Spahiu: Rama na kërkoi që të bashkëfinanconim sondazhin

Aleanca Kuqezi ka denoncuar dje sondazhin e institutit “Piepoli”, që sipas kreut të AK-së, është i financuar nga Partia Socialiste. Në një reagim për mediat, kryetari i Aleancës Kuqezi ka theksuar se disponon prova që sondazhi i institutit italian është i manipuluar me qëllim goditjen e AK-së.
“Ky institut vijon në mënyrë të përsëritur kryerjen e veprës penale të mashtrimit publik. Aleanca Kuqezi bën të ditur se ky sondazh fals dhe i manipuluar është paguar nga Partia Socialiste. Ka qenë kjo parti që gjatë muajve shkurt dhe mars ka negociuar me AK që pagesa për rezultatin e institutit ‘Piepoli’ të bëhej bashkërisht. Kjo gjë është refuzuar në mënyrë kategorike nga lidershipi i AK. Kreu i PS ka vijuar kërcënimet dhe shantazhet ndaj Aleancës Kuqezi, se nëse kjo force politike nuk do të bëhej pjesë në koalicionin e saj, atëherë do ta fundoste AK me publikimin e këtyre sondazheve false”, thuhet në reagimin e AK-së.
Kreu i AK-së, Kreshnik Spahiu, theksoi dje se disponon prova për personat që kanë organizuar sondazhin dhe i kërkon Ministrisë së Jashtme që të shpallë “non grata”, institutin “Piepoli”. “Aleanca Kuqezi disponon prova se ky institut nuk ka kryer intervista dhe se në këtë vepër penale janë përfshirë avokatja që falsifikoi diplomën e Renzo Bossit dhe publicisti Eduard Zaloshnja. Autorë të këtij manipulimi të turpshëm publik kanë servirur telefonatat e kryera ndaj anëtarëve të ofruar nga database i PS, qëllimshëm, për të ‘përligjur’ përfundimin e rezultatit, i cili e “shpallte fitues” këtë parti politike. Aleanca Kuqezi i bën thirrje Ministrisë së Jashtme Shqiptare që të shpallë ‘non grata’ institutin ‘Piepoli’, duke dëshmuar se nuk është edhe ajo pjesë e strukturës se përbashkët kriminale të PS”, thuhet në reagimin e AK./Indeksonline/