihapjes së mundshme të procedurës dhe për ndikimin e interesave politike në një shërbim jetik për pacientët”, tha ai.

Deputeti demokrat i ka drejtuar ministres tre kërkesa kryesore; të bëjë publike gabimet konkrete në dokumentet e tenderit dhe përgjegjësit për to; të shpjegojë situatën rreth shpalljes së Diaverum AB si operator të suksesshëm dhe mungesën e Shtojcës nr. 14 në dosjen e publikuar; si dhe të publikojë vendimin e arsyetuar për anulimin, rezultatet e verifikimit të paralajmëruar në Kuvend dhe planin për garantimin e vazhdimësisë së shërbimit të hemodializës.

Spahia tha se çdo vendim dhe dokument i procedurës duhet të bëhet transparent dhe se, nëse anulimi është kryer nën presion për ndryshimin e operatorit ekonomik, kjo çështje duhet të hetohet.

Ai theksoi se pacientët duhet të kenë garanci për vijimësinë e trajtimit dhe se qytetarët kanë të drejtë të marrin informacion mbi procedurën dhe përgjegjësitë lidhur me anulimin e tenderit.

/m.q/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›