Spahiu: Në rrezik identiteti kombëtar dhe bashkëjetesa paqësore
Të bëhesh grek në Shqipëri thuhet se ka vlerën e një pensioni mujor prej 400 euro. Ndërkohë që mijëra shqiptarë janë dyndur për të ndryshuar kombësinë e tyre, zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë në Shqipëri, Kreshnik Spahiu, thotë se kjo tendencë mund të jetë e dëmshme për regjistrimin e ardhshëm të popullsisë në Shqipëri.
Bisedoi: Linda Karadaku, SETimes
Ju keni kundërshtuar ashpër ndryshimin e etnisë së qytetarëve shqiptarë nga gjykatat vendase për shkak të përfitimeve financiare greke. A keni shifra të sakta e të besueshme për numrin e shqiptarëve që kanë ndryshuar kombësinë?
Në një inspektim të bërë nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë në lidhje me vendimet për ndryshimin e kombësisë nga gjykatat, të dhënat paraprake flasin për rreth 4 mijë qytetarë që e kanë ndryshuar kombësinë bazuar në vendime gjyqësore që nga viti 2003. Megjithatë, një numër shumë më i madh, disa qindra e mijëra të tjera, e kanë ndryshuar kombësinë duke u bazuar në procedura administrative në zyrat e gjendjes civile.
Cilat zona janë më problematike?
Shumica e rasteve në gjykata janë në jug të Shqipërisë, në kufi me Greqinë si në Sarandë, Gjirokastër, Tepelenë dhe Korçë. Në rreth 99 përqind të rasteve, edhe për ato që nuk janë në kufijtë jugorë, kombësia është ndryshuar nga shqiptar në grek.
A është sistemi gjyqësor pjesë e problemit? A janë ligjet shqiptare pjesë e problemit?
Sistemi gjyqësor natyrisht që ka pjesën e tij të fajit, por legjislacioni sa i përket kësaj çështje ka qenë problematik dhe i vështirë për tu interpretuar, veçanërisht me përfshirjen e përkatësisë etnike si përbërës i regjistrit civil në vitin 2002. Deri më atëherë nuk ishte.
Ju keni kundërshtuar gjithashtu edhe regjistrimin në bazë etnie e feje. Cilët janë argumentet tuaja kundër këtij tip regjistrimi dhe cilat mund të jenë pasojat për Shqipërinë?
Nuk ka asnjë arsye të bëjmë një regjistrim të bazuar mbi fenë në një shtet që është neutral sa u përket çështjeve fetare, siç është shteti shqiptar. Ne kërkojmë të mbrojmë regjistrimin mbi kritere objektive, rregulla ligjore dhe të sigurisë kombëtare, kërkojmë të mbrojmë të vërtetën nga blerja, mashtrimi dhe abuzimi, dhe dinjitetin e shqiptarëve, të detyruar nga rrethanat për të ndryshuar kombësinë.
Ajo çka është në rrezik nuk është vetëm identiteti kombëtar dhe bashkëjetesa paqësore mes komuniteteve fetare dhe minoriteteve etnike në vend.
Kush është problemi kryesor për sistemin e drejtësisë shqiptare, sfida më e madhe për një sistem modern të drejtësisë?
Mbështetja për sistemin e drejtësisë është inekzistente, kurse kërkesat janë shumë të larta. Mendoj se sistemi gjyqësor shqiptar funksionon me një infrastrukturë afrikanë dhe produkti i saj kërkohet që të plotësojë standardet evropiane. Mënyra se si funksionon sistemi i drejtësisë në Shqipëri, sa i përket infrastrukturës, bën që ai të vuajë nga të tilla gjëra si letra, stilolapsa, bojë për printer, duke ndikuar direkt cilësinë e drejtësisë së ofruar.
Pafat për gjykatësit shqiptarë janë shumë të ulëta dhe në shumë gjykata, gjyqet bëhen në zyrat e gjykatësve. Sfida për të modernizuar sistemin e drejtësisë fillimisht kërkon një minimum kushtesh për të pasur një gjyq në një sallë gjyqi dhe një bazë materiale të nevojshme për të zhvilluar këtë gjyq.
Megjithatë, në këtë pikë nuk mund të mos përmend një projekt 5 vjeçar të USAID, që do të mundësojë regjistrimin audio të seanca gjyqësore si dhe të tjera ndihma teknike. Me këtë projekt ne presim që gjyqet të jenë jo vetëm më transparente, më të ndershme e profesionale, por dhe më lehtësisht të kontrollueshme e të verifikueshme.
Në çfarë niveli është korrupsioni në sistemin e drejtësisë? Sa ndikon politika në këtë?
Korrupsioni është një problem që përfshin të gjithë shoqërinë shqiptare, ndaj sistemi gjyqësor nuk i shmanget dot këtij realiteti. Politika është ajo që drejton shtetin e shoqërinë e përmes vendimmarrjes së saj mund të ndryshojë të tashmen dhe të ardhmen. Kështu që është logjike që pasojat natyrale të ndikimit të politikës në çështjet të korrupsionit të ndikojë direkt çdo fushë të shoqërisë, përfshi dhe sistemin gjyqësor.