“Express ligje” për marrëveshjen!

Kërkesa e Brukselit ndaj Kosovës që të bëjë ndryshime legjislative në vend, në mënyrë që të mundësohet zbatimi i marrëveshjes Prishtinë-Beograd, konsiderohet kërkesë e tepruar, nga ana e deputetëve të Kosovës.
Me arritjen e pajtueshmërisë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiq në Bruksel, mbi planin e zbatimit të marrëveshjes së arritur më 19 prill, e cila ka të bëjë me veriun, një prej kërkesave kyçe ndaj Kosovës është që të bëjë ndryshime dhe amendamentime të rreth 30 ligjeve.
Bëhet fjalë për ligjin për amnistinë, policinë, gjyqësinë, qeverisjen lokale e të tjera, në mënyrë që t’i përshtaten zbatimit në terren të marrëveshjes, e cila ka të bëjë me krijimin e asociacionit të komunave serbe në veri, inkuadrimin e strukturave paralele në institucionet kosovare...
Madje, Brukseli zyrtar u ka dhënë afat institucioneve kosovare që shumë prej këtyre ligjeve duhet të ndryshohen dhe amendamentohen gjatë muajit qershor të këtij viti, shkruan zëri. Kjo gjë është shumë shqetësuese për deputetët kosovarë dhe për analistët politikë, njëjtë siç kanë sjellë ligjet e miratuara me nguti nga pakoja e Ahtisaarit.
Deputetët, përfshirë edhe nga partia në pushtet (PDK), shprehen të shqetësuar se është Kosova ajo që për hir të Serbisë, në vazhdimësi po iu nënshtrohet kompromiseve të dhimbshme./Indeksonline/