E Diel, 1 Nëntor 2026

Spahiu: Rishikim i politikave për promovimin e grave në politikë

TIRANË, 15 dhjetor/ATSH/ Në ambientet e Kuvendit u zhvillua sot aktiviteti për prezantimin e gjetjeve të studimit mbi monitorimin e mediave dhe manifestimet e dhunës me bazë gjinore ndaj grave në politikë gjatë zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025.

Në aktivitet morën pjesë ambasadori i Suedisë në Shqipëri, Niklas Ström, deputete, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, këshillave bashkiakë, shoqërisë civile, media, etj.

Aktiviteti, i organizuar nën kujdesin e nënkryetares së Kuvendit Klodiana Spahiu, pati si qëllim kryesor nxitjen e një dialogu konstruktiv midis institucioneve, aktorëve politikë, mediave dhe partnerëve ndërkombëtar mbi rëndësinë e pjesëmarrjes së barabartë të grave në jetën politike të vendit.

Spahiu theksoi se nismat që promovojnë përfaqësimin e grave në politikë dhe barazinë gjinore janë të rëndësishme për cilësinë e demokracisë dhe për mënyrën se si kuptohet përfaqësimi politik në Shqipëri.

Ajo nënvizoi se gjetjet e raportit tregojnë se gratë vazhdojnë të hasin barriera strukturore që mund të kapërcehen vetëm përmes rishikimit të politikave dhe ndërhyrjeve konkrete në përzgjedhjen dhe promovimin e tyre në politikë.

Spahiu theksoi se “këto gjetje na vendosin përballë një përgjegjësie të qartë institucionale”.

“Kuadri ligjor për barazinë gjinore ekziston, por duhet të punojmë më fort për zbatueshmërinë e tij reale, përtej përmbushjes formale të detyrimeve”, tha Spahiu.

Ajo shtoi se studimi nuk duhet të shihet si një kritikë, por si një instrument reflektimi dhe veprimi për të përmirësuar situatën.

“Barazia gjinore në politikë nuk është një çështje vetëm e grave, por është një çështje e demokracisë, e përfaqësimit dhe e besimit të qytetarëve tek institucionet. Një demokraci ku gjysma e shoqërisë mbetet në periferi të vendimmarrjes nuk mund të jetë një demokraci e plotë”, u shpreh Spahiu, duke shprehur më tej angazhimin e saj personal për të përparuar në zbatimin e kuadrit ligjor dhe monitorimin e përmbushjes së tij.

Michele Ribotta, përfaqësues i UN Women dhe Erik Illes, shefi i Bashkëpunimit për Zhvillim pranë Ambasadës Suedeze, theksuan rëndësinë e përparimeve ligjore që ka bërë Shqipëria në drejtim të barazisë gjinore.

Megjithatë, ata theksuan se janë të nevojshme masa konkrete për të adresuar fenomenet e dhunës dhe diskriminimit ndaj grave në politikë, për të siguruar një përfaqësim të barabartë dhe të drejtë për to në të gjitha nivelet e vendimmarrjes.

Kristina Voko, drejtoreshë ekzekutive e BIRN dhe Edlira Çepani, drejtoreshë ekzekutive e EDM, paraqitën gjetjet kryesore të studimit të realizuar me mbështetje nga UN Women dhe Qeveria e Suedisë.

Raporti nxori në pah disa përparime të rëndësishme, si arritjen e përfaqësimit të grave prej 35% në Kuvendin e Shqipërisë dhe mbi 47% të grave në kabinetin qeveritar pas zgjedhjeve të vitit 2025.

Megjithatë, raporti gjithashtu evidentoi disa problematika lidhur me: përfaqësimin e kufizuar të kandidateve gra në media; mungesën e aksesit financiar dhe mungesën e mbrojtjes institucionale, gratë janë të ekspozuara ndaj dhunës dhe sulmeve me bazë gjinore, përfshirë sulmet digjitale dhe fushatat e diskreditimit në media, etj.

Deputete dhe përfaqësues të aleancave të grave në këshillat bashkiakë diskutuan për sfidat me të cilat përballen gratë në politikë, si dhe theksuan rëndësinë e ndërmarrjes së nismave konkrete për të përmirësuar kuadrin ligjor dhe për të krijuar mundësi më të barabarta për gratë në politikë.

Në takim u theksua se këto sfida janë pengesa të mëdha për gratë që të kenë një ndikim të plotë në politikë dhe se është e nevojshme një angazhim i përbashkët i të gjitha palëve për të adresuar këto probleme.

Në fund të aktivitetit, u diskutuan hapat e mëtejshëm që do të ndiqen për të parandaluar dhe trajtuar dhunën me bazë gjinore në politikë, duke u fokusuar në forcimin e mekanizmave ligjorë dhe në angazhimin e institucioneve dhe mediave për të garantuar një përfaqësim të drejtë dhe të barabartë të grave në politikë.

Gjetjet e raporti ofrojnë një pasqyrë të detajuar mbi mënyrën se si gratë, si kandidate, deputete dhe ministre, janë përfaqësuar dhe trajtuar në mediat online, rrjetet sociale dhe platformat audiovizive gjatë dhe pas fushatës zgjedhore të vitit 2025.

Raporti mbështetet në një analizë të thelluar të më shumë se 3400 artikujve online, 51 episode debatesh politike dhe mbi 30 milionë ndërveprime në rrjetet sociale, si dhe intervista me gratë kandidate, deputete, gazetare dhe përfaqësues të partive politike.

1 nga 14

/m.m/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›