Spahiu: Nëntë efektivë policie në urgjencën e Traumës, njëri me dëmtime serioze në sy dhe fraktura

TIRANË, 14 tetor /ATSH/ Nëntë efektivë të Policisë kanë mbërritur në urgjencën e Spitalit Universitar të Traumës, pas lëndimeve të marra gjatë protestës në Tiranë.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale Klodiana Spahiu vizitoi efektivët e plagosur në SUT, ndërsa bëri të ditur se gjashtë efektivë kanë mbërritur në spital brenda 30 minutave të fundit, duke e çuar në nëntë numrin e përgjithshëm të efektivëve që po marrin trajtim në urgjencë.
Sipas Spahiut, një prej efektivëve, 31 vjeç, me inicialet L.D., ka pësuar dëmtime serioze në sy, si dhe fraktura të rënda në nofull dhe hundë.
“Dhuna ndaj efektivëve të policisë është e patolerueshme dhe rrezikon seriozisht sigurinë dhe shëndetin e tyre”, u shpreh Spahiu.
Ministrja Spahiu shprehu mbështetjen dhe mirënjohjen për mjekët, infermierët dhe të gjithë stafin shëndetësor që po kujdeset për personat e lënduar.
Spahiu vlerësoi profesionalizmin dhe përkushtimin e personelit mjekësor në trajtimin e të lënduarve gjatë protestës.
/e.i/r.e/